Presidenti Nishani dhe Presidentja e Kosovës, Jahjaga zhvillojnë takimin e parë zyrtar mes tyre në Prishtinë

30 gusht 2012, Prishtinë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani, në krye të delegacionit shtetëror shqiptar, nisën sot zyrtarisht në Kosovë vizitën e parë shtetërore, me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gjatë ceremonisë zyrtare të pritjes u ekzekutuan himnet kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në vijim Kryetari i Shtetit Shqiptar dhe Presidentja e Republikës së Kosovës kaluan në revistë truprojen e nderit dhe prezantuan dy delegacionet respektive.

Në takimin kokë më kokë, që pasoi ceremoninë, dy homologët, Nishani dhe Jahjaga, zhvilluan një bisedë të ngrohtë e miqësore, të përqendruar kryesisht në zhvillimin e marrëdhënieve tepër të veçanta mes Shqipërisë dhe Kosovës, që i korrespondojnë dëshirës së palëkundur të dy vendeve për t’u integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Gjatë bashkëbisedimit, Presidenti Nishani mori në mënyrë të drejtpërdrejtë urimet më të mira e të sinqerta nga Presidentja Jahjaga për detyrën e nderuar në krye të shtetit shqiptar, si dhe shprehjen e besimit për bashkëpunimin e vazhdueshëm e të frytshëm midis dy institucioneve respektive në shërbim të interesave dhe aspiratave më madhore të popullit shqiptar e atij kosovar. Kryetari i Shtetit përshëndeti procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë për Kosovën duke nënvizuar se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm i njohur nga 91 vende.

Presidenti i Republikës theksoi se çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve të saj është një çështje e mbyllur duke nënvizuar se Shqipëria mbështet tërësinë territoriale të Kosovës në kufijtë e saj aktualë ndërkombëtarë.

Në vijim, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga drejtuan bisedimet mes dy delegacioneve respektive zyrtare.

Nga ana e saj, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i uroi Presidentit të Republikës, Bujar Nishani edhe një herë mirëseardhjen në Kosovë, bashkë me delegacionin që e shoqëron, duke vlerësuar se vizita të nivelit kaq të lartë janë një kontribut i qenësishëm dhe i pazëvendësueshëm në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve institucionale mes dy vendeve tona.Kryetarja e Shtetit të Kosovës theksoi se rrugëtimi i Kosovës dhe Shqipërisë është i qartë dhe drejt integrimit në Bashkimin Europian, si një prioritet që i shërben ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.

Në këtë kontekst, Presidentja e Kosovës shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në strukturat ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës u ndal tek përmbyllja me sukses e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë si një moment shumë të rëndësishëm për shtetin e Kosovës, për arritjen e të cilës, institucionet shtetërore të Kosovës kanë patur mbështetjen e madhe të Shteteve të Bashkuara. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi kontributin personal të Presidentes Jahjaga në afirmimin e një imazhi pozitiv të Kosovës në qendrat e diplomacisë botërore, në trajtimin me maturi të sfidave të brendshme që kalon Kosova, në krijimin e një Këshilli Kombëtar aktiv kundër korrupsionit.

Kryetari i Shtetit shprehu gatishmërinë e Tij dhe të institucioneve shqiptare për të ndihmuar Republikën e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Në përfundim të këtij takimi, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga:

I nderuar President Nishani!
Të nderuar përfaqësues të mediave!

Presidentit të Shqipërisë i dëshiroj mirëseardhje dhe si vizitë të frytshme shtetërore në Republikën e Kosovës! E çmoj lart dëshirën e Presidentit Nishani që vizitën e parë ta bëjë pikërisht në vendin tonë, sepse kjo e ka porosinë dhe simbolikën e vet  në këtë 100-vjetor të festimit të Pavarësisë së Shqipërisë, të cilin të parët tanë dhanë kontribut të jashtëzakonshëm. Patëm një bisedë të frytshme me qëllim të bashkëpunimit të mëtejshëm dhe të gjithanshëm ndërmjet dy vendeve tona me qëllim të paërparimit dhe zhvillimit të investimeve dhe të daljes së përbashkët në tregjet e treta. U pajtuam që kufiri mes dy vendeve tona të jetë një kufi evropian, që bashkon njerëzit duke mundësuar një komunikim të lirshëm dhe duke pasur programe konkrete të shfrytëzimit të resurseve.

Këtë vit përfundon rruga e kombit, “Dr. Ibrahim Rugova”, me gjithë segmentin e saj Prishtinë-Durrës. Kjo do të kontribuojë jashtëzakonisht shumë në këmbimin tregtar dhe në qarkullimin e mallrave dhe dalja e Republikës së Kosovës në portet e Shqipërisë është e një rëndësie të jashtëzakonshme për përfaqësimin e prodhimeve tona, por edhe për lidhjet ekonomike me të gjitha vendet e tjera të botës. E falenderova Presidentin Nishani për ndihmën e vazhdueshme që Shqipëria po i jep Kosovës në të gjitha fushat.

Plotësisht u pajtuam që përkrahja e shtetit shqiptar do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sidomos me lobimin e mëtejshëm të njohjes së pavarësisë së Kosovës, në anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat rajonale dhe globale, si dhe me përfaqësimin e Kosovës në vendet e treta dhe në rrugën tonë të integrimeve euroatlantike, që Shqipëria ka pasur suksese jashtëzakonisht të mëdha dhe ne kemi shumë çka të mësojmë nga i gjithë ky proces.

Ne Presidentët, duke paraqitur unitetin e popullit, prezantojmë parimet themelore dhe betimet kryesore politikës. Qeveritë e dy vendeve tona i plotësojnë me marrëveshje konkrete të bashkëpunimit, ekonomik, kulturor, arsimor, shkencor, në fushën e shëndetësisë dhe në të gjitha fushat e tjera të bashkëpunimit dhe të interesit të përbashkët të të dyja vendeve tona. Dhe ne jemi e do të jemi një shembull i mirë i bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimit bilateral. Kjo është  në interes të të gjithë qytetarëve të vendeve tona. Kjo është në interes të përparimit dhe të zhvillimit dhe kjo është në interes të paqes dhe të stabilitetit në rajon.

Duke i dëshiruar edhe një herë mirëseardhje Presidentit Nishani, President keni fjalën.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani:

Falemnderit Zonja Presidente,

Dëshiroj gjithashtu të shpreh të gjithë kënaqësinë dhe nderin e veçantë që kam në vizitën time të parë si President i Shqipërisë, të cilën po e kryej në Kosovë! Gjej rastin të falenderoj Presidenten Jahjaga për ftesën që më dërgoi dhe pritjen e mrekullueshme që na ka ofruar të gjithë delegacionit!

Në këtë vizitë pata mundësinë të përcjell përparimet e mëdha të Kosovës dhe qytetarëve të saj, të cilët i kanë arritur gjatë këtyre viteve të pavarësisë, të lirisë së tyre. Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe sovrane është sot jo vetëm një realitet i pakthyeshëm, por edhe një aktor i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Me Presidenten Jahjaga patëm një bisedë shumë miqësore dhe të rëndësishme mbi arritjet e të dyja vendeve tona dhe bashkëpunimin e ngushtë politik, ekonomik dhe të gjithanshëm, i cili duhet të përparojë dhe të forcohet akoma më shumë. Tashmë, lëvizja e lirë dhe komunikimi i qytetarëve të dy vendeve tona, është një nga modelet më të shkëlqyera të jetësimit të parimeve universale të të drejtave dhe lirive të njeriut. Me këtë standard, duhet të orientojmë dhe të konsolidojmë edhe lëvizjen e shkëmbimin e mallrave dhe tregtisë.

Pata rastin t’i shpreh Presidentes urimet më të mira për vendimin e fundit të grupit drejtues ndërkombëtar për Kosovën, që i dha fund pavarësisë së mbikëqyrur dhe hapi një kapitull të ri për shtetin e Kosovës si sovran dhe i pavarur. Kjo arritje e madhe i dedikohet qytetarëve dhe shoqërisë së Kosovës, përfaqësuesve politikë dhe institucioneve të saj për maturinë, mençurinë kurajën dhe dinjitetin e treguar. Një meritë e veçantë i dedikohet Presidentes Jahjaga për kontributin e saj personal në afirmimin e profilit dinjitoz të shtetit të Kosovës dhe për trajtimin me maturi të sfidave, me të cilat përballet Kosova.

Shpreha të gjithë dëshirën dhe gatishmërinë e Shqipërisë për të ofruar të gjitha eksperiencat e saj pozitive dhe eksperiencën e nevojshme për institucionet e Kosovës në të gjitha proceset integruese që ka nisur Kosova dhe veçanërisht përpjekjet e Shqipërisë për përfshirjen e Kosovës në Kartën e Adriatikut.

Ndamë së bashku të njëjtin këndvështrim mbi sfidat e përbashkëta që kanë të dy vendet tona si në luftën ndaj korrupsionit, konsolidimin e institucioneve të pavarura, përgjegjshmërinë shoqërore të aktorëve politikë, zgjerimin e hapësirave të tregut të lirë.

Ky takim zhvillohet në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, proces i cili e ndezi dritën e tij në kuvendin e madh të Lidhjes së Prizrenit dhe u krye në kuvendin e burrave shqiptarë në Vlorë. Ky do të jetë një moment gëzimi dhe festimi për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen. Ky është moment reflektimi gjithashtu. Ftova Presidenten Jahjaga të na nderojë me praninë e saj në këto festime.

Vizita ime e parë si President i Shqipërisë në Kosovë do të mbetet kujtimi më i bukur i të gjithë jetës sime. Faleminderit!

TVSHNë 10 ose 11 shtator do të hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare e Kosovës. Çfarë risie do të sillte kjo në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Tiranës?

Presidenti Nishani: Faleminderit për pyetjen! Momenti i heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë për Kosovën është një moment tjetër historik, i cili hap një rrugë të re për Kosovën, për qytetarët e saj në konsolidimin e shtetit, në konsolidimin e institucioneve të saj, në zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetit ekonomik. Natyrisht që marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën kanë qenë të shkëlqyera dhe do të mbeten të tilla. Shqipëria e sheh me shumë kënaqësi kontributin e Kosovës në rajonin e Ballkanit si një kontribut i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm në interes të paqes, në interes të stabilitetit, në interes të zhvillimit dhe në interes të komunikimit dhe të bashkëpunimit me të gjitha vendet. Kështu që në këtë kontekst, zhvillimet do të njohin gjithmonë përparime, gjithmonë bashkëpunim dhe gjithmonë frymë miqësie dhe kontributesh të përbashkëta.

RTKPresidenti Nishani, është paralajmërim, formatimi i bisedimeve politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Si e vlerësoni ju një proces të mundshëm të bisedimeve? Ndoshta do të ishte i mirëseardhur dhe qëndrimi i Presidentes Jahjaga për këtë çështje.

Presidenti Nishani: Shqipëria ka mbështetur gjithmonë dhe do të vazhdojë të mbështesë të gjitha angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe të Presidentes, Parlamentit, Qeverisë në mënyrën, në kontaktet për bisedimet dhe në komunikim. Sot, dialogu është mjeti më efikas, më i suksesshëm dhe më evropian i trajtimit të të gjitha problemeve që mund të ekzistojnë midis vendeve dhe midis shteteve të ndryshme. Natyrisht që e shkuara e Kosovës ka qenë një e shkuar e mbushur me vështirësi, me sakrifica, por e ardhmja e Kosovës, e ardhmja e çdo vendi dhe e ardhmja e rajonit të Ballkanit është ajo për të cilën të gjithë duhet të punojmë, të gjithë duhet të kontribuojmë. Ndaj, komunikimi, dialogu janë mjetet më të mira për të mbizotëruar dhe për të fituar fryma e zhvillimit, fryma e pajtimit dhe ajo e prosperitetit të qytetarëve tanë.

Presidentja Jahjaga: Plotësisht pajtohem me Presidentin Nishani. Ju e keni dëgjuar dhe herë të tjera e kam thënë, por dua ta përsëris se dialogu është e vetmja alternativë me të cilën duhet të normalizohen marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Edhe ju e dini që ne kemi qenë dëshmitarë të të gjitha aktiviteteve deri më tani dhe nuk ka pasur asnjë veprim apo asnjë alternativë tjetër, e cila ka pasur sukses deri më tani. Ky proces duhet të jetë i suksesshëm dhe duhet të përmbyllet me sukses në interes të qytetarëve të të dyja vendeve, në interes të procesit të integrimeve evropiane dhe euro-atlantike dhe në rrugën tonë drejt integrimeve. Dialogu është një proces, i cili zhvillohet apo realizohet midis palëve të barabarta, është një proces i vullnetshëm dhe duhet të jetë i qendrueshëm. Ju jeni dëshmitarë se Kosova asnjëherë deri më tani në të gjitha proceset e dialogimit nuk ka dalë humbës, por gjithmonë ka dalë fitues, si në proceset e dialogut të Vjenës-Parisit-Rambujesë edhe tani në Bruksel. Në të gjitha marrëveshjet e realizuara deri tani, Republika e Kosovës ka qenë përfituese dhe ju keni qenë dëshmitarë të kësaj dhe do të jeni dëshmitarë të të gjithë këtij procesi.

Vizon +Zoti President, thatë që jeni shumë i emocionuar nga kjo vizitë në Kosovë, cili është impresioni juaj i parë dhe si e gjetët Kosovën?

Presidenti Nishani: Impresioni i parë fillon në fillimin e asaj autostrade të mrekullueshme që ka nisur në Shqipëri dhe vijon në Kosovë. Është një impresion që nuk ka të bëjë me komoditetin e udhëtimit, por me ndjeshmërinë e vijimësisë së komunikimit, i cili paraqet standardet evropiane të Shqipërisë dhe të Kosovës. Për sa i takon pjesës njerëzore, sa herë që do të vish në Kosovë, sado e shkurtër të jetë distanca mes vizitës së parë dhe asaj të radhës, gjithmonë ndjen emocione, sepse pritja dhe ambienti është aq miqësor dhe vëllazëror sa i ka të pashmangshme këto emocione.

EkspresZonja Presidente, keni ardhur në kryeqytet duke u parë si zgjidhje e problemeve, tani po shiheni si bllokuese e reformave ndërkombëtare. Është kërkuar largimi juaj për t’i hapur rrugën reformave kushtetuese. Cila është përgjigjia juaj në këtë rast?

Presidentja Jahjaga: Është çështje e partive politike, apo subjekteve politike, nënshkruesve të marrëveshjes politike që të gjejnë modalitetin, apo të gjejnë unitetin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve. Dorëheqja nuk është e paraparë as në një marrëveshje politike, nuk është e paraparë as me amendamentet e propozuara kushtetuese, nuk është e paraparë as edhe me reformën kushtetuese dhe zgjedhore. Unë jam e përkushtuar të zbatoj Kushtetutën, të respektoj ligjet e vendit dhe është obligim dhe detyrim i Presidentit të vendit që të respektojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendit. Dorëheqja ime, apo dorëheqja e Presidentit të vendit do të nënkuptonte automatikisht që të hyhet në procesin e ushtruesit të detyrës së pozitës së Presidentit të vendit, që në këtë rast do të nënkuptonte ushtrimin e detyrës nga ana e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe që edhe kjo nuk është e paraparë as me marrëveshje politike, dhe kjo nuk është e paraparë as në rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës. Gjithsesi, nëse kjo do të vendosej do të fuste në krizë procesin e reformës kushtetuese dhe të reformës zgjedhore, që është një proces që ka filluar deri në procesin, apo në momentin e zgjedhjes së Presidentit të ri. Kjo për mua është një hap prapa dhe nuk është një hap përpara. Ju jeni dëshmitar që ne kemi pasur disa herë situata të tilla dhe e fundit ka qenë vitin e kaluar para zgjedhjes sime si Presidente e vendit. Dhe është përgjegjësi, është komplikim i të gjitha partive politike dhe të gjitha spektreve politike që të kontribuojnë në konsolidimin e proceseve demokratike të vendit të tyre dhe për secilin vazhdimi i mëtejshëm i reformës kushtetuese dhe reformës zgjedhore është një parakusht themelor i konsolidimit të proceseve demokratike në shtetin tonë dhe është një parakusht le të themi thelbësor edhe në rrugën tonë të integrimeve evropiane.