The Wayback Machine - https://web.archive.org/all/20060720133144/http://www.mozilla-europe.org:80/sq/press/2006/06/14/717-mozilla-feeds-football-fans-passion-with-new-firefox-add-on


2006-06-14

Mozilla Ushqen Pasionin e Sportdashësve të Futbollit me një Shtesë të Re Firefox-i

Joga.com Companion i shton shije futbolli shfletuesit Web me burim të hapur, duke u bërë të mundur sportdashësve të jenë në kontakt me përfundimet, videot dhe njëri tjetrin

Mountain View, Kalif. dhe Paris, Francë - 14 Qershor, 2006 - Sportdashësit e futbollit anembanë botës mund të kenë tani një shfletues Web i cili pasqyron pasionin e tyre për lojën. Mozilla sot njoftoi qarkullimin e Joga.com Companion, një shtesë falas për shfletuesin Mozilla Firefox 1.5 punuar nga Mozilla dhe qarkulluar nga Google.

Joga.com është bashkësia online krijuar nga Google dhe Nike nën shenjën Joga Bonito - "Luaj Bukur" në Portugezçe - për këdo që do futbollin, sportin më popullor në botë. Me Joga.com Companion, Firefox-i bëhet një burim i ri për sportdashësit e futbollit që presin me padurim përfundimet e ekipeve të tyre dhe për të shfaqur mbështetjen e tyre ndërkohë që shfletojnë në Web. Sportdashësit mund t'i veshin shfletuesit të tyre Web njgyrat e ekipit kombëtar, të ndjekin përfundimet dhe lajmet më të fundit, të shohin video, të gjejnë me lehtësi bashkësi të reja ku mund të marrin pjesë, dhe të marrin njoftime të minutës së fundit rreth ndeshjeve dhe golave drejt e te shfletuesi i tyre.

"Sportdashësit e futbollit anembanë botës janë plot pasion për ekipet e tyre dhe sportin, dhe Web-i është bërë mjeti kryesor për ndjekjen e këtij pasioni dhe lidhjen me njerëz të të njëjtës shije," thotë Christopher Beard, zëvendëspresident i Tregtimit dhe Administrimit të Produkteve, te Mozilla Corp. "Joga.com Companion është një rrugë shumë e mirë për këdo që do futbollin t'i bashkangjitet një bashkësie mbarëbotërore sportdashësish, të shpalosë krenarinë për ekipin e vet, të ndjekë tërë historinë, dhe të jenë në dijeni ndërkohë që është online."

Joga.com Companion tani është e mundshme si shkarkim falas në Anglisht, Frëngjisht, Gjermanisht, Italisht, Spanjisht, Japonisht, dhe Portugalisht, me gjuhë të tjera në rrugë e sipër.

Për më tepër të dhëna ju lutem vizitoni: http://www.mozilla-europe.org/en/add-ons/jogacompanion/.

Rreth Mozilla Corporation

Si një nëndarje në pronësi të plotë e organizmit jofitimprurës Mozilla Foundation, Mozilla Corporation ka për detyrë zhvillimin dhe nxitjen e produkteve që shpien më tej misionin e Fondacionit për të mirën publike në nxitjen e zgjedhjes dhe risisë në Internet. Miliona vetë anembanë botës i gëzohen një përvoje më të mirë Web me shfletuesin falas dhe me burim të hapur, të vlerësuar me çmime, Mozilla Firefox. Për më tepër të dhëna rreth Mozilla-s dhe produkteve të saj, ju lutem vizitoni: www.mozilla.com.

Rreth Mozilla Europës Themeluar në Janar 2004 nga pjesëmarrës me përvojë të gjatë në projektin Mozilla nga disa vende europiane, Mozilla Europa synon të përhapë, zhvillojë dhe marrë pjesë në projektin "software" me burim të hapur Mozilla. Mozilla Europa e ka bazën në Paris, Francë dhe është degë ndërkombëtare e Mozilla Foundation.

Mozilla Press Contact:

Tristan Nitot, nitot@mozilla-europe.org (Ju lutem, mesazhe në Frëngjisht ose Anglisht).