Archive for the 'Soderbergh' Category

“Contagion” (KONTAMINIM) - film amerikan me regji te Steven Soderbergh

 Qe kur Soderbergh-u beri diptikun “Che Guevara” (film qe do e vendosja me gjithe qejf ne 10 filmat e mi te preferuar te dekades se pare te shek te 21), kam shku rregullisht me i pa filmat e tij. Plus qe filmi i tij i fundit “The Informant” më pat terhequr ! Shume biles !

Nga ana tjeter, duke e ditur se “CONTAGION” ishte film kryesisht ‘alla hollywoodian’, thash t’ja fusja nje tas me kokoshka (hera e pare qe beja nje gje te tille ne nje salle kinemaje !), si per te ngushelluar veten. Dhe kisha bere mire : filmi s’ka asgje te veçante, asgje per te mbetur ne memorje : thjesht filmi i rradhes se Soderbergh-ut, dhe kaq. Por qe do me kujtohet per kokoshkat qe hengra !

Por si shpjegohet qe i njejti autor te mund te beje nje film kaq te mire (per syte e mi) si “Che”, dhe pastaj t’ja kepuse kopaçeve, si puna e ketij ‘Contagion’-it ? Kam filluar te tjerr me toçin tim nje ‘teori’ timen, per ti dhene nje far’ pergjigjeje nje kontradikte te tille, teori qe pak a shume permbidhet me sa më poshte :
Ka talent apo s’ka talent nje regjizor, ben film ‘alla hollywoodian” ose jo, kryesorja eshte puna. Pra, te punoje e te derdhe djerse per filmin e tij. Eshte e vetmja garanci qe ai te beje nje film te mire. Ose per ta ilustruar ‘teorine’ time, më mire po marr nje aspekt : lojen e aktoreve dhe drejtimin e tyre nga regjizori, meqe “Contagion” eshte film tipik “me lojê aktorësh”.

Dihet zyrtarisht se, per filmin “Che”, Soderbergh-u kish mbi 7-8 vite qe punonte. Kish takuar me dhjetra e me qindra bashkeluftetare te Che Guevares ; aktoret kishin muaj e vite qe ishin njohur me permbajtjen e filmit. Pra dua te them se filmi ishte frut i nje pune te shtrire ne kohe, por dhe te thelluar ne permbajtje. Ishte derdhur djerse per tu bere. Pike. Dhe, duke qene se Soderbergh-u diçka prej te talentuari duhet edhe te kete, doemos qe “Che” do te rezultonte, minimumi, nje film i personalizuar, cilesor, i bere me ndjenje, me pasion, me pune e sinqeritet (eshte krejt tjeter gje pastaj qe mua ai film më pelqen jashte mase, nje tjetri diç me pak… e keshtu me rradhe - shpjegimin per kete, po ja leme 1001 arsyeve te tjera, por qe edhe po ta kthejme si te duam muhabetin, ne finale ka te beje me ate qe rendom quhet kinofili. Nejse…).

Vijme tani tek loja e aktoreve te “Contagion”. Te gjithe jane yje kinemaje, njeri më star se tjetri : Matt Damon, Jude Law, Kate Winslet, Gwyneth Paltrow, Laurence Fishburne etj etj. Por ç’pershtypje te krijohet nga loja e tyre ? E pra, te krijohet pershtypja se sapo jane marre ne telefon e u eshte thene se “do lozin ke filmi i ri i Soderbergut”, se sapo kane mesu se ç’a fjalie do nxjerrin nga goja; se kur e kane nxjerre nga goja ate fjali (nderkohe qe regjizori ka thene ‘action’) kane marre pozat qe “duhet te marrin” dhe o ho ho, ja ku u be filmi !
Sigurisht qe Matt Damon eshte aktor i mire (per mua, eshte më i miri, sot per sot), por ç’te beje dhe Matt Damoni, ashtu shpejt e shpejt gjate xhirimit te filmit, perveçse disa grimasa fytyres si babà i dhimbsur, sa “per tu fut ne rol” ! Pffff ! Po keshtu edhe, per shembull, Gwyneth Paltrow (edhe kete aktore e dua shume, po shume shume biles !). Per fat, ajo ka nje rol disi me te vogel, dhe per aq sa shfaqet ne film, deri diku eshte bindese ne rolin e saj (dua te them se Soderbergh-u eshte me fat qe aktore te tille te mire pranojne te luajne ne filmin e tij). Por ne teresi, aktoret te japin pershtypjen : “Ne jemi star-e, ne hyjme ne rol per 5 minuta ! Shifni sa artista jemi !”. Keshtu u ka thene Soderber’gh-u. keshtu bejne dhe ata. Si t’ja bejne ndryshe ?? Ja, per te permbushur galerine e karaktereve te filmit te tij, regjizori ka sajuar edhe nje rol te nje vajze franceze. Dhe sigurisht qe ka zgjedh Marion Cotillard ! Ke te zgjidhte tjeter ??! Ka më star internacional se Cotillard ??! (aktorja qe kam më inat ne bote, sot per sot). Pfff………..

Dy fjale per historine e filmit : “contagion” trajton temen e epidemise se nje gripi te tmerrshem. Ka disa momente interesante, por pak, shume pak. ku ka pas kohe Soderbergh-u me u thellu ne skenarin e tij ? (ose tek mizaskena). E ka pas mendjen tek Marion Cotillard-i !!! Me të njejten temë, preferoj shume here me teper ‘I’m a legend’ ose “Ditet e fundit te Botes”.

Shkurt : e kalon klasen “Contagion”- i ?
E kalon mor e kalon, por me veshtiresi…

5.0

trailer i filmit :

//

Posted on 21st November 2011
Under: USA, Soderbergh, Indipendent, Venezia | 2 Comments »

“The informant !” (”Formatori!”) – film amerikan me regji te Steven Soderbergh

Hajde pjellori kinematografike haje : 3 filma ne nje vit, Soderbergh-u !

Pas kryevepres “CHE“, dhe nje filmi qe nuk e “nxirrte koken” dhe më pat lënë skeptik (”GIRLFRIEND EXPERIENCE“), “The informant!” (INFORMATORI) eshte filmi i trete i Soderbergh-ut qe shikoj ne kinema, ne nje hapsire kohore 6 mujore ! Dhe prap nuk e di se ku do te dale ky regjizor bizarre, qe eshte kthyer keto vitet e fundit ne titullarin zyrtar te “kineastit indipendent” te studios amerikane “MIRAMAX”.

Nganjehere thua se Soderbergh-u flet se nuk ka ç’te thote, keshtu qe shpik nje “sistem” fiksional qe kenaq te gjitha palët: filmi ne fjale, ne fakt, eshte autoportreti ironik i nje kineasti indipendipendent te MIRAMAX-it. Do me thene ?? Mjafton te shohesh filmin dhe e kupton !

Konkretisht : Mark Whitacre (rol i luajtur nga Matt Damon) punon per nje ndermarrje te madhe; misioni i tij eshte te jete informator, dmth te sajoje historira pseudo-spiunazhi per perdorim te brendshem.
Vjen nje dite dhe FBI-ja intervenon. Mark hyn ne kontakt me dy agjentete, gjithe duke menduar se eshte i punesuar nga FBI-ja dhe ben per kete te fundit te njejten gje qe bente dhe per ndermarrjen e tij: sajon historira me spiunazh industrial : improvizon, shpik, furnizon informacione gjysem te verteta gjysem fiksionale (te genjeshterta), realizon video me kamera te fshehte te mbledhjeve qe ben, etj etj.
Dy agjentet ja tregojne materialin bosit te tyre. Por videot e realizuara nga Mark nuk e kenaqin bosin. Dhe shefi u thote vartesve te tij : duhet diçka me e forte ! : duhet qe fjala « agreement » te prenoncohet gjate videos ! Dhe pikerisht, ky eshte dhe momenti kur kuptojme qe, ne fakt, e gjithe kjo histori spiunazhi, nuk eshte veçse nje alibi per te bërë portretin e nje universi, atij te produksionit indipendent (MIRAMAX !) dhe figurave te tij, prej te cilave, figura më e butë dhe me qesharake ne te njejten kohe eshte ajo e Matt Damon/Mark Whitacre. Dhe eshte e rendesishme qe Matt Damon luan kete rol, kete character, sepse behet fjale per nje proto-tip. Dhe ai eshte vertet proto-tipi : aktor, skenarist, producent ! Dhe po ashtu, e ka filluar me aventura rakamboleske dhe me andralla te shkruajturit e skenarëve per filma (kujtoni “Will Hunting” bashke-skenarist me Ben Affleck). Pra keshtu e kane keto punet e kinemase : andralla, sajesa, diskutime, … ! Ne vend qe te spiunoje, informatori… flet tere kohen !!

Te besh nje auto-parodi, a eshte diçka e re ? Vellezerit Ceon dhe Tarantino e kane bere shume e shume vite me pare. Tani u kujtua Soderbergh-u ??

Posted on 19th November 2009
Under: Thriller, Soderbergh | No Comments »

“THE GIRLFRIEND EXPERIENCE” -film amerikan nga Steven Soderberg

Kur para dy vjetesh pata pare “BUBBLE“, nje film intimist te Soderberg-ut (i shquar si regjizor i “Ocean 11,12, 13,14,… 21 ), pata shkruajtur:

Por me gjithe deshirën e mire te Soderbergh-ut per te na provuar se ai di të bejë filma jo-komercialë, pra artistikë, kam pershtypjen se ai vazhdon t’i konceptojë keto lloj filmash me të njejtat truke kinematografike të një mistreci (”crafty one” ne anglisht, ose “petit malin” ne frengjisht)”.

Per fatin e tij te mire, dhe tonin sigurisht, Soderbergh nxori para disa muajsh nje film te mrekullueshem intimist mbi jeten e “Che Guevares” qe ne nje fare menyre e hedh poshte hipotezen time te mesiperme. “Che” eshte nje film totalisht i hapur, i sinqerte, aspak manipulues. E perseris: aq me mire per ne shikuesit, aq me mire dhe per regjizorin.

Pas “Che“-së, dje pashe nje tjeter film nga Soderbergh, “THE GIRLFRIEND EXPERIENCE“, qe i ka po ashtu te njejtat atribute. Te pakten, ashtu pretendon te jete : film i nje buxheti minimal, me pak aktorë, dhe ku asnjeri nuk eshte “star”. Pra film intimist par excellence.

Filmi kallzon historine e nje vajze te re, qe shkon me nje djale te ri. Dhe, me dijeninë e plote te tij, ajo prostituoet. Por behet fjale per nje prostitute lluksi, qe seleksionon klientet e saj permes internetit.

Problemi, per mendimin tim, nuk qendron se Soderbergh-u nuk di te filmoje, apo “nuk di te beje film“, apo se eshte film “teorik” (pra ka vetem ca ide te “vena ne jete” dhe kaq). Jo, nga kjo ane filmi eshte plotesisht i justifikueshem. Problemi eshte tek konsistenca, permbajtja e filmit, tek graviteti i tij. Te kuptohemi : jo se filmi duhet te ishte “i rende”, “serioz”. Kurrsesi ! Por i mungon ngjeshja, mbrujtja, edhe pse, çuditerisht, filmi nuk eshte aspak rrenacak, mistrec, “elegant ne shfaqje dhe bosh nga brenda“. Aspak ! Dhe prap se prap, i mungon brumi.

Ne fakt, ky film me ben te mendoj se sa te veshtire e kane ata regjizorë (qe respektojne se pari zanatin e tyre) e qe angazhohen në lëmin e filmave indipendente (ose autorialë). Ose dhe më sakt, se sa i veshtirê eshte rrugetimi artistik per nje regjizor qe do te punoje pa hilé, duke pranuar shpesh edhe deshtimet, po aq sa sukseset.

Posted on 2nd August 2009
Under: USA, Soderbergh | 6 Comments »

Che Guevara- PJESA E DYTE (Gueriljet) - film amerikan nga Steven Soderbergh

Domethënë, nje minister ekonomie (Che Guevara, Minister i Ekonomise se Republikes se Kubes, ne vitet 59-67, pas trimufit te Revolucionit kubanez), vendos te largohet gati fshehurazi nga vendi i tij dhe te futet klandestinçe ne Bolivi, per te eksportuar revolucionin anembane Amerikes Latine. Dhe del huq. E ça huqi se, keq fare!

Pjesa e dyte e Che, me pelqeu po aq sa e para. Gjynah qe filmi eshte i ndare ne dy pjese; do ish mire te shikohej si nje i tërë, ashtu sikunder dhe ishte konceptuar ne fillim : nje film i vetem 5 orësh.
Vrasja e Che (fundi) eshte nje nga me te bukurit qe me kane pare syte ne nje film!

Soderbergh, e ke qare! (dhe une bashke me te…)

Posted on 22nd March 2009
Under: USA, Soderbergh | No Comments »

Che Guevara - pjesa e I - film amerikan nga Steven Soderbergh

Ajo qe me beri pershtypje ne kete film eshte se, 2/3 e filmit me pelqyen shume, ndersa 1/3 e fundit, me là komplet te ftohte. Po shpjegohem.

Se pari, kjo foto:

Pikerisht, siç e tregon dhe fotoja, pergjate gati 90 minutave te para te filmit (po i quaj 2/3 e filmit), Che Guevara shfaqet duke pergatitur revolten ne Kubë (vitet 1957-58). Regjizori nuk shfaq pothuaj asnje pike-veshtrimi te tijen, por vetem dokumenton, dokumenton dhe dokumenton: shohim Che Guevarën (argjentinas, mjek per nga profesioni) qe sheron te plagosurit, qe merret me arsimimin e analfabeteve, me rekrutimin e ushtareve te rinj. Shohim Che qe behet derr, merzitet, tamam si ne foton e më-lartme (normal: edhe revolucionarët kane te drejte te merziten e te behen derr, apo jo?! Njerez jane). Kjo per mua eshte dhe pjesa me e mrekullueshme e filmit. Me pelqeu sa s’ka më!
Skenat jane te nderthurura me imazhe te Che, ne bardh e zi, 6-7 vite me vone, gjate nje vizite te tij ne New York, ne 1964. E shohim Che tek jep nje interviste per nje gazetare amerikane, tek flet ne OKB. Eshte e vetmja menyre per te mesuar mbi opinionet e tij politike. Biles ne nje moment, ne tribunen e OKB-se, thote: “Më ne fund, nje vend amerikan (e ka fjalen per Kubën!), eshte kthyer ne nje vend te lire dhe te pavarur“, gje qe me beri te rikujtoj ate qe Godard e ka thene shpesh me humor: “Amerikanët kane vjedhur emrin e nje kontinenti te tere per t’ja vene vendit te tyre - Shtetet e Bashkuara te Amerikes).

Pastaj vjen pjesa e fundit (1/3 e filmit, te themi), marrja e qytetit Santa-Clara nga revolucionaret e Che, bastioni i parafundit i qeverise se asokohe kubane te diktatorit Batista. Kjo eshte pjesa qe pothuaj nuk me pelqeu, me là te ftohte pasi dhe ngjan me nje rikonstruksion historik pa ndonje interes. Te presim pjesen e dyte, ne shkurt…

Si perfundim, me ka mbetur ne memorje shija shume emire qe me là pjesa me e madhe e filmit. Nuk i shqita syte nga ekrani. Biles mu duk se pashe ne syte e Che Guevarës atë qe thote Salvador Aliende, ish-presidenti kilian, ne nje dokumentar te rralle te Chris Marker te titulluar “Le fond de l’air est rouge” (Ajri eshte i kuq), e citoj: “Ne jeten time, kam mundur te shikoj melankolinë e te Majtes ne pushtet vetem ne dy palë sy: ne ato te Che Guevares dhe ne ato te Çu Enlait “.

Posted on 22nd March 2009
Under: USA, Soderbergh | No Comments »

“BUBBLE” - film amerikan i Steven Soderbergh-ut

Gjeja e pare qe me erdhi ndërmend kur dola nga kinemja, pas shikimit te filmit, ishte : “Mos ma hodhi gjë vallë ??“.

Nuk e kam fjalen per filmin, sesa per regjizorin e tij, per Soderbergh-un : Ky i fundit, pasi mbushi xhepat me blockbuster si “Ocean’s 11 dhe 12“ por nganjehere edhe cilesore si ”Erin Brockovich“, ka vendosur ti tregojë miletit se di të bëje edhe filma teresisht indipendentë, siç quhen ne Amerikë (ose “film autor” - siç quhen ne Europe), pra shkurt, di të bëjë edhe filma jo-kemercialë. Dhe duke e ditur se filma te tille jane shume te pelqyer ne Europe, na e ka sjellë filmin e tij te fundit “BUBBLE” nga kjo ana e këtejme e Atlantikut, dmth, neper kinemate e Evropit.

Dhe, meqe ka vendos te beje nje film jo-komercial, Soderbergh-u ofron nje film me temë sociale, te realizuar jo keq, e qe te kujton filmat e vëllezërve Dardenne (Palmë e Arte ne 2005-en ne Kanë me filmin e tyre “L’enfant” [Fëmija] ). Por me gjithe deshirën e mire te Soderbergh-ut per te na provuar se ai di të bejë filma jo-komercialë, pra artistikë, kam pershtypjen se ai vazhdon ti konceptojë keto lloj filmash me të njejtat truke kinematografike të një mistreci (”crafty one” ne anglisht, ose “petit malin” ne frengjisht). Shembull: Plani final shpjegues i filmit (gruaja ne qeline e burgut) eshte patetik dhe qesharak !

Pra, pyes vehten: a beson vertet Soderbergh-u ne kete lloj kinematografie jo-komerciale, pra realisht artistike, apo thjesht e bën per te na treguar se di te beje dhe filma te tillë, duke luajtur kështu me ne atë lojën “kush bën poza më te bukura” ?? (Kosovarët do te perdornin në kete rast nje shprehje te mrekullueshme te tyren qe thote: “A mos e ban për me u dukë interesant a ?

Pikerisht per te gjitha këto, filmi vlen te shihet.

shenim 1: te gjithe aktorët e filmit jane amatorë dhe nuk kane luajtuar asnjehere më pare, as ne teater, as ne film

shenim 2 “Bubble” eshte filmi i pare ne Historine e kinemase amerikane qe te kete dalë nderkohe si në kinema ashtu edhe ne DVD, pra ne te njejten dite.

shenim 3: Nimfo, te kujtohet nje pyetje qe me ke bëre dikur ketu ne forum se ç’quaja une me moral artistik ? M’u kujtua sot …. Por ende nuk jam i sigurt ne ç’ujra lundron ky Soderbergh-u…

Posted on 10th March 2009
Under: USA, Soderbergh | No Comments »

Login     Film Journal Home     Support Forums           Journal Rating: 4/5 (2)