Newsletter
Email:
Poll: Pushimet
Si ndiheni në lidhje me kohën e pushimeve në Atdhe?
Home | ESSAY | JETA PLOT TALLAZE E GJERGJ TITANIT

JETA PLOT TALLAZE E GJERGJ TITANIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image SHPENDI TOPOLLAJ

 

 

In memoriam

  

Gjergj Titani është lindur në 23 prill të vitit 1937.

   Ne që e kemi  njohur dhe i kemi qëndruar pranë qysh herët atij, kemi konstatuar me kënaqësi, se ai gjithë jetën mbeti një djalosh i përhershëm dhe një entuziast i pandryshuar, në kraharorin e të cilit, nuk rrihte një zemër praj mishi, por prej zjarri të pashuar, aq sa sot, gjykoj se kam pasur shumë të drejtë, kur afro pesëmbëdhjetë vjet më parë, teksa paraqisja krijimtarinë e tij poetike, thoshja se “Plotësisht i denjë për emrin dhe mbiemrin që mban, te Gjergj Titani, pasqyrë e shpirtit të paepur titanik, është portreti fizik. Me një fytyrë që shpreh vendosmëri e vullnet dhe me një trup të lidhur mirë, të duket se e ke ndeshur në ato reliefet e mermerit, të nxjerra nga dheu, që të zbuluara në vendin e Pergamit, në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, paraqesin gjigandomahinë, pra mitin mbi luftën e perëndive me gjigandët”.

   Madje do të thoshja se energjitë e këtij njeriu dhe intelektuali të rrallë, sa vinin e shtoheshin. Ai, as që e shkonte ndër mend ta shtynte kohën kafeneve apo të tirrte me pensionistët biseda pa fund përmallimi për të shkuarën. Jo se nuk kish se ç`të kujtojnte Gjergji apo të krenohej me jetën dhe veprën që la pas. Por ai, duke përsëritur jo pa qëllim fjalët e Viktor Hygoit se “Ai që jeton me kujtime, tërhiqet zvarrë dhe vdes çdo ditë”, kërkonte të mbetej deri në fund i dobishëm për popullin dhe atdheun e tij.

   Romakët e vjetër kishin një shprehje: “Dos est magna parentur virtus” që do të thotë: “Lum kush ka prindër të mirë”. Të mrekullueshëm i pati prindërit e tij, Petraqin e Vitorinë edhe Gjergji që lindi nga dashuria e tyre në qytetin e Korçës, ose Parisin e vogël siç e quanin atëherë, sidomos për idetë përparimtare që mbartnin njerëzit e tij. Kur burrë e grua, vunë lirinë e Shqipërisë mbi gjithçka dhe dolën malit partizanë, morën me vete dhe Gjergjin ende fëmijë i pa rritur, duke shënuar kështu metaforën më të bukur të asaj lufte të lavdishme, por dhe duke kujtuar si paralajmërim ogurmirë fjalët e Edmond de Amiçis se “Ai që nderon Atdheun kur është i vogël, do t`i dalë zot kur të rritet”. Me këtë dëshirë, pasi kryen arsimin fillor në vendlindje, Gjergji, në vitin 1950, nis studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej”, shkollë që në një farë kuptimi, kishte kohë që e priste atë, pasi ishte vazhduese dhe trashëguese e drejtpërdrejtë e luftës nacional – çlirimtare. Tani Gjergji, i burrëruar dhe i mençuruar para kohe, gjen shokë moshatarë, me qëllime e vizione të qarta për perspektivat që u dilnin përpara. Në këtë mjedis, Gjergji skënderbegas, farkëton karakterin, sipas parimeve diogjenike se pasuria që duhet të mbajë me vete njeriu, është drejtësia, edukata, vullneti dhe guximi. Por mbi të gjitha, ai këtu bëri miq që nuk iu ndanë tërë jetën. Ai, në bangat e kësaj shkolle rrënjosi njëherë e mirë mendimin filozofik se miqësia është më tepër se sa shfaqja e virtytit, ajo është vetë virtyti. Me këto vlera njerëzore, Gjergji duke shpalosur gjithshka të mirë mori në këto vite, si në ditë të lumtura, ashtu dhe kur fati i ktheu krahët, u shndërrua në simbol, në një figurë emblematike, për të gjithë vëllazërinë e atyre që studiuan në të papërsëritshmen shkollë “Skënderbej”. Në vitin 1952 Gjergji hyri në shkollën e Bashkuar dhe pasi u titullua oficer në vitin 1954, dërgohet për të ndjekur më tej studimet e larta në shkollën e Artilerisë Bregdetare “Flamuri i Kuq” në Riga të Letonisë në ish Bashkimin Sovjetik, studime të cilat i përfundon në vitin 1959 në shkollën e Flotës Detare “Kirov”, buzë detit Kaspik.

   Të gjithë skënderbegasit që studiuan në Bashkimin Sovjetik të asaj kohe, kanë lënë përshtypjet më të mira dhe kanë fituar zemrat e popullit të atij vendi të paanë. Por interesat e gjera kulturore, artistike, letrare dhe deri sportive të Gjergj Titanit, kanë mbetur proverbiale. Nuk ka muzeum, teatër, opera, kinema, stadium, bibliotekë a vend historik që të mos ketë frekuentuar ai, gjë që nuk kishte sesi të mos ndikonte fuqishëm në krijimin e një personaliteti të jashtëzakonshëm dhe imponues. Me këtë bagazh intelektual në mendje dhe me Enciklopedinë e madhe ruse ndër duar, ai kthehet në atdhe dhe emërohet në një bateri bregdetare të largët, në Kepin e Rodonit. Cilësitë e këtij oficeri të ri, ranë shpejt në sy, aq sa arriti të fitonte dashurinë e heroit homerik Petrit Dume, ndaj nisi rruga e tij e ngjitjes, rrugë e cila pati si stacione kryesore Sazanin, Tiranën, Durrësin, Fush – Krujën, Fierin, Vlorën, duke kryer detyra të rëndësishme, deri në Shtatmadhori dhe shef i Shtabit të Korpusit.

   Në vitin 1969 ai kreu dhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, me rezultate të shkëlqyera dhe emri i tij u bë i njohur kudo.

   Duke dëshmuar vetëm për kohën që ai ka shërbyer në Brigadën e katërt të Mbrojtjes Bregdetare në Durrës, të drejtuar me aq talent nga komandanti i saj Xhemal Zeneli, mund të them se edhe sot e kësaj dite, kujtohen me nderim, aftësitë profesionale, kultura e lartë, përkushtimi në detyrë, nisiativa e zgjuar dhe dashuria për shokët dhe vartësit e shefit të shtabit Gjergj Titani. Me energji përherë në shpërthim, dhe me një shpirt të madh krijues, ai ishte epiqendra e çdo stërvitjeje, i punës për kualifikimin e shtabeve, i nxitjes së vetveprimit të reparteve, i ndërtimit të poligoneve a kabineteve të sofistikuara etj.

   Gjergji kishte arritur të krijonte marrëdhënie tepër të ngrohta me shokët e terrenit. Ai, përherë ka qenë i pavarur në mendime, por tërësisht i varur nga dashuria për njerëzit, shkollën “Skënderbej”, ushtrinë dhe Shqipërinë. Kudo që ai shkonte, gjë që e ruajti të pacënuar, Gjergji sillte gëzim dhe optimizëm.

   Por, sido që ai tërë jetën ndoqi porosinë që Febi i dha Fetonit teksa e la të drejtonte për një ditë karron e Diellit, “Medio tutissimus i bis”, pra “Duke ecur në mes, do të shkosh shumë i sigurtë”, përsëri ai nuk i shpëtoi kamzhikut të Zeusit dhe më 1 shtator të vitit 1973, përjashtohet nga partia dhe nga ushtria, për turpin e atyre që e inskenuan një goditje të tillë. Ai e dinte se Gustav Floberi kishte parathënë se “Stuhitë politike janë me të vërtetë më shkatrrimtare sesa shtrëngatat e natyrës”, por kurrë nuk e kishte besuar se hakmarrja do të shkonte deri aty sa më 17 gusht të vitit 1977 të arrestohet dhe të dënohet  e ridënohet me tetëmbëdhjetë vjet burg politik.

   Në kundërshtim me Dostojevskin e tij të adhuruar, ai vetë nuk dëshironte t`i numëronte hidhërimet e tij. Si një shekspirian i vërtetë, ai u tregua madhështor, duke vuajtur urtësisht. Por shpirti i tij i lënduar, e shpreh revoltën e brëndëshme me vargje tronditëse:

                             Ku bën ligjin marrëzia

                             Ku përleshet zemërimi

                             Ja qelia!

                             Ku veçuar rri si murgu

                             Ku veç bindjet ke melhem

                             Ky është burgu!

   Gjergji, gjente ndonjëherë pak qetësi, mes gjeneralëve dhe heronjve të luftës që paradoksalisht dhe tragjikisht, patën fatin e tij dhe ndodhte t`i vdisnin ndër duar. Po kush i shëronte plagët e zemrës, kur shihte sa heq e gjora nëna e tij që e ndjek pas, majë kamionëve, me trastat me ushqime.

   Triumfi i demokracisë, ashtu si për shumë të tjerë, solli më 30 prill të vitit 1990 edhe për Gjergjin, lirinë e ëndërruar të cilën ai e kishte portretizuar:

                                        Ndjenjë njerëzore, dëshirë

                                        Zjarr që ndizet nga lashtësia

                                        Shqipe që fluturon në hapësirë

                                                                               Liria!

   Sa flaku prangat, Gjergji me energji të shumfishuara, që buronin nga përcaktimi i Volterit se “Forca më e madhe është te një zemër e pafajshme”, aktivizohet vrullshëm në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut. Po ashtu, bëhet një nga themeluesit e parë të shoqatës së të përndjekurve politikë, ku i besohet detyra e sekretarit të përgjithshëm të saj. Bashkëpunon me shoqatën e OBVL që drejtohej nga miku i tij, heroi i Popullit Rrahman Parllaku. Ai ishte zgjedhur nënkryetar i Forumit Mbarëkombëtar të Intelektualëve të Shqipërisë në Stamboll, drejtor administrativ i Fondacionit “Dhora Leka”, sekretar i shoqatës “Miqtë e Pushkinit”, kryetar i shoqatës “Miqtë e Zhukovit” dhe ishte anëtar i kryesisë së shoqatës kombëtare “Skënderbegasi”.

   Nuk kishte veprimtari brenda vendit, ku të mos dëgjohej zëri burrëror dhe i vendosur i Gjergj Titanit, ashtu sikurse ky zë është dëgjuar me respekt të veçantë në Rusi, Hollandë, Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Jordani, Hungari, Turqi, SH B A, Marok, Suedi, Belgjikë, Maqedoni etj.

   Është autor i shumë artikujve, raferateve dhe kumtesave. Ka shkruar e botuar librin e parë me poezi “Metaforat e dhembjeve” (përkthyer në Rumani, Çeki, Hollandë, Poloni etj). Ka vijuar me “Balada e shpresave” (poezi) dhe librin historiko – publiçistik me bashkautor “Personalitete ushtarake shqiptare në vite”, librin “Lufta Italo – Greke” dhe “Krijuesi i organeve të rendit shqiptar”.

  I palodhur Gjergji është treguar në fushën e vështirë të përkthimeve, duke përkthyer me një gjuhë korrekte e të pastër “Historia e marrëdhënieve shqiptaro – sovjetike”, “Kujtime dhe meditime” të Zhukovit në dy volume, “Jeta ime” e Leon Trockit, Mareshallin Vasiljevskij, “Partizani shqiptar, gjeneral i ushtrisë sovjetike”. Kishte në proçes dhe libra të tjerë.

   Për gjithë veprimtarinë e tij, Gjergj Titani është dekoruar me urdhra e medalje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. I janë akorduar tri të tilla nga presidentët e Rusisë Boris Jelcin dhe Vladimir Putin dhe është lauruar nga komanda e Korpusit të Tretë të Selanikut, Akademia e Mbrojtjes bullgare “Georgi Rakovski” dhe Universiteti “Vasil Levskij”.

   Në vitin 1996 ai fiton gradën “Doktor i shkencave”, kurse më pas atë të “Profesorit të Asociuar Doktor”.

   Universiteti i Kembrixhit e ka shpallur atë një nga intelektualët e shquar të shekullit të njëzetë, duke e përfshirë në librin e tij të nderit.

   Por nderi më i madh që i bëhet atij, është dashuria e sinqertë që ne shokët e tij të shumtë, ruajmë për të.

   Duke e pasur urrejtjen, një barrë të rëndë për ta mbajtur, duke rrezatuar gjithmonë mirësi, Gjergji, me të përpjetat dhe të tatëpjetat e jetës së tij, mbajti në miniaturë, tërë historinë e Shqipërisë qysh nga fillimi i luftës së dytë botërore, ndaj dhe e meriton adhurimin tonë. Gjithçka tek ai, edhe vitet e gjata dhe të errëta të burgut të rëndë, dëshmojnë se ç`u bë mirë dhe ç`u bë keq në këtë vend.

   Por mbi të gjitha, ai mbeti një ushtar i përhershëm dhe besnik i Atdheut të vet.

  Njëzet e tre shekuj më parë, një tjetër ushtar që gjithashtu quhej Gjergj, duke u martirizuar për njerëzimin, u shpall shenjtor. Dita e 23 prillit i kushtohet atij, si dita kur i vjen fundi dimrit dhe nis pranvera. Kjo pranverë ka qenë aspirata e kahershme dhe e palëkundur dhe e Gjergj Titanit, i cili që nga qelia shkruante:

                                  O dhembje njerëzore, ti lot i shpirtit tim,

                                  Dergjë brengëmadhe, që më shtie në mendim,

                                  Sikur plagët e tua të mund t`i shëroja

                                  Gjë tjetër s`do doja.

 

   Ne do dëshironim që ai të rronte sa më gjatë dhe të mos e harronte për asnjë çast porosinë e Plinit Plak “Nulla die sine linea”që do të thotë “Asnjë ditë pa një rresht”, por vdekja na e rrëmbeu para kohe këtë shok të mrekullueshëm që jetoi me dinjitet mbi tallazet e shumta nga kaloi jeta e tij.

Comments (2 posted):

Illo on 27/03/2016 23:08:49
avatar
Ky eshte nje jetshkrim qe haset rralle . Autori I shkrimit na ka paraqitur nje burre te rralle te Shqiperise . Jetshkrimi I tij me trondit mua. Kuptohet lehte se do te jete vlera edukative ne brezat e rinj .Diktatura nuk I duronte burrat e shquar. Gjeneralet e shquar I mund vetem vdekja . I. Foto
Vangjush Ziko on 29/03/2016 01:10:17
avatar
Gjergji Titanin, kete njeri te rralle per nga karakteri dhe temperamenti i tij vertet titanik,pasionant dhe erudit,me shije te vecanta artistike dhe me talent te vertete krijues,i perkushtuar jo vetem ndaj artit ushtarak, por edhe ndaj muzes poetike, njeri me energjite pashterura dhe me dashuri te pakufishme per njerezit, per shoket dhe per miqte, i gatshem per te marre inisiativa te guximshme, njeri qe nuk i kurrseu kurre energjite e tij te pashtershme ne sherbim te shoqerise, te kultures, vecanerisht, te asaj ruse, njeri i drejte, i guximshem dhe, jo vetem i palodhur, por i paperkulshem, vetem vdekja, as burgu dhe asgje tjeter,nuk platiti vrullin e tij titanik, deshiren e tij per liri dhe dinjitet; por edhe vdekja nuk mund ta tjetersoje dot kujtimin dhe shembelltyren e tij fisnike dhe heroike; po, ai mbetet nje hero i vertete qe tere jeten luftoi dhe fitoi te gjitha betejat e tij me shtypjen dhe padrejtesite njerezore, ai la nje emer te pervecem ne kujtesen e njerezve qe e njohen nga afer dhe bashkepunuan me te. Edhe per mua ai mbetet nje mik i rralle me te cilin kam bashkepunuar per veprimtari kulturore, vecanerisht gjate perkujtimit jubilar te gjeniut te poezise ruse,Aleksander Pushkinit; ishte vete ai qe e mori kete nisiative dhe, gati i vetem,arriti te botoje nje botim voluminoz disa faqesh mbi veprat dhe personalitetin e ketij gjeniu.Gjergjin e kam patur inkurajues dhe mbeshtetes ne sendertimin e Antologjise se lirikes ruse katervolumshme ne gjuhen shqipe.Ai ishte mik i vertete i cdo krijuesi, sepse edhe ai vete ishte nje krijues i veprave ne poezi dhe i perkthimit.
Zoti Shpend Topallaj ka bere nje parashtrim erudit dhe poliedrik, sa te sinqerte dhe aq emocional, te ketij personaliteti te rralle me emrin dhe mbiemrin metaforik, GJERGJ TITANI.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1