Viti 2011

Festivali “Kënga Magjike 2011” u mbajt në datat 17, 18 dhe 19 Nëntor në Pallatin e Kongreseve. Artistët pjesëmarrës kaluan në netët gjysmëfinale pas 9 javësh konkurim në fazën e parë të festivalit, ku morën pjesë 54 artistë. Këtë vit, festivali “Kënga Magjike” shënoi edicionin e tij të XIII, në të cilin përveç emrave të njohur e të afirmuar të muzikës mbarëshqiptare nuk munguan artistët e rinj protagonistë, të cilët kanë mundësinë të tregojnë talentin e tyre në këtë festival. Rrymat dhe performancat muzikore kanë qenë të larmishme, ashtu si edhe pjesëmarrja e artistëve. E ftuar speciale e këtij edicioni dhe bashkëprezantuese e shoë- man-it Ardit Gjebrea, natën e tretë të festivalit, ka qenë aktorja e njohur turke Songül Öden. Votat e artistëve pjesëmarrës kanë shpallur fitues të festivalit “Kënga Magjike 2011”, kantautorin Redon Makashi.