mormon.org Në mbarë botën

Plani i Perëndisë
për Shpëtimin

“Nga erdha unë dhe përse?"

Jeta juaj nuk filloi në lindje dhe nuk do të përfundojë në vdekje. Përpara se të vinit në tokë, shpirti juaj jetonte me Atin Qiellor që ju krijoi. Ju e njihnit Atë dhe Ai ju njihte dhe ju donte ju. Ishte një kohë e lumtur gjatë së cilës juve ju mësua plani i Perëndisë për lumturinë dhe udha për te gëzimi i vërtetë. Por ashtu si shumica prej nesh lëmë shtëpinë dhe prindërit kur rritemi, Perëndia e dinte që ju duhej të bënit të njëjtën gjë. Ai e dinte se nuk mund të përparonit nëse nuk do të largoheshit për ca kohë. Kështu ai ju lejoi që të vini në tokë për të përjetuar gëzimin – si dhe dhimbjen – e një trupi fizik.

Një gjë që e bën këtë jetë kaq të vështirë ndonjëherë, është se ne jemi jashtë pranisë fizike të Perëndisë. Jo vetëm kjo, por ne nuk mund ta kujtojmë jetën tonë paratokësore, që do të thotë se ne duhet të veprojmë më shumë sipas besimit sesa njohurisë. Perëndia nuk tha se do të ishte e lehtë, por Ai premtoi se shpirti i Tij do të ishte atje kur ne të kishim nevojë për Të. Edhe pse ka raste kur duket sikur jemi vetëm, ne nuk jemi vetëm në udhëtimin tonë.

Plani i Perëndisë për Ju

Ajo nuk do të thotë se Ai pret që të jeni të përkryer. Ai e di që nuk do të jeni. Por Ai pret që, ndërsa jeni këtu në tokë, të përpiqeni me aftësinë tuaj më të mirë që të jeni më shumë si Ai dhe të mësoni e të rriteni nga gabimet tuaja. Sa herë që bëni një zgjedhje të dobët me pasoja të dhimbshme, ai vendim çon në palumturi – ndonjëherë menjëherë, ndonjëherë shumë më vonë. Po kështu, zgjedhja e së mirës përfundimisht çon te lumturia dhe ju ndihmon të bëheni më shumë si Ati Qiellor.

Marrja e Trupit Tonë Fizik

Ashtu siç Perëndia e krijoi tokën si një vend për ju që të jetoni dhe të fitoni përvojë, Ai ju krijoi juve. Dhe ju dha një trup prej mishi dhe gjaku të ngjashëm me trupin e Tij të përlëvduar. Në Dhiatën e Vjetër Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne" (Zanafilla 1:26). Jakobi deklaroi se ai pati parë Perëndinë “ballë për ballë" (Zanafilla 32:30). Moisiu gjithashtu foli me Perëndinë “ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij" (Eksodi 33:11). Në Dhiatën e Re, kur Krishti i ringjallur iu shfaq Apostujve të Tij, Ai u tha atyre, “Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam" (Lluka 24:39).

Adami dhe Eva na Dhanë Neve Dhuratën e Zgjedhjes

Si fëmijët e parë të Perëndisë në tokë, Adami dhe Eva po jetonin në parajsën e kopshtit të tyre. Ata nuk ndienin ndonjë hidhërim apo dhimbje, gjë e cila mund të dukej e bukur, por që pa ngrënë frutin e ndaluar, ata gjithashtu nuk mund të ndienin gëzim. Ata nuk e kujtonin jetën e tyre paratokësore. Nëse nuk do të kishin ngrënë frutin e ndaluar, ata do të kishin jetuar ashtu përgjithmonë dhe nuk do të kishin fëmijë. Kurrë nuk do të kishte lindur njerëzimi apo të popullohej bota.

Siç e dimë, Adami dhe Eva iu dorëzuan tundimeve të Satanit për ta ngrënë frutin dhe nuk iu bindën Perëndisë që i pati urdhëruar të mos hanin nga pema e njohurisë të së mirës dhe së keqes. Si pasojë, ata u ndanë nga prania e Perëndisë fizikisht dhe shpirtërisht – një ngjarje të cilën ne e quajmë Rënia. Ata u bënë të vdekshëm – njësoj siç jemi ne – subjekte ndaj mëkatit, sëmundjes, të gjitha llojeve të vuajtjes dhe më në fund vdekjes. Por nuk ishte gjithçka e keqe pasi ata mund të ndienin tani gëzim të madh. “Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim." (2 Nefi 2:25) Por ndërsa ishin të bindur ndaj Ungjillit të Jezu Krishtit, Adami dhe Eva ishin në gjendje të merrnin frymëzim, zbulesë nga Perëndia dhe madje vizita nga lajmëtarë qiellorë.

Sapo u gjendën jashtë kopshtit, ata qenë në gjendje të përparojnë dhe të mësojnë të bëhen më shumë si Ati ynë Qiellor. Përveç kësaj, ata mund të kishin fëmijë, që do të thoshte se pjesa tjetër e fëmijëve shpirtërorë të Perëndisë (të gjithë ne) mund të vinim në Tokë, të përjetonim trupa fizikë dhe të provoheshim nga zgjedhjet tona të përditshme. Ashtu si për Adamin dhe Evën, ka pasoja për të gjitha zgjedhjet tona, të mira apo të këqija. Lumturia dhe përparimi që zgjatin vijnë nga zgjedhja për të bërë atë që Perëndia do që ne të bëjmë. Fjala kyç është “zgjedhja". Në përgjithësi Perëndia nuk ndërhyn dhe nuk na ndalon që të bëjmë zgjedhje të dobëta që Satani na tundon t’i bëjmë. Ai, sidoqoftë, do të na ofrojë dashurinë, udhërrëfimin hyjnor dhe paralajmërimet e Tij kur ne e hapim zemrën tonë për Të.

Sekreti i Lumturisë

Ne shpesh biem në kurthin e të menduarit se një makinë e re, ngritja në pozitë në punë, zbukurimi i pamjes ose njëfarë niveli fame na bëjnë të lumtur. Dhe shpesh ato na bëjnë – për një kohë. Por ajo kurrë nuk vazhdon sepse pasuria, fuqia, bukuria dhe fama thjesht nuk sjellin lumturi të vazhdueshme, aq sa do ta dëshironim këtë. Më saktë, lumturia e vërtetë vjen nga ndjekja e shembullit të Krishtit dhe zhvillimi i cilësive si të Perëndisë të tilla si mirësia, dashuria, drejtësia dhe mëshira.  Ajo vjen nga shërbimi ndaj të tjerëve dhe ndihma ndaj tyre që të ndjekin shembullin dhe mësimet e Jezu Krishtit. Ajo vjen nga kapërcimi i dëshirave të trupave tanë njerëzorë dhe ndjekja në vend të tyre e nxitjeve nga Shpirti. Ajo vjen nga të punuarit fort dhe të pasurit e një mënyre të shëndetshme jetese, miq, familje dhe arritje vetjake. Pavarësisht nga çfarë bëni ose nuk e keni në këtë jetë, lumturia juaj më e thellë, më afatgjatë do të vijë nga njohja e planit të Perëndisë dhe ndjekja e tij.

Kur Gjëra të Këqija Ndodhin

Ne sëmuremi. Njerëz që i duam vdesin. Ne humbasim punën ose shtëpinë. Bashkëshorti/ja nuk është besnik/e. Është e vështirë të mos pyesësh përse Perëndia lejon të vuajmë kaq shumë. Dijeni që, megjithëse Perëndia nuk kënaqet me vuajtjen tuaj, vështirësitë tuaja, pavarësisht nga shkaku i tyre, mund t’ju sjellin më afër Tij dhe madje t’ju bëjnë më të fortë nëse duroni besnikërisht (2 Nefi 2:2, Zbulesa 3:19).

Është ngushëlluese të dimë se Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, i vuajti të gjitha gjërat. Ai e kupton dhimbjen tuaj dhe mund t’ju ndihmojë gjatë sprovave tuaja. Kur keni besim te Perëndia dhe plani i Tij, ju mund të siguroheni se ka një qëllim për gjithçka që ju ndodh juve këtu në tokë. Koha jonë këtu është e shkurtër krahasuar me jetën tonë të përjetshme. Siç i tha Zoti Jozef Smithit gjatë një periudhe vuajtjeje intensive:

Përballja me fatkeqësi mund t’ju forcojë dhe t’ju bëjë më të dhembshur. Mund t’ju ndihmojë të mësoni, të rriteni dhe të doni t’u shërbeni të tjerëve. Lufta me vështirësitë është një nga mënyrat kryesore që provoheni dhe mësoheni në jetën tuaj këtu në Tokë. Ati ynë i dashur Qiellor ka aftësinë që të na shpërblejë për çfarëdo padrejtësish që mund të thirremi për të duruar në këtë jetë të vdekshme. Nëse durojmë besnikërisht, Ai do të na shpërblejë përtej aftësisë sonë për ta kuptuar në jetën që do të vijë (1 Korintasve 2:9). Mahnitshëm, me ndihmën e Perëndisë ju mund të përjetoni gëzim edhe në kohë sprove dhe t’i përballoni sfidat e jetës me një shpirt paqeje.

Plani i Perëndisë – Çfarë Bëri Jezu Krishti Për Ne

Jezu Krishti Vuajti Për Ne 02:21

Gabimet tuaja mund të jenë aq të thjeshta sa të prekin ndjenjat e mikut tuaj, ose një mëkat shumë më serioz. Të parit e dhimbjes që kemi shkaktuar dhe të ndierit e trishtimit të pendimit, turpit dhe fajit mund të jenë ndonjëherë tronditëse dhe dërrmuese. Ne pyesim veten nëse mund t’i kapërcejmë ndonjëherë gabimet tona dhe të ndiejmë paqen e të qenit të falur. Pa dyshim që mundemi, për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe procesit të pendimit. Ne mund t’ia rrëfejmë mëkatet tona Perëndisë dhe të kërkojmë faljen e Tij. Dhe Ai ka premtuar se nuk do “i kujtojë më ato" (Doktrina e Besëlidhje 58:42). Kjo funksionon sepse Ati Qiellor dërgoi birin e Tij, Jezu Krishtin, që vullnetarisht të vuajë dhe të paguajë për mëkatet dhe brengat tona duke shlyer Vetë për to. Ne nuk mund ta kuptojmë plotësisht se si Jezusi vuajti për mëkatet tona. Por ne e dimë se në Kopshtin e Gjetsemanit, pesha e mëkateve tona e bëri Atë të ndiente një agoni të tillë saqë i rrodhi gjak nga çdo por (Lluka 22:39-44) . Më pas, ndërsa e varën në kryq, Jezusi vullnetarisht vuajti një vdekje të dhimbshme nëpërmjet një prej metodave më mizore të njohura ndonjëherë (Alma 7:11).

Sidoqoftë, vuajtja e Tij mendore dhe shpirtërore shkoi përtej dhimbjeve të kryqit. Shpëtimtari na thotë neve, “Pasi vër re, unë, . . i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë . . . po aq sa unë" (Doktrina e Besëlidhje 19:16–17).

Përveçse t’i kërkojmë Perëndisë për falje, Ai gjithashtu do që ne t’u kërkojmë falje atyre që i kemi dëmtuar, të shohim nëse mund ta ndreqim dëmin dhe të premtojmë të mos i përsëritim të njëjtat gabime. Atëherë ne mund ta vazhdojmë jetën duke ndier dashurinë e Perëndisë dhe paqen e gëzimin mahnitës që vjen nga të qenit plotësisht i falur.

Për ta bërë Shlyerjen e Tij plotësisht të efektshme në jetën tuaj, ju duhet të:

  • Ushtroni besim në Të
  • Pendoheni
  • Pagëzoheni
  • Merrrni Frymën e Shenjtë
  • Zgjidhni t’i ndiqni mësimet e Tij për gjithë jetën tuaj

“Çfarë Ndodh Kur Unë Vdes?"

Përfytyrojeni dorën tuaj brenda një dorashke. Dorashka lëviz vetëm kur lëviz dora juaj. Nxirreni dorën jashtë dhe dorashka qëndron pa jetë në tryezë. Kjo është një mënyrë e lehtë për të përfytyruar çfarë ndodh kur ju vdisni. Përfytyrojeni sikur trupi tuaj të jetë dorashka e përdorur nga ai çka ju vërtet jeni – shpirti juaj. Kur ju vdisni trupi juaj lihet prapa, pa jetë si një dorashkë, por shpirti tuaj jeton përgjithmonë.

Shkrime të shenjta të panumërta dhe tregime personale nga profetë gjatë të gjitha kohëve na kanë treguar se kjo është e vërtetë.

Kur ju jeni njeriu që ka mbetur pas – ai që humbet një mik apo njeri të dashur – dhimbja për atë humbje është shumë e vërtetë. Por ka shumë ngushëllim kur dini se ju do ta shihni atë përsëri. Dhe për shkak të vdekjes së Krishtit, dikur shpirti dhe trupi ynë do të ribashkohen (ringjallen) e do të bëhen të përsosur për të mos u ndarë kurrë përsëri.

Pavdekësia – Një nga Dhuratat më të Mëdha të Perëndisë

Shumica prej nesh ndoshta do të thoshte se ne duam të jetojmë përgjithmonë. Ajo është saktësisht çka Perëndia i dha secilit prej nesh kur Ai dërgoi në tokë Birin e Tij, Jezu Krishtin, që të vdiste për ne dhe të shlyente për mëkatet tona. Kjo quhet ringjallje dhe kushdo i lindur në tokë, edhe njerëzit e ligj, do ta marrin këtë dhuratë pavdekësie (1 Korintasve 15:22).

Në ditën e tretë pas Kryqëzimit të Tij, Jezu Krishti u bë personi i parë i ringjallur. Shpirti i Tij qe ribashkuar me trupin e Tij të përlëvduar, të përsosur dhe Ai nuk mund të vdiste më. Kur miqtë e Krishtit shkuan ta vizitonin varrin e Tij, engjëjt thanë, “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, sikurse kishte thënë" (Mateu 28:6).

“A do të shkoj unë në qiell?"

Po! Perëndia do t’i gjykojë të gjithë njerëzit me drejtësi dhe do t’i shpërblejë siç duhet me një vend në mbretërinë e Tij.