Ballina Arte Film

Bekim Fehmiu
Bekimi në Prizren
Pesë ditë pas vetëvrasjes së aktorit të madh Bekim Fehmiu, hiri i trupit të tij u hodh në Lumbardhin e Prizrenit, qytet të cilin e ka konsideruar si shtëpi të veten. Ky ishte amaneti i tij, që familjarët e përmbushën të dielën.

Nga Alfred Beka  më 21.06.2010 në ora 8:38
Amaneti që e la aktori i njohur shqiptar Bekim Fehmiu, para se të vdiste, tashmë është përmbushur. Hiri i trupit të tij të krematuar, është hedhur në Lumbardh të Prizrenit në mëngjesin e së dielës, pesë ditë pas vetëvrasjes së tij.

Hedhja e hirit është bërë mëngjesin e së dielës, te vendi i quajtur Marash, në praninë e familjes së ngushtë të aktorit të ndjerë.

Megjithëse nuk ka qenë e pranishme në këtë ceremoni, drejtoresha e Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berisha, ka pohuar se hiri i Bekim Fehmiut është hedhur në Lumbardh në mëngjesin e së dielës.

Ky edhe ka qenë amaneti i aktorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiu, në letrën, të cilën e kishte shkruar para se të bënte vetëvrasje në apartamentin e tij në Beograd.

Mësohet se ceremonia e hedhjes së hirit është kryer në diskrecion të plotë.

Lidhur me amanetin e tij, që hiri t’i hidhet në Lumbardh të Prizrenit, ditë më parë ka folur edhe biri i tij Hedoni.

“Gjithmonë i ka thënë nënës se kur të vijë ai moment, hiri i tij të shpërndahet në Lumbardhin e Prizrenit. E ka dashur atë qytet, ishte shtëpia e tij të dytë. Është shpërngulur aty nga vendlindja e tij, Sarajeva. Pasi të përfundojë kremacioni, ne do të shkojmë atje për ta përcjellë në banesën e përjetshme”, është shprehur, para pak ditësh, biri i tij Hedoni.

Bekim Fehmiu, 74 vjeçar, ka bërë vetëvrasje të martën e kaluar. Lajmi për vetëvrasjen e aktorit i kishte tronditur të gjithë, si familjarët dhe miqtë e tij, po ashtu edhe shumë adhurues të vendeve të ndryshme të këtij rajoni. Për largimin e tij nga jeta, përpos medieve nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia, kanë raportuar edhe media nga vende të ndryshme të botës, të cilat e kanë konsideruar Fehmiun si një prej aktorëve më të mirë të kësaj pjese të Evropës, i cili ka qenë i vetmi aktor i një vendi komunist që ka arritur të depërtojë dhe të aktrojë në Evropën Perëndimore dhe në Hollywood.

“Bekim Fehmiu është i vetmi aktor internacional nga vendet lindore komuniste, i cili xhiroi në Perëndim gati njëzet vite, duke e depërtuar perden e hekurt, deri në paraqitjen e Gorbaçovit dhe rrëzimin e Murit të Berlinit”, ka thënë për të shkrimtari dhe producenti italian, Francesko Skardamalia.

Për të nderuar aktorin tashmë të ndjerë, Teatri Kombëtar dhe Kino ABC sapo kanë marrë lajmin për vdekjen e Fehmiut, kanë hapur librin e zisë, në të cilin adhuruesit e tij dhe qytetarët mund të shprehin ngushëllimet. Po ashtu, libra të zisë janë hapur edhe në vende të ndryshme si në Zagreb të Kroacisë dhe Tetovë të Maqedonisë. Gjatë këtyre ditëve, për nder të tij, janë organizuar homazhe si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd.

Ndërsa në Prishtinë, sot (e hënë), duke filluar në ora 12, në Kinemanë ABC do të mbahet mbledhje komemorative për ta kujtuar jetën dhe veprën e ikonës së filmit Bekim Fehmiun.

Aktori shqiptar kishte arritur famë botërore me disa filma, mes tyre “Odiseja” dhe "Mbledhësit e puplave". Gjatë viteve '80, ai tërhiqet nga aktrimi në shenjë të protestës kundër propagandës antishqiptare.


Shpërndaje artikullin:
Digg Favicon Facebook Favicon Google Favicon LinkedIn Favicon

Komentet



 ai am (mitrovice): 20.06.10 në ora:23:25

Eeeeeeee more shqipetare duhet t'i hapim syte e t'ia dijme vleren njerezve me merita sa t'jene gjalle e JO vec kur vdes.
E rekomandoj (+30)  Nuk e rekomandoj (-4)



 Dardani (Banja e Pejes): 20.06.10 në ora:22:09

Ky eshte krenaria e kombit, por fatkeqsia e jone eshte madhe sepse nuk ditem ta nderojme nje aktor te permasave boterore, une personalisht mburrem qe kemi pasur nje njeri te tille.
E rekomandoj (+31)  Nuk e rekomandoj (-4)



 adnani pz (prizren): 20.06.10 në ora:21:41

Pajtohem me z.BASHKIM H.qe ne Marashin tone te bukur te emertohet LULISHTJA E BEKIM FEHMIUT me nje BUSTE te TIJ te punuar ne SHQIPERI.Sa e bukur kishte me qene Marashi edhe ashtu e bukur ku do te vizitohej nga mbare Kosova dhe Shqiperia per ta perkujtuar kolosin shqipetar te madhin BEKIM FEHMIU.
E rekomandoj (+29)  Nuk e rekomandoj (-5)



 babloku (austri): 20.06.10 në ora:18:14

Shqiponja fluturon larg edhe lartë, por prap se prap herët a vonë i kthehet folesë!
E rekomandoj (+141)  Nuk e rekomandoj (-17)



 Petrit Riza (Prishtinë): 20.06.10 në ora:17:49

Vështirë e kam ta pranoj faktin tonë primitv kombëtar e i cili është se ne nuk shofim më larg se hunda dhe se tepër vonë zgjohemi për gjërat të cilat janë historike. I tillë është rasti me të madhin Bekim Fehmiu. Po turpërohem nga vetvetja e më së shumti nga fëmijët e mi të cilët një ditë do të krenohen me një yll i cili do të ndriqon me shekuj mbi historinë tonë kombëtare por i mbuluar me vite nga retë e zeza të cilët ne i krijuam dhe tani kur ne e humbëm, po shofim vlerat vërteta të atij ylli.
E rekomandoj (+105)  Nuk e rekomandoj (-23)



 Bashkim H (Prizren/Marash): 20.06.10 në ora:17:42

Hiri nga trupi i Bekim Fehmiut u hodh sot në Prizren në lumin Bistricë afër Marashit. Ne banorët e kësaj lagjaje mburremi me madhshtine e tij. Në Marash për këtë kolos të madh të kulturës sjhqiptare, gjithnjë do të këndojnë bilbilat dhe do të lulzojnë zymbylat e ne do të kujtojmë me mburrje shembullfëtyrën dhe vepren e madhe të këtij njeriu të mirë. Tash e tutje Marashin tone të bukur do të quajmë "Lulishte e Bekim Fahmiut". Kjo do të ishte gjëja më e vogël që do të bënim për te. Ai ka merituar më shumë. Lavdi perjete për këtë njeri të madh.
E rekomandoj (+101)  Nuk e rekomandoj (-24)



 Dhaskalli (D): 20.06.10 në ora:16:54

Bekim Fehmiu bashkë me artin e tij i takonte NJERËZIMIT. Edhe hiri i tij duke përshkuar Lumbardhin, Drinin e Bardhë e Adriatikun e Atdheut pastaj vazhdon të i takojë tërë BOTËS. Prehu i qetë MAESTRO!
E rekomandoj (+106)  Nuk e rekomandoj (-23)



 Zeqir Kamberi (prishtine): 20.06.10 në ora:16:05

Aktoret e medhenj shkojne ne menyre te vecante, pra edhe Bekimi yne shkoi poashtu ne menyre te vecante, hiri nga trupi i tij do te shkoje neper viset shqiptare, uji qe do ta barte hirin e tij nuk do te ndalet kurre. Pra lavdi i qofte vepres se tij te madhe, jemi krenare qe Bekimi ishte shqiptar. Mendoj se Teatrit Kombetar te Kosoves te i vehet emri i aktorit te madh Bekim Fehmiu. Mendoj se askush nuk e meriton me shume se emri i tij.
E rekomandoj (+112)  Nuk e rekomandoj (-32)



 gimi (Ferizaj): 20.06.10 në ora:15:53

Per kete njeri te madh, shumekush po mundohet te qet hije te keqe mbi figuren e tij. Te mallkuar do te jene ata qe shkruajne fjale pa krip per kete shqiptar te madh. Vala e Lumbardhit shperndafte shpirtin e tij madheshtor, vepren e ketij kolosi te artit shqiptar, lavdi perjete.
E rekomandoj (+111)  Nuk e rekomandoj (-25)



 bardh sokoli (n'shpelle): 20.06.10 në ora:15:45

Nallban Dashamiri thote: "Kjo është vrasje kulturore ...". Jo zoteri Dashamiri, me gjithe dashamirsine tende, kjo nuk eshte e vertete...Ky eshte akti i vetem i ngritjes kulturore qe me ra rene ne sy ne dekaden e fundit. Bekimi shkoi aty ku deshti shpirti i tij, ne rradhe te pare kjo eshte ceshtje private e deshires se tij dhe njerzve tane te vlershem rrallehere u jane plotsuar deshirat se paku per se vdekuri duhet respektuar. Se dyti, Nallban Dashamiri ku ka me mire per Bekimin qe pluhuri i tij te mos perdoret nga njerzit me kravata per marketing ashtu sic perdoret vuajtja dhe gezimi yne, ashtu sic perdoret paraja dhe varferia jone, te jesh i sigurt se Bekimi i ka pasur fort merzi "njerzit me kravata" . Paramendoje Nallban djali se si njerez intriganta mbajne fjalim per vlerat e Bekimit para pluhurit te tij! Po nuk eshte lloc pluhuri njerzor o Nallban Dashimiri, qe politikanet e pandershem te mbajne fjalime para grimcit te fundit te tij, qe me pas edhe ti krekosen popullit te shumvuajtur.
E rekomandoj (+102)  Nuk e rekomandoj (-17)



 nallban dashamiri (Lumëzi): 20.06.10 në ora:15:04

E palogjikshme dhe e turpshme! Pavarësisht amanetit të Bekimit, hedhja e hirit është dashur të jetë një ngjarje publike e dorës së parë në Kosovës. Të kujtojmë amanetin që pat lënë shkrimtari ynë Hivzi Sulejmani; të varroset thjeshtë, si ushtar në betejë, ku do të merrnin pjesë sall anëtarët e ngushtë të familjes. Amaneti i tij nuk u respektua, sepse morën pjesë shumë njerëz në varrim, por ky fakt nuk e zvogëloi madhështinë e atij njeriu të madh. Në asnjë variant kjo nuk ka guxuar të ndodhë. Kjo është vrasje kulturore që i bëhet artistit të madh, sepse duke e shënuar si ngjarje kulturore, gjeneratat pas do të kishin më shumë motiv që kur të vizitojnë Shtëpinë e Lidhjes, të vizitojnë edhe vendin ku është hedhur hiri i trupit të aktorit të madh. Askujt nuk i është dashur ky mister, aq më pak neve kosovarëve.
E rekomandoj (+35)  Nuk e rekomandoj (-109)





Komentoni
Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.



Mund të shkruani edhe karaktere.

Emri:

Email:

Vendi:


Film
Teatër
Libri
Expo
ExpressBook
Muzikë
TV