PDF 
Image

Image

Image

Image
 

Image

Tirane, Qershor 2006 

I.-TE PERGJITHSHME

 

EMRI

 

Neni 1

 

Partia  Demokristiane e Shqipërisë është themeluar më 11 Dhjetor 1991, vazhduese e vlerave dhe e traditave të demokracisë Kristiane, e cila ka për qëllim realizimin e detyrave sipas programit të saj.Emri i saj zyrtar është PARTIA DEMOKRISTIANE E SHQIPERISE, ose shkurt PDK.

 

PERCAKTIMI POLITIK DHE QELLIMET

 

Neni 2

 

Partia Demokristiane është një Parti e qendrës me orientim djathtas. PDK-ja ka për qëllim konkurimin Politik përmes zgjedhjeve të përgjithshme, në respekt të vlerave të lirisë, barazisë e drejtësisë në një garë politike. Ajo synon të promovojë në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëvë, lirinë e mendimit dhe dinjitetin e individit, të drejtat dhe detyrat themelore të tyre, zhvillimin e iniciativës së lirë e barazinë në shans, tregun e lirë e konkurues si instrument për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit, shtetin e së drejtës, sigurinë e individit dhe të pronës, përgjegjësinë individuale e fuqizimin e familjes, drejtësinë shoqërore e dialogun social, ruajtjen e natyrës dhe të ambientit, autoritetin e shtetit dhe vetëqeverisjen e lirë të pushtetit lokal.

PDK-ja angazhohet për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në organizmat europiane e euroatlantike, për përjetësimin e kombit shqiptar, të identitetit dhe kulturës së tij.

PDK-ja bashkon rreth saj të gjithë shqiptarët që i përmbahen këtyre aspiratave dhe objektivave. Ajo bazohet në respektin e paritetit gjinor në jetën e partisë dhe në pjesmarrjet zgjedhore e ekzekutive.

PDK-ja synon:

a- të ndërtojë një demokraci të të drejtave njerëzore të njohura e të marra në mbrojtje nga dokumentat ndërkombëtare, të mbështetur në bashkësinë e njerëzve të lirë, të   përgjegjshëm, që bashkëpunojnë, respektojnë e ndërmarrin përgjegjësi të përbashkëta;

b- të ndërtojë shtetin ligjor me raporte të balancuara e të ndara qartë të pushteteve, garant të jetës, lirive dhe të drejtave të sanksionuara me ligj të qytetarëve;

c- të nxisë dhe zhvillojë ekonominë e tregut nëpërmjet nxitjes së iniciativës së lirë ekonomike e shtimit të pronës private si forma mbisunduese në krijimin dhe pronësimin e pasurisë kombëtare, nëpërmjet privatizimit të ndërmarrjeve ekonomike publike, liberalizimit të tregut e liçensimeve, zbatimit të politikave favorizuese fiskale e të kreditimit.

d- të garantojë të drejtën e pronës private, paprekshmërinë e saj dhe të drejtën e pronarëve për ta disponuar atë lirisht, trashëguar apo dëmshpërblyer me vlerë të plotë tregu;

e- të zhdukë privilegjet dhe pabarazitë që nuk përligjen as nga puna e prona, as nga talenti e as nga shërbimet e kryera ndaj vendit;

f- të integrojë Shqipërinë si anëtare dinjitoze në institucionet euroatlantike e në familjen e kombeve të përparuara evropiane;

g- të garantojë sigurinë kombëtare dhe të bashkëpunojë me institucionet Europiane, Shtetet e Bashkuara dhe të tjera organizma ndërkombëtare për të siguruar paqen, lirinë, demokracinë, garancinë ekonomike dhe mbrojtjen e mjedisit për të gjithë rajonin dhe me gjerë.

      h- të mbrojë interesat kombëtare dhe të drejtat njerëzore të shqiptarëve kudo           që janë duke respektuar aktet e marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke kërkuar standartet e pranuara botërisht për të gjithë.

Politika e PDK-së përcaktohet dhe pasqyrohet në programin e saj si dhe dokumente të tjera që miratohen në përputhje me Statutin nga organet e saj qëndrore.

 

SELIA QENDRORE

 

Neni 3

 

PDK-ja e ka qendrën e saj në Kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë, Tiranë.

 

ORGANIZIMI I PARTISE

 

Neni 4

 

Partia Demokristiane e Shqipërisë është një organizim politik i qytetarëve të grupuar me vullnet të lirë në strukturat e saj të organizuara mbi bazën e ndarjes territoriale të vendit. Me vendim të Kryesisë së PDK-së mund të formohen struktura organizative edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

 

SIMBOLI

 

Neni 5

 

Simboli i PDK-së përbëhet nga gërmat PDK me ngjyrë portokalli mbi fushë të bardhë, ku brenda dy rrathëve shkruhet Partia Demokristiane e Shqipërisë.

Ky simbol përdoret nga organet përfaqësuese të PDK-së ose me autorizim të tyre.

 

FLAMURI

 

Neni 6

 

Flamuri i PDK-së është me ngjyrë të bardhë me yje përreth që simbolizon numrin e shteteve anëtare në BE.

Në qendër të flamurit ndodhet simboli i PDK-së dhe poshtë shkruhet Partia Demokristiane e Shqipërisë.

 

VULA

 

Neni 7

 

Vula e PDK-së është e rrumbullakët, e përbërë nga dy rrathë bashkëqëndrorë në hapësirën  midis së cilëve është shkruar me gërma të mëdha "Partia Demokristiane e Shqipërisë" dhe në qendër ndodhet simboli i PDK-së.Diametri i saj është 4 cm.

 Vula përdoret vetëm në emër të Organeve Qëndrore dhe shoqëron firmën e Kryetarit të Partisë.Në mungesë të Titullarit të partisë vula përdoret nga Sekretari i Përgjithshëm, Zv/Kryetarët e partisë vetëm me autorizim me shkrim të Kryetarit të PDK-së, për secilin rast.

Degët e PDK-së në rrethe kanë vulat e tyre që ruajnë modelin e mësipërm duke shtuar emrin përkatës të degës.

Në vend të fjalës “Shqipërisë” vendoset emri i degës.Ato jepen me autorizim me shkrim nga kryetari i PDK-së i zgjedhur nga Kongresi.Diametri i tyre është 4 cm.

Për çdo abuzim apo falsifikim të vules kërkohet ndjekje penale.

 

BAZA T E FUNKSIONIMIT

 

Neni 8

 

Funksionimi i PDK-së bazohet në demokracinë e brendshme, e shprehur përmes votës së anëtarëvë të saj.

Vota e përfaqësuar u njihet vetëm përfaqësuesve të mandatuar prej anëtarëve.

Zgjatja e mandatit te perfaqesuesve te PDK është për katër vjet.

Rregullat e funksionimit të demokracisë në Parti përcaktohen me akte të nxjerra nga Organet Qëndrore të saj sipas parashikimeve të këtij Statuti.

Demokracia zbatohet edhe në nxjerrjen e kandidaturave elektorale të partisë. Anëtarët e partisë propozimin e kandidaturave elektorale e bëjnë sipas kushteve që përcakton rregullorja e brendshme e partisë.

 

FORMA TE VEPRIMIT

 

Neni 9

 

1.Partia Demokristiane e Shqipërisë për realizimin e synimeve të saj vepron    nëpërmjet:

a- veprimtarisë së anëtarëve të saj, organeve lokale e qëndrore, strukturave ekzekutive;

b- zbatimit të platformës dhe programeve të saj kur qeveris e vetme ose në koalicion si dhe  nëpërmjet qeverisjes lokale që përfaqëson PDK-në;

          c- grupit parlamentar;

         d- organizatave partnere dhe organizatave e shoqatave të tjera të afërta me PDK-në.

         e- bashkëpunimit me partnerë të huaj, organizata e institucione ndërkombëtare;

2-PDK për realizimin e objektivave dhe funksioneve të saj përdor mediat private e publike, manifestime e protesta, takime të hapura e tubime, konferenca e seminare si dhe  çdo formë tjetër të ligjshme.

 

BASHKEPUNIMI DHE MBESHTETJA E VEPRIMTAREVE

 

Neni 10

 

Partia Demokristiane  bashkëpunon me parti politike, shoqata të ndryshme si dhe me parti homologe të botës.

PDK-ja është anëtare me të drejta të plota e Unionit Shqiptar Demokristian, themeluar më 17 Qershor 1995(Lucern, Zvicër).

Anëtaret e PDK-së, të organizatave të saj partnere si dhe simpatizantët e tyre veprojnë në bashkëpunim dhe ndihmojnë njëri-tjetrin.

Organet Qëndrore të PDK-së si dhe strukturat e saj ekzekutive kujdesen për marrjen në mbrojtje të veprimtarëve të tyre nga çdo pasojë e mundshme që rrjedh prej pjesëmarrjes në veprimtarinë politike të kryer në përputhje me këtë Statut, apo bindjeve të tyre politike.

 

 

VEPRIMTARIA

 

Neni 11

 

Partia Demokristiane është parti kombëtare laike.

 

II-ANETARESIA

 

KUSHTE DHE KRITERE TE ANETARESISE

 

Neni 12

           

           1.-Anëtar i PDK-së mund të jetë, çdo qytetar shqiptar që:

       a.. ka mbushur moshën  18 vjeç pa dallim gjendje shoqërore, përkatësie fetare apo gjinore;

       b. pranon kushtet e anëtarësimit;

       c. të mos jetë anëtar i partive politike apo organizatave që nuk janë në një partneritet të deklaruar e pranuar nga PDK-ja.

 2.-Janë anëtarë të PDK-së të gjithë ata që:

       a. kanë bërë anëtarësimin e tyre individual;

       b.-kanë paguar kuotizacionin vjetor (mos pagimi për dy vjet rresht humbet të drejtën e  anëtarësisë në parti) dhe quhet simpatizant.

 

 

PRANIMI I ANETARIT TE PDK-së

 

Neni 13

 

l-Kërkesa për anëtarësim duhet të paraqitet me shkrim së bashku me formularin përkatës, i cili regjistrohet në librin themeltar të degës apo nën/degës përkatëse të partisë. Formulari dorëzohet në selinë qëndrore të Partisë Demokristiane. Anëtari i partisë paiset me librezën vetjake të anëtarësisë.

Pranimi në seksionin apo degën e PDK-së bëhet vetëm për anëtarët që banojnë në territorin përkatës.

2-Në rast refuzimi të kërkesës nga seksioni, personi mund të ankohet me shkrim në Kryesinë e Degës, e cila vendos për këtë problem ose në Komisionin e Garancive Statutore.

 

TE DREJTAT DHE DETYRAT E ANETARIT

 

Neni 14

 

1-Të drejtat:

a- Anëtari ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e zgjedhjet e strukturave të partisë, sipas Statutit si dhe në çdo veprimtari të PDK-së dhe të shprehë aty lirisht mendimin e tij;

b- vetëm anëtari mund të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet e Partisë;

c- cdo anëtar ka të drejtën të propozojë për të gjitha organet legjislative e ekzekutive që përfaqësojnë PDK-në  sipas kushteve që parashikohen në këtë Statut, si dhe mund t'u drejtohet për çështje vetjake ose të Partisë të gjitha organeve drejtuese të saj;

2-Detyrat:

Anëtari i PDK-së ka për detyrë:

a- të jetë aktiv në veprimtarinë politike e elektorale të PDK-së, të ndjekë jetën e brendshme organizative të saj, si dhe vijën politike të saj.

b- Të zbatojë dhe respektojë Statutin, Rregulloret dhe vendimet që miratohen nga Organet e Larta të Partisë.

c- t'i paguajë Partisë një kontribut financiar. Masa e kuotizacionit vjetor dhe shpërndarja e saj ndërmjet selisë qëndrore dhe strukturave lokale përcaktohen çdo vit nga Kryesia e PDK-së.

 d- të respektojë disiplinën e Partisë të përcaktuar në këtë Statut dhe në aktet politike të shpallura nga PDK-ja.

 

Kryesia mund të përcaktojë një masë kuote më të reduktuar për organizatat partnere. Kuotizacioni duhet të paguhet brenda 60 ditëve nga data e thirrjes për pagimin e tyre.

Me përfundimin e afatit të njoftuar për pagimin e kuatizacionit, anëtarët që nuk kanë paguar atë, humbasin të drejtën e votës, deri në rinovimin e anëtarësisë.

d- të respektojë disiplinën e Partisë të përcaktuar në këtë Statut dhe në aktet politike të shpallura nga PDK-ja.

 

3.- Thyerja e disiplinës së Partisë dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDK-së.

Proçedurat e dhënies së sanksioneve për anëtarët përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të PDK-së.

 

PERFUNDIMI I ANETARESISE

 

Neni 15

 

l-Anëtarësia përfundon kur anëtari vdes, largohet me kërkesën e tij ose largohet me mase disiplinore .

2-Çdo anëtar mund të largohet nga Partia me vullnetin e tij duke njoftuar seksionin ku bën pjesë ose organin ku është i zgjedhur.

3- Kur brenda një viti nuk merr pjesë në asnjë mbledhje kalon në simpatizant i PDK-së.

MASAT DISIPLINORE

 

Neni 16

Masat disiplinore i vendosin vetë kryesisë e degëve për anëtarët e tyre nëse ato veprojnë në kundërshtim me statutin apo Programin e Partisë. Masat disiplinore janë:

a-     Vërejtje

b-    Lirim nga detyra partiake.

c-     Largim nga Partia.

Për anëtarët e kryesisë së Degës vendos Kryesia e PDK-së së Shqipërisë, pasi dëgjon mendimin e Komisionit Kombëtar të Garancive Statutore.

Çdo anëtar apo drejtues ka të drejtë të ankohet në Komisionin Kombëtar të Garancive Statutore. Masat disiplinore merren në prani të personit.

 Masat disiplinore në mungesë të personit merren në këto raste:

·        Kur personi nuk pranon të vijë në mbledhje pas njoftimit që i është bërë jo më pak se 10 ditë para mbledhjes.

·        Kur ka marrë dijeni dhe mungon pa arsye.

·        Kur largohet nga mbledhja pa marrë vendim.

 

Apelimi për masën e marrë kërkohet në organet më të larta të Partisë.

Organi më i lartë shqyrton vendimin e organit më të ulët.

Masat disiplinore rregjistrohen në dokumentat përkatëse.

 

III-ORGANIZIMI LOKAL I PARTISE

 

ORGANIZIMI LOKAL I PDK-së

 

Neni 17

 

Organizimi i PDK-së bëhet mbi bazën e njësive territoriale administrative, njësive elektorale ose në nivel kombëtar mbi bazën e kritereve specifike.

Njësitë organizative të PDK-së janë:

 

-DEGA                          Bashki

-NENDEGA                  Njësitë e qeverisjes vendore “Minibashkitë dhe Komunat”

-SEKSIONI                    Çdo qendër votimi

 

SEKSIONI

 

Neni 18

 

l-Seksioni është njësia më e vogël organizative e Partisë. Ai organizohet mbi bazë territoriale të qëndrave të votimit. Kryesia e N/degës, përgjigjet për koherencën e organizimit në territorin përkatës të Partisë dhe informon Kryesinë e Partisë në nivel dege ose në nivel kombëtar mbi bazë specialitetesh, gjendjeje shoqërore e profesionale, studentore, shkollore, moshore, ose në internet e emigracion me vendim të Kryesisë së Partisë.Çdo seksion i Partisë përfaqësohet nga Kryesia e tij.

         2-Krijimi, shkrirja, bashkimi ose ndarja e seksioneve vendoset nga Kryesia e N/degës përkatëse.

3-Seksioni përfaqësohet dhe drejtohet nga Kryesia e tij e përbërë nga 3 deri 7 anëtarë në varësi nga numri i antarëve të seksionit.

Kryesia e seksionit përbëhet nga Kryetari, Sekretari e anëtarët e kryesisë.

4-Kryesia zgjidhet, si rregull, cdo katër vjet, me votë të fshehtë, nga mbledhja e anëtarëve të seksionit. Numri i kandidatëve që i nënshtrohet votimit duhet të jetë të paktën dy herë më i madh se numri i vendeve në Kryesi.

5-Kryetari dhe Sekretari zgjidhen me votim të fshehtë në më shumë se një kandidaturë nga mbledhja e anëtarëve të seksionit.

6-Mbledhja e seksionit thirret nga Kryetari, Kryesia ose 1/4 e anëtarëve.    Mbledhja thirret të paktën një herë në dy muaj.

    7-Seksioni:

a- organizon veprimtarinë politike në territorin e tij në përputhje me orientimet dhe qëndrimet e shpalluara të PDK-së;

b- bën pranimin e anëtarëve të rinj të PDK-së;

c- bën propozime për kandidatura për drejtues dhe përfaqësues lokal të Partisë, për deputetin e pushtetarë lokalë.

d- I bën sugjerime dhe propozime Degës për  çdo problem që gjykon se është në interes të Partisë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NEN/DEGA E PARTISE DEMOKRISTIANE

 

Neni  19

        

I-N/dega e PDK-se është njësia bazë e organizimit të Partisë Demokristiane.

N/dega formohet ose shkrihet me vendim të Kryesisë së PDK-së.

N/degët formohen mbi baza territoriale elektorale (zona elektorale), të njësive të qeverisjes vendore dhe komuna .

2-N/dega drejtohet në periudhën mes kuvendeve dhe aktiveve nga Kryetari dhe Kryesia e saj.

 

KRYESIA E NEN/DEGES SE PARTISE

 

Neni 20

 

l-Kryesia e N/degës është organi më i lartë për drejtimin e n/degës së Partisë ndërmjet dy kuvendeve apo aktiveve të saj. Ajo vendos për të gjitha cështjet e rëndësishme që i kërkohen nga organet eprore. dhe ato që kanë të bëjnë me jetën organizative dhe veprimtarinë politike të partisë për seksionet në vartësi.

Kryesia e N/degës së PDK-së përbëhet nga:

   a-Jo më pak se 17  anëtarë të zgjedhur sipas kushteve që përcakton Neni 22 Kryetari i N/degës bën pjesë në këtë numër.

 b-Anëtarë kryesie me të drejtë të fituar për shkak të detyrës, bëjnë pjesë, anëtarë të qeverisë me banim në n/degë, Deputeti i n/degës, Kryetari i Komunes ose i Minibashkise ku shtrihet n/dega,

Numri i anëtarëve të zgjedhur duhet të jetë të paktën sa dyfishi i numrit të anëtarëve me të drejtë të fituar.

   c-Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 25% e numrit të anëtarëve të Kryesisë     që del prej votimit. Nqs ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre bëhet nga ajo e përgjithshmja.

2  a-Kryesia vendos në emër të nën/degës së PDK-së për  cështje dhe kompetenca që ky   Statut i njeh nën/degës së Partisë. Ajo i adreson të gjitha propozimet dhe kërkesat në emër të nën/degës së PDK-së ndaj organeve qëndrore.

 b-Ajo zgjedh me votim të fshehtë Kryetarin e Bordit Financiar dhe vendos për

ngritjen e departamenteve dhe drejtorët e tyre.

c.-Kryesia e nën/degës është kompetente për të vendosur, pas konsultimeve me anëtarët përkatës të partisë, kandidaturat për këshilltarët lokalë për njësitë në territorin e saj pas miratimit të marrë nga Kryesia Qëndrore.

d-(çdo kryesi nën/dege është kompetente për marrjen e masave disiplinore për anëtarët e partisë,  me përjashtim të atyre që përcaktohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë Statut.

e.-Kryesia e nën/degës është përgjegjëse për veprimtarinë koherente të strukturave në varësi të saj me veprimtarinë e përgjithshme të partisë në çështjet e organizimit, veprimtarive politike publike, veçanërisht të fushatave elektorale.

3-Mbledhja e Kryesisë thirret nga Kryetari të paktën dy  herë në muaj. Të drejtën e thirrjes së mbledhjes së Kryesisë së nën/degës për probleme të vecanta e kanë edhe 1/4 e anëtarëve të Kryesisë. Në këtë rast Kryetari njofton datën e mbledhjes jo më vonë se një javë nga marrja e kërkesës.

 Në  çdo rast rendi i ditës dhe materialet e shkruara u njoftohen anëtarëve të Kryesisë jo më vonë se dy ditë para datës së mbledhjes së Kryesisë.

4.- Funksionimi i Kryesive të nën/degëve rregullohet nga rregullorja e brendshme (tip) e funksionimit të organeve lokale të Partisë.

 

ZGJEDHJET PER ORGANET DREJTUESE TE DEGES DHE NEN/DEGES SE PARTISE QE DALIN NGA KUVENDI

 

Neni 21

 

1.-Kryesia e N/Degës, Kryesia e deges, Kryetari dhe organet e tjera që parashikon ky Statut për n/degën  dhe degen e PDK-së zgjidhen  çdo katër vjet me votim të fshehtë, dhe me kandidatura alternative në Kuvendin e N/Degës dhe ne Kuvendin e Deges. Numri i kandidatëve që i nënshtrohet votimit, duhet të jetë të paktën dy herë më i madh se numri i vendeve në Kryesi.

2.-0rganet e nën/degës së PDK-së zgjidhen në Kuvendin e nën/degës me votën e gjithë anëtarëve të PDK-së sipas Parimit "një anëtar, një votë".

Sekretari i nën/degës publikon numrin dhe emrat e anëtarëve me të drejtë vote më 31 dhjetor të vitit paraardhës të zgjedhjeve në parti të cilët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në organet e nën/degës së PDK-së  (kryetar i nën/degës, anëtar kryesie i nën/degës, anëtar i Kuvendit Kombëtar të Partisë, anëtar i komisionit garancive statutore. Proçedurat për përcaktimin dhe miratimin e kandidaturave, kriteret që duhet të plotësojnë të zgjedhurit e degëve përcaktohen në rregulloren e brendshme dhe aktet e tjera të Kryesisë së Partisë Demokristiane.

3-Kuvendin e N/degës e thërret Kryesia e nën/degës në marrëveshje me Kryesinë e PDK-së.

Ai mund të thirret edhe kur e kërkon 1/4 e anëtarëve të nën/degës së Partisë ose 1/4 e anëtarëve të kuvendit të nën/degës.

4-Kryesia e nën/degës me propozim të Sekretarit të nën/degës miraton komisionet e mandateve, të votimeve dhe sekretarinë e Kuvendit të nën/degës. Proçedurat më të detajuara të punimeve të Kuvendit të  nën/degës përcaktohen në rregulloren e brendshme dhe aktet e tjera të Kryesisë së PDK-së.

5-Kuvendi i nën/degës së PDK-së zgjedh Kryesinë, Kryetarin e nën/degës, Komisionin Garancive Statutore të Degës, Anëtarët e Kuvendit te deges të PDK-së dhe vendos për  çështje të rëndësishme të saj dhe për mocione të paraqitura në përputhje me këtë Statut.. Kërkesat për propozim kandidaturash dhe mocionet e shkarkimit të organeve të nën/degës duhet të jenë miratuar paraprakisht në Kryesinë e PDK-së.

 

KRYETARI I NEN/DEGES SE PDK-së

 

Neni 22

 

1- Kandidaturat për Kryetarin e N/degës, që propozohen nga seksionet,  Kryesia e N/degës, Kryesia e PDK-së, dhe 15% e anëtarëve të Kuvendit të N/degës (anëtarësia) sipas proçedurave të vendosura me akte nënstatutore, shqyrtohen nga Kryesia e PDK-së.

Kuvendi i nën/degës voton kandidaturat e miratuara nga Kryesia e PDK-së.

2-Kryetari përfaqëson anëtarësinë e Partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e Kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin përkatës. Ai organizon funksionimin normal të Kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj. Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të Partisë dhe shprehjen e  lirë të çdo anëtari të kryesisë.

 

SEKRETARI I NEN/DEGES SE PDK-së

 

Neni 23

 

Çdo N/dege ka një Sekretar të nën/degës, i cili emërohet nga kryesia e PDK-së sipas proçedurave të përcaktuara në rregulloren e brendshme.Sekretari ka për detyrë zbatimin e vendimeve të instancave qëndrore të Partisë në nën/degën përkatëse.

Ai organizon zgjedhjet në Parti dhe siguron mbajtjen e një evidence të anëtarësisë sipas kërkesave të këtij Statuti dhe akteve të tjera të Partisë.

Çdo vit ai mban një raport të detajuar të punës së tij në Kryesinë e nën/degës sipas kushteve që përcaktohet në rregulloren e brendshme të partisë.

 

DEGET E PARTISE DEMOKRISTIANE.

 

Neni 24

 

1.-Kryesia e PDK-së mund të vendosë grupimin e disa nën/degëve në njësi më të mëdha organizative dhe që mund të përkojnë me territoret administrative të njësive lokale (qarku, rrethi, prefektura) PDK-ja me territoret elektorale (rajone, elektorale)

Në varësi me territorin që përfshijnë këto grupime N/degësh, dega merr emërtimin

           respektiv.

2.-0rganet e Degëve territoriale janë:

a.-Kuvendi i Deges

b-Kryesia e  Degës

c-Kryetari i  Degës

KRYESITE

 

Neni 25

 

l.-Kryesitë e Degëve  përbëhet nga jo më pak se 17 anëtarë.

Kryesia e PDK-së përcakton numrin e anëtarëve për çdo kryesi si dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për anëtar Kryesie.

Jo më pak se 1/4  e anëtarëve të kryesive duhet të jenë zonja.

2.- Kryesia e Degës përbëhet nga:

a.-Kryetari, Zv/Kryetaret, Sekretari, Kryetari i  N/Deges dhe anetaret.

Çdo nën/degë përfaqësohet në Kryesi me të paktën tre anëtarë të zgjedhur, njëri prej të cilëve është kryetari i nën/degës dhe të tjerët anëtarë të votuar të Kryesisë së nën/degës në Kuvendin e saj.

       b.-një numër anëtarësh me të drejtë të fituar, anëtarë të PDK-së, jane ministrat me banim aty, deputetet e Kuvendit të Shqipërisë që kanë dalë në territorin përkatës, Kryetari i Qarkut, Kryetari i Bashkisë së kategorisë së parë, Kryetarët e organizatave partnere, nëse ka organizime të tilla që përputhen me organizimin e grupdegëve përkatëse.

3.- a.-Kryesia mblidhen të paktën  dy herë në muaj.

Kryesia mund të mblidhet edhe me kërkesën e ¼ e anëtarëve të Kryesisë, kërkesë e cila i paraqitet Kryetarit të degës. Në këtë rast rendi i ditës i mbledhjes duhet të përcaktohet në kërkesën e paraqitur dhe nuk mund të ndryshohet nga Kryetari apo Sekretari i degës. Mbledhja mbahet brenda një muaji nga paraqitja e kërkesës.

b. -Kryesia vendos në emër të nën/degëve të PDK-së që mbulon për çështje dhe kompetenca që  ky Statut i njeh asaj. Ajo i adreson të gjitha propozimet dhe kërkesat në emër të degës në organet qëndrore të PDK-së.

 

       c.-Kryesia vendos për ngritjen e bordeve, departamenteve e grupeve të tjera të punës që do të jenë të nevojshme për ushtrimin e detyrave që i ngarkohen.

       d.-Kryesia është kompetente për të miratuar, pas konsultimeve me nën/degët përkatëse të Partisë, kandidaturat që përfaqësojnë PDK-në  në zgjedhjet elektorale.

e.-Kryesia e degës është përgjegjëse për veprimtarinë koherente të nën/degëve në varësi të saj me veprimtarinë e përgjithshme të Partisë në çështjet e organizimit, veprimtarive politike publike, veçanërisht të fushatave elektorale.

 

KRYETARI

 

Neni 26

 

Kryetari është përfaqësuesi politik i Partisë per degen.

Ai zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nën/degëve mes kandidaturave të propozuara nga Kryesia e PDK-së. Kandidaturat e dala për Kryetar të Degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vleresimi nga Kryesia Qëndrore e Partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat.

Kryetari i Degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin përkatës. Ai organizon funksionimin normal të kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj.

Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të Partisë dhe shprehjen e lirë të çdo anëtari të kryesisë.

Kryetari në mungesë zëvendësohet nga Sekretari i degës ose neri nga Z/Kryetaret me autorizim të tij me shkrim.

 

SEKRETARI I DEGES

 

Neni 27

 

Sekretari i deges emërohet nga kryesia e PDK-së sipas proçedurave të përcaktuara në rregulloren e brendshme.

Sekretari ka për detyrë zbatimin e vendimeve të instancave qëndrore të Partisë në rrethin përkatës. Ai organizon zgjedhjet në Parti.

Çdo vit ai mban një raport të detajuar të punës së tij në Kryesinë e rrethit sipas kushteve që përcaktohet në rregulloren e brendshme të partisë.

Çdo vit dhe jo më larg se fundi i tremujorit të parë pas mbylljes së vitit ushtrimor, Sekretari i Degës i paraqet Kryesisë së Degës një raport të veprimtarive ku vecanërisht të përfshihen:

-Anëtarësimet;

-Financimi i partisë;

-Jeta militante e strukturave;

Pas vërejtjeve të mundshme të Kryesisës së Degës, Sekretari i Degës prezanton raportin dhe verejtjet mbi të,  Kryesisë Qëndrore të Partisë.

  Sekretari i degës është anëtar me të drejtë vote në Kryesinë e Degës.

 

ZV/KRYETARET

NENI 28

 

KOMITETI DREJTUES

Neni 29

 

Pranë çdo Kryesie Dege ka një komitet drejtues të saj sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e brendshme apo akteve të tjera të PDK-së.

Ky komitet drejtues përgjigjet për zbatimin e përditshëm të vendimeve të organeve qëndrore të Partisë dhe Kryesisë së Degës. Ky komitet drejtues përbëhet nga Kryetari, Sekretari, zv/kryetaret, Kryetari i Bordit Financiar, dhe në rast nevoje edhe persona të tjerë të zgjedhur në organet qëndrore të PDK-së.

Kryetari drejton veprimtarinë e komitetit drejtues të degës.

 

FINANCIMI I STRUKTURAVE LOKALE TE PDK

 

Neni 30

 

l.-Financimi i strukturave lokale bëhet nga:

-shuma në formë granti që akordon Kryesia Qëndrore;

-kuotizacioni i anëtarësisë së territorit përkatës, të cilat shpëmdahen sipas niveleve të ndryshme të organizimeve territoriale sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren financiare;

-kontributi që derdhin të zgjedhurit lokale dhe qëndrore, shumë e cila përcaktohet nga Kryesia e Rrethit;

-burime të tjera financiare që autorizon ligji për Partitë Politike

.2.-Kryetari i Bordit Financiar të Degës emërohet nga Kryesia, pasi ka marrë pëlqimin paraprak të financierit të PDK-së në qendër. Ai është përgjegjës përpara Kryesisë për fondet që ka në ngarkim.

3.-Bordi financiar i Organeve Lokale të Partisë përbëhet nga një numër anëtarësh sipas vendimit të Kryesisë përkatëse. Ai zbaton me rigorozitet në ushtrimin e detyrave të tij rregulloren e brendshme financiare të Partisë.

 

ORGANIZIMET JASHTE TERRITORIT SHOIPTAR

 

Neni 31

 

Shtetasit shqiptarë mund të themelojnë jashtë Shqipërisë degë të partisë, pas miratimit nga Kryesia e PDK-së, të cilat shpëndajnë aty parimet dhe programet e PDK-së. Ato përfshijnë brenda tyre të gjithë anëtarët e Partisë që banojnë në vendin përkatës. Ato funksionojnë sipas një rregullore të përcaktuar prej tyre, pasi ajo të miratohet nga kryesia e PDK-së. Kjo rregullore duhet të respektojë dispozitat e mëposhtme:

-Dega ndahet në seksione përkatëse sipas territoreve ku shtrihet, vendeve apo grup vendeve, duke organizuar kështu zonat për zgjedhjen e organeve të saj drejtuese.

 Çdo seksion përfaqësohet nga një Kryetar, i zgjedhur për katër vjet me të njëjtin sistem si seksionet e PDK-së brenda Shqipërisë.

-Dega administrohet nga një sekretar, i emëruar nga Kryesia e PDK-së. Sekretari përgjigjet për zbatimin e direktivave të përcaktuara nga Kryesia e Partisë

 

KOMISIONI I GARANCIVE STATUTORE TE DEGES

 

Neni 32

 

l-Komisioni i garancive statutore përbëhet nga tre deri në pesë anëtarë të cilët zgjidhen Kuvendi i Deges.

 Kryetar i Komisionit është anëtari që ka grumbulluar numrin më të madh të votave në Kuvendin e degës, ndërsa Sekretari i Komisionit zgjidhet me votim të fshehtë ndërmjet anëtarëve të tij.

2-Komisioni shqyrton bazueshmërinë statutore të vendimeve të marra nga organet lokale të PDK-së. Ai shqyrton dhe vendos për të gjitha ankesat drejtuar atij nga anëtarët dhe strukturat lokale të degës përkatëse.

         3-Puna e tij mbështetet në Rregulloren e Komisionit te Garancive Statutore të miratuar nga Këshilli Kombëtar i PDK-së.

         4-Në vendimet që merr është i pavarur dhe raporton vetëm përpara Kuvendit të

degës dhe organeve eprore.

 

APARATI ADMINISTRATIV

 

Neni 33

Në përputhje me mundësitë e saj financiare dhe me miratim të Sekretarit të Përgjithshëm, Dega apo  nën/degët e PDK-së kanë aparatin e tyre administrativ i cili funksionon sipas një rregulloreje tëbrendshme.

 Kryetari i Degës emëron dhe shkarkon personelin e kësaj administrate.

 

E DREJTA E INFORMIMIT

 

Neni 34

 

Organet Qëndrore të PDK-së  kanë të drejtë t'u kërkojnë organeve lokale çdo informacion lidhur me jetën e Partisë që i duket i nevojshëm. Këtë të drejtë e kanë edhe organet drejtuese lokale ndaj strukturave nën varësi.

 

E DREJTA E NDERHYRJES

 

Neni 35

 

Në rast se Kryetari ose Kryesia e Degës dhe Nën/degës thyejnë rëndë ose në mënyrë të përsëritur Statutin, dhe aktet e tjera të nxjerra nga organet qëndrore në zbatim të tij, ose kur paralizohet veprimtaria normale e PDK-së, Kryesia e PDK-së ka të drejtën e ndërhyrjes dhe, në raste të vecanta, të pezullimit të tyre e të komandimit të organeve drejtuese lokale respektive deri në mbledhjen e kuvendit të nën/degës. Kryesia e PDKSH ka të drejtën e ndërhyrjes edhe në rastet e zbatimit të gabuar të akteve dhe proçedurave në funksionimin e degëve të Partisë. Kryesia e PDK-së ndërhyn në mënyrë të veçantë në rastet e konflikteve në proçesin e propozimit të kandidaturave elektorale. Këto të drejta i ka edhe Kryesia e Degës ndaj seksionit, grupseksionit e nën/degës.

 

 

IV-ORGANET QENDRORE TE PARTISE

 

ORGANIZIMI I PERGJITHSHEM I PARTISE DEMOKRISTIANE

 

Neni 36

 

                 Instancat dhe organet qëndrore të PDK-së  janë:

1.     Kongresi i Partisë;

2.     Këshilli Kombëtar i Partisë;

3.     Kryetari

4.     Kryesia e PDK-së;

5.     Komisioni Kombëtar i Garancive Statutore.

 

KONGRESI I  PARTISE

 

Neni 37

 

l- Kongresi i Partisë është organi më i lartë  vendimor i Partisë dhe që mblidhet një herë në katër vjet. Punimet i drejton Kryetari i Partisë.

Kongresi quhet i rregullt kur marrin pjesë jo më pak se 2/3 e delegatëve. Vendimet quhen të rregullta kur votojnë pro ose kundër 50% plus një të delegatëve të kongresit.

2- Kongresi i Partisë përbëhet nga:

a- Kryetari i PDK-së;

b- Deputetët e PDK-së;

c- Kryetaret e komunave dhe të bashkive;

d- Kryetarët e degëve në rrethe;

e- Anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore;

f- Kryetari i Forumit Rinor Demokristian;

g- Kryetarja e Forumit të Gruas Demokristiane;

h- Pjesa e mbetur janë delegatët e zgjedhur nga konferencat e degëve.

3-Vendimin për mbledhjen e Kongresit e merr Këshilli Kombëtar me propozimin e Kryetarit ose të Kryesisë Qëndrore .

Data e zhvillimit të Kongresit dhe rendi i ditës njoftohet të paktën dy muaj përpara ditës së parë të Kongresit.

-Kongresi  mund të thirret edhe në sesione të jashtëzakonshme. Në këtë rast, kryesia e PDK-së vendos për modalitetet e thirrjes së Kongresit të jashtëzakonshëm. Kongresi në sesion të jashtëzakonshëm mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDK-së ose 1/4 e anëtarëve të delegatëve të Kongresit. Në këtë rast Kryesia e PDK-së njofton brenda dy javësh rendin e ditës dhe datën e Kongresit.

Afatet për thirrjen e Kongresit të posaçëm mund të jenë të shkurtuara.

 

KOMPETENCAT E KONGRESIT TE PARTISE

 

Neni  38

 

Kongresi:

1-vendos për programin e Partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDK-së në nivel qëndror e lokal, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj;

2-miraton Statutin e PDK-së dhe ndryshimin e tij;

3-zgjedh me votim të fshehtë Këshillin Kombëtar nga një listë ku numri i kanditatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që do të shpallen fitues dhe sipas modaliteteve të përcaktuara nga Kryesia e Partisë;

4-zgjedh me votim të fshehtë Kryetarin e Partisë;

5-vendos për shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar;

6-me propozim të Kryesisë Qëndrore ose të Këshillit Kombëtar zgjedh Kryetarët e Nderit, i cili ka vend e votë në organet qëndrore të PDK-së për gjithë jetën;

7-vendos shpërndarjen e Partisë ose bashkimin me një ose disa parti të tjera;

8-miraton komisionet e mandateve, të kërkesave dhe të votimit, që përgjigjen për mbarëvajtjen e punimeve të tij. .

9- Të drejtën për t' i bërë kërkesa dhe propozime Kongresit:

a- Kryetari i Partisë;

b- Këshilli Kombëtar;

c- Kryesia e Partisë;

d- Kryesia e Degës të Partisë;

e- jo më pak se 15% e anëtarëve të kuvendit me të drejtë vote. Kërkesat për propozim kandidaturash sipas kësaj gërme, duhet ti nënshtrohen të njëjtave proçedura si të tre gërmave të para.

 

KESHILLI KOMBETAR

 

Neni 39

        

1-Këshilli Kombëtar, në përputhje me programin, Statutin dhe vendimet e Kongresit , drejton veprimtarinë e Partisë në periudhën midis dy Kongreseve .

2.-Këshilli Kombëtar përbëhet nga:

a.-Kryetari dhe z/vendësit e tij;

b.-Sekretari i Përgjithshëm dhe sekretaret funksionalë të Partisë;

c.-Kryetari i Bordit Financiar.

d.-Ish presidentet e republikës dhe ish kryeministrat (anetare te PDK-se) dhe ish kryetarët e PDK-së;

e.- kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive të kategorisë së parë (anetare te PDK-se);

f.- kryetarët e degëve me dy ose më shumë nën/degë;

g.-kryetarët e organizatave partnerë;

h.- Pjesa tjeter  jane anëtarë të zgjedhur sipas Nenit 38 të Statutit sipas një përfaqësimi territorial të vendosur nga Kryesia qëndrore.

Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 25%. Në rast se ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja.

3-Mandati i anëtarëve të Këshillit Kombëtar sipas pikës 2/b,c,e,f,g të këtij Neni

përfundon me përfundimin e mandatit përkatës. Mandati i kategorive të tjera është katërvjecar.

4- Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën dy herë në vit dhe debaton sipas një rendi dite të vendosur nga Kryesia e Partisë.

Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë të thjeshtë.

 

KOMPETENCAT E KESHILLIT KOMBETAR

                                                     

Neni 40

 

1-Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari (ose Sekretari i Përgjithshëm me miratim të Kryetarit) në marrëveshje me Kryesinë e Partisë.

Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe në se e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të tij. Ne këtë  rast Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës.

Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t'u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes.

          2- a Këshilli Kombëtar merr të gjitha vendimet që mund të kërkojnë rrethanat kur Kongresi  nuk është i mbledhur dhe kur ato nuk janë parashikuar në këtë Statut si e drejtë vetëm e Kongresit.

             b- Këshilli Kombëtar zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kongresi, me votim të fshehtë  anëtarët e Kryesisë së Partisë nga një listë ku numri i kanditatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që kërkohen.

             c- Këshilli Kombëtar zgjedh ose shkarkon ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kongresi , me votim të fshehtë:

          I- Kryesine e PDK-se

           I.-Sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretaret funksionale;

         II.-Nën/kryetarët e Partisë;

         III-Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë;

         d- Ai vendos për rregulloren e brendshme, me propozim të Kryesisë së Partisë, ndërmerr gjithë dispozitivin e nevojshëm për zbatimin e këtij Statuti dhe për mbarëvajtjen e Partisë.

Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë të thjeshtë votash..

Në rastin e masave disiplinore vendimet e Këshillit Kombëtar merren me 2/3 e votave. Mbledhjet e këshillit kombëtar nuk mund të zhvillohen pa praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve.

 

KRYESIA E PARTISE

 

Neni 41

 

Kryesia e Partisë përbëhet nga:

a.-Kryetari dhe N/kryetarët e  Partisë ;

b.-Sekretari i Përgjithshëm;

c.-Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit që i përkasin Partisë Demokristiane;

d-Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvend;

Pjesa tjeter zgjidhet nga Kshilli Kombetar me votim te fshete.

Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 25%. Në rast se ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja.

 

KOMPETENCAT E KRYESISE

 

Neni 42

 

l.-Kryesia e PDK-së angazhohet në zbatimin e vendimeve të marra nga Kongresi e Këshilli Kombëtar. Ajo përgatit projekte programesh, platformash dhe çdo kërkesë tjetër që i paraqiten forumeve në emër të saj.

Për këtë qëllim Kryesia e PDK-së mund të ngrejë grupe pune.

2-Kryesia ka të drejtën e ndërhyrjes dhe refuzimit të kandidaturave të përzgjedhura nga organet lokale të Partisë. Ajo i propozon Këshillit Kombëtar kandidaturat për përfaqësuesit e saj në postet e larta të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.

4.-Kryesia ka të drejtë të vendosë për thirrjen e Këshillave për zgjedhje të reja të nën/degës së Partisë dhe caktimin e organeve drejtuese të përkohshëm të degës në përputhje me Nenin 35.

5-Kryesia emëron sekretarin e degës dhe nën/degës.

         6-Cakton kriteret e përfaqësimit brenda strukturave të PDK-së, seleksionon kandidaturat e vendos për to në përputhje me kërkesat e këtij Statuti.

         7-Miraton anëtarët e Bordit Financiar.

         8-Miraton strukturën organike të PDK-së dhe atë të pagave.

 

 

Vendimet në Kryesi, merren me shumicë të thjeshtë të votave, në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të Kryesisë.

Kryesisë ka të drejtë t'i adresohet, veç secili prej anëtarëve të saj, edhe çdo kryesi degë, n/degë, organizatë partnere.

 

 

 

KRYETARI I PARTISE

 

Neni 43

 

l.-Kryetari kryeson organet qëndrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha aktete e jetës civile brenda dhe jashte vendit.

Ai emëron zëdhënësin e shtypit të Partisë si dhe Sekretarin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

2.-Ai ndihmohet nga tre N/kryetarë dhe Sekretari i Përgjithshëm.

3.-Kryetari i Partisë zgjidhet nga Kongresi  me sistem mazhoritar. Modalitetet e votimit përcaktohen nga rregullorja e brendshme.

 

NEN/KRYETARET E PARTISE

 

Neni 44

 

I-PDK-ja  ka tre N/kryetarë të cilët zgjidhen sipas përcaktimeve të Nenit 40 të këtij Statuti.

2-Në mungesë të zgjatur të Kryetarit dhe me autorizim të tij, njeri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi (dorëheqje, etj.), Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar i cili komandon N/kryetarin që do të drejtojë Partinë deri në vendimin përfundimtar të Kongresit.

3-Kryetari i Grupit Parlamentar është njëri prej tyre, ndërsa N/kryetarët e tjerë janë të deleguar të  Kryetarit.

 

 

SEKRETARI I PERGJITHSHEM

 

Neni 45

 

Sekretari i Përgjithshëm organizon funksionimin e përditshëm të Partisë dhe përgjigjet për organizimin e saj. Ai paraqet çdo vit raportin e veprimtarive të Kryesisë Qëndrore para Këshillit Kombëtar. Ai ndihmohet në punën e tij nga sekretarët funksionale.

Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet cdo katër vjet në përputhje me Nenin 40 të Statutit.

 

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISE

 

Neni 46

 

I-Grupi Parlamentar i PDK-së përbëhet nga deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë.

2-Grupi Parlamentar i PDK-së:

a- përfaqëson në parlament PDK-në dhe siguron aty mbrojtjen e platformës, programit dhe interesave të PDK-së;

b- harton programin dhe përcakton mënyrën e veprimit e të angazhimit të deputetëve të tij në parlament dhe në zonat elektorale përkatëse;

c- vendos për ndarjen e anëtarëve të tij në komisionet parlamentare;

d- harton rregulloren e funksionimit të grupit parlamentar

e- I propozon Këshillit Kombëtar për çështje që janë kompetencë e ketij të fundit.

 

V -ORGANET E KONTROLLIT TE PARTISE

 

KOMISIONI GARANCIVE STATUTORE

 

Neni 47

 

l.-Komisioni Garancive Statutore përbëhet nga shtatë anëtarë të zgjedhur nga Kongresi i PDK-se.

  2.-Nëse një kërkesë është hedhur poshtë, i interesuari mund t'i drejtohet Komisionit Garancive Statutore.

Vendimi i Komisionit është i paapelueshëm.

 3.-KGS pranon kërkesa të formuluara nga të interesuarit kundër masave disiplinore të marra në adresë të tyre. Ai përgjigjet për garantimin e të drejtës për mbrojtje gjatë ushtrimit të masave disiplinore.

4.-Kur një Kryesi vendos të marrë një sanksion kundrejt një anëtari që mban një mandat zgjedhor, ekzekutiv ose parlamentar, ai nuk mund të bëhet publik veçse nëse vendos Kryesia e Partisë.

  Në të gjitha rastet e tjera, KGS deklaron vetë publikisht vendimet që merr.

5.- Komisioni,  shprehet për mospërputhjet e vendimeve të marra nga strukturat lokale apo qëndrore te PDK-se. Ai thërret për dëgjim, sipas rastit, të interesuarit.

8.-Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, Kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve Statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim Kryesisë së Partisë  në afatin më të shkurtër të mundshëm.

 

KOMISIONI I PERHERSHEM I STATUTIT DHE RREGULLORES SE BRENDSHME

 

Neni 48

 

Komisioni i përhershëm i Statutit dhe Rregullores së brendshme zgjidhet nga Këshilli Kombëtar me propozim të Kryesisë së Partisë. Ky komision formulon propozimet për ndryshime në Statut apo Rregulloren e brendshme që i vijnë atij nga Kryesia e Partisë apo Këshilli Kombëtar.

Propozime për ndryshime në  Statut apo Rregullore të bëra nga anëtarësia e Kryesisë i adresohen Kryesisë së Partisë e cila i shqyrton ato dhe në rast nevoje ia paraqet komisionit.

 

VI-VEPRIMTARIA EKONOMIKE E PARTISE

 

FINANCAT E PARTISE

 

Neni 49

1.     Burimet financiare të Partisë përbëhen nga kuotizacionet e anëtarësisë, nga granti që jep buxheti i shtetit sipas ligjit, nga ndihma e dhurata publike që njeh ligji për Partitë Politike si dhe nga çdo burim tjetër që autorizon ai.

2.     Masa e kuotës së anëtarësisë përcaktohet nga Kryesia e Partisë një herë në vit. Grumbullimi dhe administrimi i kuotave e kontributeve bëhet konform rregullores së brendshme.

 

BORDI FINANCIAR I PARTISE

 

Neni 50

1.     Komisioni i kontrollit të administrimit të financave përbëhet nga shtatë anëtarë të zgjedhur nga Kryesia e Partisë.

2.     Kryetari i Bordit, i zgjedhur nga Kryesia e Partisë me propozim të  Kryetarit, është përgjegjës për administrimin e fondeve të Partisë. Ai i kërkon Këshillit Kombëtar (ose Kryesisë kur autorizohet kështu nga Këshilli Kombëtar) të shprehet për projektin e buxhetit dhe jep Ilogari para tij për zbatimin e këtij buxheti. Bordi financiar, paraqet një opinion për projektin e buxhetit dhe rregulloren e përdorimit të fondeve të partisë.

3.     Komisioni i kontrollit të administrimit financiar, kontrollon përdorimin rigoroz të financave të Partisë. Në këtë funksion ai mblidhet për të dhënë mendim:

-para dorëzimit të bilancit të partisë në organet kompetente shtetërore dhe të partisë;

 -para paraqitjes së buxhetit në Kryesinë e Partisë.

-Ai mund të mblidhet edhe me kërkesën e më se gjysmës së anëtarëve për të nxjerrë rekomandime për administrimin financiar të Partisë. Këto rekomandime kanë fuqi zbatuese për Kryesinë e Partisë.

 

DETYRIMET PASURORE

 

Neni 51

1.     Kryesia e PDK-së nuk mund të marrë përsipër detyrime sipas të cilave anëtarët e saj përgjigjen me pasurinë personale.

2.     Për detyrime tregëtare ligjore të Partisë anëtarët e organeve përkatëse përgjigjen vetëm me pasurinë e Partisë.

3.     0rganet e Partisë janë përgjegjës për detyrimet e një organi më të ulët vetëm në rastin kur ato e kanë miratuar këtë detyrim.

 

VII-ORGANIZATAT PARTNERE

 

ORGANIZATAT PARTNERE

 

Neni 52

                  Partia ka këto organizata partnere:

a- Forumin Rinor të Partisë Demokristiane;

b-Forumin e Gruase  Demokristiane.

 

DETYRAT DHE KOMPETENCAT E ORGANIZATAVE PARTNERE

 

Neni 53

 

1-0rganizatat partnere synojnë që të promovojnë idetë bazë të PDK-së në grupet edhe të paraqesin e mbrojnë interesat e këtyre grupeve në politikën e PDK-së

         2-Parimet bazë të strukturës së tyre organizative janë të ngjashme me ato të PDK-së.

Statuti i tyre duhet miratuar nga Kryesia e PDK-së.

         3-Miratimi i organizatave të tjera bëhet me vendim të Këshillit Kombëtar dhe duhet konfirmuar nga Kongresi i Partisë me ndryshimin përkatës në Statut.

 

IVIII-PROCEDURA E MBLEDHJEVE

 

GARANTIMI I SHPREHJES SE LIRE TE CDO ANETARI

 

Neni 54

   

   1-Çdokush nga anëtarët ka të drejtë të shprehë lirshëm mendimin e tij në strukturat dhe organet e PDK-së.

    2-Kufizimi në kohë dhe numër i diskutimeve në një mbledhje është i mundshëm kur nuk është diskriminues dhe kur këtë e kërkon shumica e anëtarëve me të drejtë vote.

    3-Në çdo rast duhet respektuar dhe garantuar shprehja e mendimit ndryshe. Për këtë, kur diskutohen çështje për të cilat ka mendime "pro" dhe "kundra", të garantohet shprehja e mendimit të pakicës.

 

AFTESIA VENDIMORE (KUORUMI)

 

Neni 55

 

1.0rganet vendimarrëse të Partisë kanë aftësi vendimore (quorum) kur:

a- ato janë thirrur duke respektuar procedurat dhe afatet e parashikuara në këtë Statut:

b- kanë marrë pjesë në votime mbi 50% e anëtarëve me të drejtë vote me përjashtim të rasteve kur në Statut parashikohet ndryshe;

2.Në rast se nuk ka quorum, drejtuesi i mbledhjes duhet të ndërpresë mbledhjen dhe të njoftojë për rendin e ditës së mbledhjes tjetër. Në këtë rast, ai mund të mos marrë parasysh afatet e përcaktuara. Mbledhja tjetër është në çdo rast me aftësi vendimore. Kjo u njoftohet anëtarëve.

Në se vërtetohet mungesa e quorum-it gjatë mbledhjes në çastin e votimit atëherë votimi shtyhet për në mbledhjen tjetër. Në përcaktimin e quorum-it llogariten edhe abstenimet dhe votat e pavlefshme.

 

SHUMICA TE KERKUARA PER VENDIMARRJE

 

Neni 56

 

I-Vendimet quhen të miratuara nëse votat "pro" përbëjnë mbi 50% të votave të vlefshme të pjesmarrësve në votim me përjashtim të rasteve kur në Statut parashikohet ndryshe. Kur votat janë të barabarta propozimi i votuar konsiderohet i refuzuar. Abstenimet merren në konsideratë për llogaritjen e quorum-it.

2-Për ndryshime statutore nevojitet shumica absolute e anëtarëve me të drejtë vote.

3-Për miratimin e vendimit për shpërndarjen apo bashkimin e PDK-së me një parti tjetër, duhet një shumicë prej 3/4.

 

LLOJET E VOTIMIT

 

Neni 57

 

1- Votimi bëhet i hapur duke ngritur dorën ose mandatin.

2- Votimi bëhet i fshehtë në rastet e përcaktuara nga Statuti si edhe kur propozimi për votim të fshehtë mbështetet nga l/6 e anëtarëve me të drejtë vote.

Format e votimit të fshehtë përcaktohen në rregulloren e brendshme të Partisë.

3- Gjatë votimit çdo anëtar ka të drejtën të deklarohet se abstenon.

 

 

 

 

AFATET E ZGJEDHJEVE

 

Neni 58

 

Të gjitha organet e Partisë duhet t'u nënshtrohen zgjedhjeve të paktën çdo katër vjet.

 

DOKUMENTIMI I VENDIMEVE

 

Neni 59

 

Vendimet e Kongresit të Partisë dhe të Këshillit Kombëtar dokumentohen, protokollohen dhe arkivohen nga dy persona të caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm. Për organet lokale të Partisë ndiqet e njëjta proçedure nga Sekretari i Degës.

 

 

VIII.-DISPOZITA TE FUNDIT

 

PRIORITETI I  STATUTIT TE PDKSH

 

Neni 60

 

Çdo statut apo rregullore e organeve të ndryshme të Partisë dhe organizatave partnere nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Statutin e PDK-së.

 

RISHIKIMI I STATUTIT

 

Neni 61

 

Ky  Statut mund të rishikohet nga Kongresi i Partisë me shumicën absolute të anëtarëve të tij, sipas propozimeve të Kryesisë së Partisë, së 1/4 së anëtarëve të Këshillit Kombëtar, pas mendimeve të dhëna nga komisioni i përhershëm i statutit.

 

HYRJA NE FUQI

 

Neni 62

 

Ky Statut hyn në fuqi menjëherë pas miratimit nga Kongresi  i PDK-së.