01-Teqe e Halvetive

  • foto (3)

Objekti i teqesë së Halvetive gjendet në lagjen “Saraçëve”, pranë xhamisë së Kukli Mehmet-beut. Tarikati i Halvetive është themeluar në fund të shek. XVI-të nga ana e Osman-baba-së që ishte  nga Valash i Shqipërisë. Osman-baba është shkolluar në Greqi, pastaj erdhi në Prizren dhe u vendos në xhaminë e Kukli Mehmet-beut. Aty qëndroi një kohë, pastaj Kukli Mehmed-beu dhuroi truallin afër xhamisë dhe kështu filloi të zhvillojë tarikatin e vet, që pastaj do të quhet Halveti. Ndërtesa e teqesë është ndërtuar në vitin 1835. Objekti është i thjeshtë, i ndërtuar prej guri dhe qerpiçi ndërsa mbulesa është prej tjegullave tradicionale. Edhe pse kompleksi i teqesë përbëhet prej disa objekteve si: teqeja, salla e riteve (semihane), tyrbja, objekti i banimit dhe i pritjes, ajo si objekt përbëhet prej dy pjesëve - teqeja dhe semihana. Objekti i semihanes është në formë të gjashtëkëndëshit dhe është objekti kryesor ku zhvillohen lutje dhe rite tjera fetare. Në anën perëndimore është pjesa e tyrbes ku janë varrezat e prijësve të tarikatit duke filluar prej themeluesit të tarikatit të Halvetive Osman-baba dhe nëntë udhëheqësve tjerë. Në oborrin e teqesë janë edhe dy kroje ku njëra është në formë rrethore dhe është si shatërvan ndërsa tjetra është në formë drejtkëndëshe, ku janë edhe motive të gdhendura në pjesën ballore në gurë. Edhe pse tani është jashtë kompleksit duhet theksuar edhe objektin e banimit që gjendet në anën lindore të kompleksit. Shtëpia është ndërtuar në shek XVIII dhe është me përmasa mjaft të mëdha dhe të pasur me elemente folklorike. Kompleksi i teqesë gjatë kohës ka pasur disa renovime arbitrare, ku edhe pse është tentuar të ruhen elementet origjinale, fatkeqësisht nuk ka pas shumë sukses.