Drama shqipe ekziston, po s’duket

Shkruar nga:  
Postuar më: 1 ditė mė parė

Drama shqipe ekziston, po s’duket
Drama shqipe ekziston, po s’duket

“Shekulli” bëri dje një kërkim të dhënash për dramën shqipe që ka parë dritat e skenës së Teatrit Kombëtar në vitet 1990-2012. Në arkivin e këtij teatri çdo prodhim ka një dosje që përmban qysh nga ideja e shkruar e regjisorit te skicat e kostumeve, afishet dhe fotot. Ka dosje skrupuloze ku gjen edhe modele ftesash me një minidosje të të thënave të shtypit, në të shumtën panegjirike.

Me arkivistin Genci Resuli përshkuam kronologjikisht këtë rrugë. Genci është dëshmitar i kësaj epoke si fotograf zyrtar i teatrit. Ai kujton se çfarë xhungle ishte vënia në skenë e “Besës” së Sami Frashërit me regji të Alfred Bualotit në vjeshtë të vitit 1990. Kemi kujtuar se historia me “Besën” ishte lënë në vitin 1945 kur u vu në skenë e më pas u shmang duke shënuar “provën e parë teknike” të instrumenteve të censurës e të agjitpropit.

Në këto 22 vjet rezulotojnë 32 prodhime të autorëve shqiptarë me ndonjë përjashtim si “Bregu i pikëllimit” i Teki Dervishit që vinte në Tiranë më 1993 si shfaqje e ftuar nga Kosova. E dominojë këtë skenë Gëzim Kame në regji, Mihal Luarasi e Ruzhdi Pulaha si dramaturgë. Ka autorë që hyjnë e dalin si Dhimitër Anagnosti, Punëtorie Muça...
Të tjera mbeten jashtë kësaj kronologjie: Arben Kumbaro me një teatër dhome “Harromëni” në Black Box; Kadare me bakllavanë skenike “Stinë e mërzitshme në Olimp” në teatrin e operës me regji Gëzim Kames; çamçakëzi i estradës tragjike të Bashkim Hoxhës “Ne të gjithë kënduam Margaritën” me regji të Hervin Çulit; teatri koreografik, premtues atë kohë, i Altin Bashës e Gazmend Gjokës “Dashuri në furgon”; teatri kinse indulgjent e naiv i Stefan Çapalikut me “Birrë gozhdë e sapun” apo “XXL TV”. Nga festivali i të rinjve janë parë shenja të mira në tekstet e Aqif Mulliqit e Astrit Canit, apo përshtatjet për teatër të autorëve shqiptarë Migjeni, Kuteli, Konica.

Dramat e listës tonë kanë jetuar vetëm stinën e kalendarit vjetor të Teatrit Kombëtar. Ato nuk njohin rivënie, nuk njohin prodhime nga teatro të tjerë. Ato janë hesap i mbyllur. Edhe festivali mbarëkombëtar i dramës shqipe e tregon këtë. Kristaq Skrami, drejtor i TK njëherësh drejtor i Festivalit të Dramës Shqipe, i ftonte trupat profesioniste të teatrove në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të merrnin pjesë festival me “pjesë të repertorit ose premiera, të cilat i përkasin dramaturgjisë kombëtare, qoftë nga fondi i artë i saj, qoftë edhe vepra të shkruara vitet e fundit”.

Miriam Koliqi nga Zyra e Marketingut dhe Marrëdhënieve me Publikun në TK thotë se kanë konfirmuar pjesëmarrjen me zgjedhjet e tyre më shumë se gjysma e trupave.
Teatri i Gjakovës me dramën “Kuzhina e Viktimave” e Ilir Gjocajt, vënë në skenë nga Zana Radogoshi. Teatri “Estref Begolli” i Pejës me dramën “Varri i qyqes” e Azem Shkrelit, me regji të Drita Begollit. Teatri i Mitrovicës me dramën e autorit nga Shqipëria Ridvan Dibra, “Na t’birtë e Shekullit të ri”, me regji të Ben Apollonit. Teatri Kombëtar i Kosovës do të vijë me premierë. Pritet konfirmimi, po ashtu nga teatrot e Prizrenit dhe Gjilanit.

Nga hapësira maqedone, organizatorët presin konfirmimin e trupës së Tetovës, ndërsa Teatri Shqiptar i Shkupit merr pjesë me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dramatizim i veprës së Kadaresë vënë në skenë nga Dino Mustafiq.

Nga Shqipëria: “Skampa” e Elbasanit me një nga veprat e Ruzhdi Pulahës që ka vënë në skenë ky teatër vitet e fundit, “Mjalti i hidhur”, “Emil” etj.; Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës me përshtatjen për monodramë të novelës “E madhe është gjëma e mëkatit” nga Mitrush Kuteli, me regji të Adonis Filipit; Trupa e Vlorës me premierën “Testamenti” i Ferdinand Hysit. “Petro Markoja” i Vlorës e mban veten me dramat e Hysit, siç e mban “Bylisi” me shfaqjet e Kiço Londos. “Bylisit” të Fierit ia do zemra të vijë me premierë.
“Migjeni” i Shkodrës në dilemë me çfarë do të përfaqësohet. Edhe Gjirokastra ka dëshirë të thotë fjalën e saj në këto 14 ditë e kusur festë. Por nuk dihet akoma. Nuk është dëgjuar që bashkia e këtij qyteti të ketë dhënë për teatrin. Mbase tani është rasti!

Të zotët e shtëpisë, Teatri Kombëtar i Shqipërisë prodhon “Ëndrrën e Ismail Qemalit” të Bashkim Kozelit, fituese e Konkursit Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe. Regjisori nuk është përcaktuar akoma.

Sezoni vjeshtë-dimër mbahet me tri rivënie, “Amadeus”, Henri VI” dhe “Përjetësisht dashuri” dhe me dy festivale, i të rinjve në dhjetor dhe Festivali i Dramës Shqipe, 10-24 nëntor. Shfaqjet e këtij të fundit do të jenë të përnatshme, dhe falas. TK ka kërkuar 5.5 milionë lekë për këtë aktivitet që organizohet për 100-vjetorin e Pavarësisë. Buxheti duhej të ishte lëvruar që në qershor.
Përtej këtyre probleme, duket se po na vjen një festival pa kujtesë nga historia e re e dramës shqipe, e prapë në rrjedhë për forcë zakoni. Bilanci i periudhës 1990-2012, me dy vepra shqiptare për çdo vit dhe me këtë rezultat, vetëm sa konfirmon një të vërtetë: është bërë e pasfidueshme komedia “Karnavalet e Korçës” që Çomora shkroi më 1961.
“Shekulli” po e boton të plotë këtë bilanc për të mos harruar punët e të shkuarës të atyre që flasin për dramën shqipe dhe janë ende fuqia absolute në hierarkinë e saj.

Dramat shqiptare në skenën e Teatrit Kombëtar në vitet 1990-2012

“Shkallët” Ruzhdi Pulaha, regjia Gëzim Kame, 1990
“Natë me hënë” Ismail Kadare, regjia Edmond Budina, 1990
“Besa” Sami Frashëri, regjia Alfred Bualoti, 1992
“Zgjimi” Kostandino Marko (autor arbëresh), regjia Edmond Budina, 1992
“Bregu i pikëllimit” Teki Dervishi, regjia Agim Sopi, 1993
“Tetë persona plus” autor dhe regjisor Ferdinad Radi, 1994
“Motrat” Punëtorie Muça, regjia Drita Pelinku, 1994
“Madhështia e marrëzisë” Jani Duri, regjia Vangjel Kozma, 1995
“Tiranozauri” Kasem Trebeshina, regjia Gëzim Kame, 1995
“Quo Vadis” teksti dhe regjia Serafin Fanku, 1997
“Muzeu” Kasem Trebeshina, regjia Gëzim Kame, 1998
“Ëndrra e një nate vere” përshtatja dhe regjia Armand Bora, 1999
“Absurditet antik” Kasem Trebeshina, regjia Drini Aindinlli, 1999
“Gjethja” Vangjel Kozma, regjia Naun Shundi, 1999
“Nata e trokitjeve në xhama” teksti dhe regjia Dhimitër Anagnosti, 2001
“Utopos” teksti Stefan Çapaliku, regjia Rikard Ljarja, 2001
“Gomone” teksti Mihal Luarasi, regjia Gëzim Kame, 2003
“Karnavalet e Korçës” Spiro Çomora, regjia Dhimitër Pecani, 2003
“Streha e të harruarve” Ruzhdi Pulaha, regjia Gëzim Kame, 2004
“Hijet e natës” Vedat Kokona, regjia Hervin Çuli, 2004
“Kush ma martoi vajzën” teksti dhe regjia Ilir Bezhani, 2004
“Magjia e verës së kuqe” teksti dhe regjia Mehmet Xhelili, 2005
“Si e mposhta Musolinin” teksti dhe regjia Aqif Mulliqi, 2005
“Babai” Ruzhdi Pulaha, regjia Serafin Fanku, 2006
“Drejt perëndimit” Albri Brahusha, regjia Spiro Duni, 2006
“Këmbanat e muzgut” Teodor Laço, regjia Alfred Bualoti, 2007
“Korbi i bardhë” teksti dhe regjia Mihal Luarasi, 2007
“Allegretto Albania” Stefan Çapaliku, regjia Altin Basha, 2008
“Antigona kërkon të atin” teksti dhe regjia Mihal Luarasi, 2009
“Darka e gabuar” përshtatje e romanit me këtë titull të Ismail Kadaresë nga Fatos Haxhiraj, regjisor i shfaqjes, 2010
“Tablo absurde” Ferdinand Hysi, regjia Milto Kutali, 2010
“Përjetësisht dashuria” teksti dhe regjia Mihal Luarasi, 2012 

Jep një mendim mbi këtë temë:

Reklama


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema tė nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA