E premte, 23 shtator 2011

1949, Pentagoni: Diplomaci fleksibël me Shqipërinë

Greqia: Mbështesim kundërshtarët e Enver Hoxhës për zgjidhjen e çështjes së Vorio-Epirit. Mid’hat Frashëri: Nuk bëjmë thirrje kundër regjimit komunist, pa garancinë se nuk do kete pretendime territoriale nga vendet fqinjë. Mbështetja amerikane për Komitetin “Shqipëria e lirë” dhe kundërshtimi i Ahmet Zogut. Divergjencat ndërmjet shqiptarëve që u pasqyruan në “qëndrimin e kujdesshëm” që sugjeruan gjeneralët amerikanë

Nga Thanas Mustaqi

Kryetari i Ballit Kombëtar Mid’hat Frashëri (1880-1949) ishte i shqetësuar për një deklaratë të kryeministrit grek që mbështeste Komitetin “Shqipëria e lirë” dhe se Athina do të bashkëpunonte me kundërshtarët e Enver Hoxhës për zgjidhjen e çështjes së “Vorio Epirit”, raportonte më 19 shtator 1949 Departamenti Amerikan i Shtetit pas takimi të fshehtë me një “kuintet” të antikomunistëve shqiptarë në mërgim. “Investigim-i” boton për herë të parë, të pa-parafrazuar, dokumentin e shklasifikuar mbi një bisedë të krerëve të emigracionit shqiptar antikomunist me zyrtarë të Uashingtonit. Por amerikanët u bënë të ditur bashkëbiseduesve që nuk mund të bashkëpunonin hapur me një organizatë… private, pasi nuk e lejonte legjislacioni. Për më tepër që për Mid’hat Frashërin ishin bërë veprime joligjore për ta pajisur me vizë, pasi zyrtarisht figuronte si “bashkëpunëtor i Fuqive të Boshtit”.

ZOGU: NUK E NJOH KOMITETIN

Më 26 gusht të vitit 1949, në Paris u formua Komiteti Kombëtar-Demokratik “Shqipëria e lirë”, me nismën e Mithat Frashërit për të “udhëhequr dhe inkurajuar njerëzit tanë të zotë në rezistencën e tyre kundër tiranisë komuniste”. Këtu u zgjodh edhe Këshilli udhëheqës i saj i përbërë nga Mid’hat Frashëri (kryetar), Abas Kupi, Zef Pali, Said Kryeziu dhe Nuçi Kotta (anëtarë). Organi më i lartë ishte Këshilli Kombëtar prej 11 anëtarësh nga parti të ndryshme.

Por pas disa ditësh, agjencia franceze e lajmeve AFP transmetoi një deklaratë të Mbretit në mërgim Ahmet Zogu, në të cilën thuhej se nuk e njihte Komitetin Shqipëria e Lirë dhe se “pas 7 prillit 1939, unë jam i vetmi autoritet legjitim i shqiptarëve”. Një komunikatë e Legatës Mbretërore Shqiptare në Paris ftonte të gjithë shqiptarët të mblidheshin rreth sovranit të ligjshëm. Është interesante që në krye të Komitetit që kundërshtonte Mbreti, ishte dhe njeriu më i afërt i tij, Abas Kupi!

GREQIA: MBËSHTESIM KUNDËRSHTARËT E ENVER HOXHËS

Kryeministri i Greqisë, në periudhën 28 qershor 1949-6 janar 1950, Aleksandros Diomedes (1875-1950), me origjinë arvanite, doli me një njoftim publik se e mirëpriste krijimin e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe siguronte popullin shqiptar për “ndjenjat e miqësisë” së Greqisë. Po ashtu ai u shpreh se “po të ketë Shqipëria një regjim të tillë përfaqësues, atëherë jemi gati të bashkëpunojmë ashtu si duhet dhe me qëllime shumë miqësore”. Diomedes përshëndeti “me simpati lëvizjen çlirimtare të popullit shqiptar me të cilin na lidh një miqësi e gjatë dhe historike”. Kjo qëndrim i Athinës vinte në pozitë të vështirë Komitetin Shqipëria e Lirë, pikërisht në kulmin e konflikteve kufitare në gusht 1949. Kurse Britania e Madhe, Franca, SHBA etj. nuk dolën hapur në mbështetje të Komitetit Shqipëria e Lirë, që mendohej si një qeveri në mërgim, e gatshme për t’u vendosur pas përmbysjes së mundshme të regjimit komunist.

SHERRET MES ZOGISTËVE DHE BALLISTËVE

Bie në sy dhe një konstatim i bujshëm i të mirënjohurit Xhulian Emery (Julian Amery, (1919-1996), lord dhe anëtar i parlamentit britanik për 39 vjet gjatë 42 vjetëve (1950-1992). Në vitet 1943-44, ka qenë oficer ndërlidhjeje në misionin britanik në Shqipëri. Në vitin 1948, Emeri botoi librin e bujshëm “Bij të Shqiponjës”, ku shkruan ndër të tjera:

“Rreziku i njëjtë i kishte bashkuar republikanët me monarkistët, por armiqësia e tyre u ringjall nga katastrofa e përbashkët. Abaz Kupi i akuzonte ballistët se kishin diskretituar kauzën nacionaliste në sytë e britanikëve duke u lidhur me gjermanët. Mithat Frashëri ishte i mendimit se komunistët edhe mund të shtypeshin në qoftë se zogistët do të ishin bashkuar me të në fillim të luftës civile. Kundërakuza të tilla mund të dukeshin akademike, por ato fshihnin një konflikt të natyrshëm, imediat, interesash. Të dy palët nuk mund të ndihmonin më njëra-tjetrën në Shqipëri; shpejt ato mund të copëtonin njëra-tjetrën dhe tani, që rezistenca kishte pushuar, zogistët dhe ballistët dolën më shumë si rivalë për të fituar favoret e britanikëve sesa si aleatë kundër partizanëve”. (cituar sipas Amery, Julian. Sons of the eagle. A study in guerilla war (with letter from Harold Macmillan). London, Macmillan & Co Ltd. London, 1948, pp. 320-321)

DIPLOMACI USHTARAKE

“Për shkak të mundësisë së antagonizmit të brendshëm në Shqipëri dhe duke patur parasysh situatën tejet të paqëndrueshme në të gjithë Ballkanin në përgjithësi, vija e sjelljes e SHBA-së për të arritur objektivin e vet ndaj Shqipërisë duhet të jetë veçanërisht fleksibël”, kjo frazë diplomatike u takon gjeneralëve amerikanë. Po ashtu në këtë numër të gazetës po botojmë komentet e 9 nëntorit 1949 të Komitetit të Bashkuar të Shefave të Shtabeve të ushtrisë amerikane. Në numrin e kaluar kemi botuar një dokument mbi objektivat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Gjeneralët e ushtrisë amerikane ishin të mendimit qeveria shqiptare duhet të jetë e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme ndaj vullnetit të popullit shqiptar, por gjithashtu ajo nuk duhet të mbajë qëndrim armiqësor ndaj SHBA-së. Nga ana tjetër ushtarakët e lartë sugjeronin që duhet të paraqitet një deklaratë, ku të thuhet se faktorët e jashtëm, domethënë Moska dhe vendet e tjera të bllokut komunist, që ndikojnë në mbështetje të qeverisë shqiptare nuk duhet të mbajnë qëndrim armiqësor kundrejt SHBA-së.

Kur DASH priste M. Frashërin, A. Kupin etj.

Memo bisede, nga shefi në detyrë, Divizioni i Çështjeve të Evropës Juglindore (Kempbell)
SEKRET

[UASHINGTON,] 19 shtator 1949.
Të pranishëm: Zz. Mid’hat Frashëri, Abas Kupi, Nuçi Kotta, Said Kryeziu, Zef Pali, z. Llewellyn E. Thompson, EUR, z. Campbell, SE.
Lënda: Komiteti “Shqipëria e Lirë”

Z. Frashëri, i ngarkuar si zëdhënës i grupit, informoi z. Thompson se dëshironte t’i shprehte nderimet e tij Departamentit të Shtetit dhe të informonte Departamentin rreth objektivave dhe veprimtarive të Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Ai tha se pesë anëtarët e pranishëm përbënin organin ekzekutiv dhe se ka edhe një Këshill Konsultativ me dhjetë anëtarë të tjerë që aktualisht ishin në Evropë. Në përgjigje të pyetjes së z. Thompson se ku do të vendosej selia e Komitetit, ai u përgjigj se ajo do të jetë në Nju Jork dhe se ndoshta do të përfaqësohen në Uashington. Z. Frashëri tha se, në një ditë më parë, grupi ka qenë në kontakt me Komitetin Kombëtar “Evropa e Lirë” në Nju Jork.

Pasi z. Frashëri u shpreh se Komiteti i tij kishte si qëllim të punonte për çlirimin e Shqipërisë dhe shpresonte të mbante kontakte të rregullta me Departamentin e Shtetit, z. Thompson vuri në dukje se Komiteti padyshim do të kishte lidhje më të ngushtë me Komitetin Kombëtar “Evropa e Lirë” se sa me Departamentin [e Shtetit]. Ai e informoi zotin Frashëri, se ndonëse SHBA nuk mban marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, Qeveria amerikane natyrisht ishte e kufizuar në çka mund të bënte në mbështetje të veprimtarive të një grupi të tillë si Komiteti “Shqipëri e Lirë”. Ai tha se z. Frashëri padyshim e kuptonte situatën dhe ndryshimin midis situatës së Departamentit, si agjenci e qeverisë amerikane dhe asaj të një organizate private të tillë si Komiteti Kombëtar “Evropa e Lirë”.

Z. Frashëri pyeti nëse Departamenti mund t’i bënte një shërbim Komitetit “Shqipëria e Lirë” duke e vënë në kontakt me personat e duhur në Sekretariatin e OKB-së në mënyrë që të mund të merrte informacion lidhur me çështjet shqiptare që do të shtrohen tani para Kombeve të Bashkuara. Z. Thompson përsëri shpjegoi se Departamenti nuk mund të marrë përsipër të ndihmojë Komitetin pasi kërkesa të tilla do të ishte mirë t’i drejtoheshin Komitetit Kombëtar “Evropa e Lirë”. Ai vuri në dukje se nuk ka dalë ndonjë akt zyrtar amerikan që të lejojë sponsorizimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë’, veçanërisht për aktivitetet e OKB-së, dhe se kjo gjë mund të shfrytëzohej nga qeveritë e tjera, që, në njëfarë mënyre, do të vinte në pozitë të vështirë SHBA-në dhe do të dëmtonte objektivat e vetë Komitetit.

Z. Frashëri ngriti çështjen e qëndrimit të Qeverisë greke ndaj Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Z. Kempbell e drejtoi vëmendjen në deklaratën e bërë nga kryeministri grek [Aleksandër Diomedes – “Investigim”] me rastin e shpalljes së formimit të Komitetit. Z. Frashëri tha se një pjesë e kësaj deklarate ishte e paqortueshme, por pjesa tjetër ngrinte çështjen e Vorio-Epirit, që, në njëfarë mase, shqetësonte atë dhe kolegët e tij. Ai tha se Enver Hoxha kishte përfituar nga qëndrimi intransigjent grek për këtë çështje, duke u hequr si mbrojtës i tërësisë territoriale të Shqipërisë. Ai tha se ishte e vështirë për patriotët shqiptarë në mërgim t’u bënin thirrje shqiptarëve brenda vendit kundër regjimit pa disa garanci nga Greqia dhe shtetet perëndimore se grekët do të hiqnin dorë nga pretendimet për jugun e Shqipërisë.

Në mbyllje të intervistës, z. Thompson informoi anëtarët e Komitetit se Departamenti ndiqte me interes aktivitetet e tyre dhe se do të ishte i kënaqur të informohej në vazhdimësi për zhvillimet. Kur u largua, z. Frashëri dorëzoi një “Deklaratë të Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’” të mimeografuar.

[Xhon K. Kempbell]

Ushtria amerikane: Hapa politikë, jo aksion ushtarak

Memo nga Komiteti i Bashkuar i Shefave të Shtabeve për Sekretarin e Mbrojtjes [1]

SEKRET

UASHINGTON, 9 nëntor 1949.

Titulli: Objektivat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Në përputhje me kërkesën që përmbahet në memon tuaj të 20 tetorit 1949, Komiteti i Bashkuar i Shefave të Shtabeve kanë formuluar komentet e mëposhtme për letrën e Departamentit të Shtetit mbi politikën në Shqipëri që ju bashkëngjitët: [2]

Komiteti i Bashkuar i Shefave të Shtabeve është plotësisht dakord me memon që iu paraqit zëvendës-nënsekretarit të Shtetit nga zyra juaj më 11 tetor 1949, dhe që në fakt bënte fjalë për një objektiv afatshkurtër të SHBA-së në Shqipëri. Në mbështetje të kësaj memoje, Shefat bashkuar të Shtabeve sugjerojnë forcimin e seksionit I të dokumentit të politikave duke përfshirë objektivin themelor afatgjatë të SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe janë të mendimit qeveria të jetë e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme ndaj vullnetit të popullit shqiptar, por gjithashtu ajo nuk duhet të mbajë qëndrim armiqësor ndaj SHBA-së. Në mënyrë që dokumenti i politikës të jetë në përputhje me këtë mendim, në Seksionin I duhet të paraqitet një deklaratë, ku të thuhet se faktorët e jashtëm që ndikojnë në mbështetje të qeverisë shqiptare nuk duhet të mbajnë qëndrim armiqësor kundrejt SHBA-së. Kjo çështje është e rëndësishme për shkak të interesave ushtarakë amerikanë në Greqi, Territorin e Lirë të Triestes, si dhe në linjat e ndërlidhjes në drejtim të tyre.

Ka pasur raporte drejtuar Komitetit të Bashkuar të Shefave të Shtabeve se aktivitetet e fundit ushtarake sovjetike në Shqipëri besohet se përfshijnë vazhdimin e stërvitjes së partizanëve grekë, organizimin e njësive partizane për t’u përdorur në Jugosllavi, vendosjen e instalimeve ushtarake përgjatë bregdetit shqiptar, si dhe vendosjen e një baze të përparuar nëndetësesh në zonën e Gjirit të Vlorës. Kjo e fundit do të jetë e dobishme në këtë kohë që lidhen me operacione detare guerile kundër ishujve grekë dhe jugosllavë. Nisur nga këto raporte, ka pak shpresa për përmirësimin e kushteve për paqe që do të vinin nga ndërprerja e paradokohshme e operacioneve në shkallë të gjerë të nisura nga Shqipëria kundër Greqisë. Si pasojë, ndërsa Komiteti i Bashkuar i Shefave të Shtabeve nuk mbështetin aksion të drejtpërdrejtë trysnie kundër Shqipërisë nën flamurin e OKB-së, miratojnë sinqerisht hapa në nivel politik me qëllim që të frenohen shqiptarët nga pjesëmarrja ose mbështetja në shkeljen e mëtejshme të paqes dhe sigurisë së Ballkan.

Komiteti i Bashkuar i Shefave të Shtabeve e kuptojnë se qeveria amerikane tashmë së bashku me shtete të tjera nuk ka lejuar përfaqësimin e Shqipërisë në dy organizma ndërkombëtarë, përkatësisht: Autoriteti i Itinerarizimit Ndërkombëtar dhe Raportimit (International Routing and Reporting Authority) dhe Bordi i Zonës së Mesdheut i Bordit Ndërkombëtar Qendror për Pastrimin e Minave në Ujërat Evropiane (the Mediterranean Zone Board of the International Central Board for Mine-Clearance of European Ëaters). Në vijim të kësaj politike rekomandohet që nënparagrafi i mëposhtëm të shtohet në seksionin e dokumentit të politikave me titull “Aksioni që sugjerohet aktualisht për të arritur objektivat e mësipërm” dhe se nënparagrafët pasues të rinumërtohen përkatësisht:

“(1) Shfrytëzimi i ndikimit amerikan, britanik dhe francez për të parandaluar pjesëmarrjen e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare gjatë regjimit të Hoxhës.”

Në interes të përfitimit nga ana jonë të një epërsie të plotë në ndryshimet që mund të ndodhin në situatën aktuale në Ballkan, Komiteti i Bashkuar i Shefave të Shtabeve më tej sugjeron shtimin e një nënparagrafi të ri në dokumentin e politikave si më poshtë:

Për shkak të mundësisë së antagonizmit të brendshëm në Shqipëri dhe duke patur parasysh situatën tejet të paqëndrueshme në të gjithë Ballkanin në përgjithësi, vija e sjelljes e SHBA-së për të arritur objektivin e vet ndaj Shqipërisë duhet të jetë veçanërisht fleksibël.

Për Komitetin e Bashkuar të Shefave të Shtabeve:

Hojt (Hoyt) S. VANDENBERG

Shefi i Shtabit, Forcat Ajrore Amerikane

Shënim i botuesit të origjinalit anglisht

 [1] Teksti fillestar iu çua zëvendës-nënsekretarit të Shtetit Rask (Rusk), më 18 nëntor 1949, në zarf me një shkresë të shkurtër përcjellëse nga gjeneral-majori J.H. Bërns (Burns) i Zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes. Në një përgjigje drejtuar Bërnsit më 28 dhjetor 1949, që nuk është botuar, Rask-u vinte në dukje se sugjerimet e bëra nga Komiteti i Bashkuar i Shefave të Shtabeve në memon e tyre ishin përfshirë në thelb në një projekt të rishikuar të dokumentit të politikave për Shqipërinë të Departamentit të Shtetit (drafti më i hershëm që daton 21 shtatorin është botuar si shtojcë për memon e Thompsonit të bisedës me ministrin britanik Millar më 18 tetor [përkthyer dhe në shqip në numrat e kaluar të gazetës sonë - “Investigim”]), me përjashtim të rekomandimit që të shfrytëzohej ndikimi amerikan, britanik dhe francez për të parandaluar pjesëmarrjen e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare gjatë regjimit të Hoxhës. Rask-u shpjegonte pikëpamjen e Departamentit të Shtetit si më poshtë:

“Mund të jetë e dëshirueshme të kundërshtohet pjesëmarrja e shqiptarëve në disa organizata ndërkombëtare, veçanërisht ato të llojit të përmendur në memon e Komitetit të Bashkuar të Shefave të Shtabeve. Por, meqenëse një politikë e ngurtë përjashtimi ndoshta mund të ndërlikojë dhe jo të ndihmojë përpjekjet për arritjen e objektivave të përcaktuar në dokument, për arsye politike, do të ishte e dëshirueshme të ndiqet një politikë fleksibile për këtë pikë.”

Ndërhyrje për një regjim pro-titist në Tiranë

Telegram i të ngarkuarit [amerikan] me punë në Jugosllavi (Reams) për Sekretarin e Shtetit

SEKRET

Beograd, më 14 nëntor 1949 – ora 16:00

Nr. 1178. Edhe pse regjimi i sotëm shqiptar anatemon jugosllavët dhe Qeveria jugosllave ende interesohet së tepërmi për Shqipërinë, të mos i zihet besë denoncimit të Traktatit të Miqësisë me Shqipërinë…, pasi kjo i paraprin ndërhyrjeve jugosllave ushtarake ose të tjera të drejtpërdrejta në të ardhmen sikurse mund të parashikohet. Megjithatë, shumë njerëz në Qeverinë Hoxha janë të vetëdijshëm për një presion në rritje të perëndimit para OKB-së dhe në fushën ekonomike… ballafaquar me vështirësitë në rritje të Kominform-it për t’i siguruar ndihma avanpostit të izoluar dhe rritje e konsiderueshme pakënaqësisë së brendshme në Shqipërinë me regjim të favorshëm për Titon që krijoi Partinë Komuniste të këtij vendi, fakt që e bën të duket e preferueshme një ndërhyrje e perëndimit, ndaj zgjedhës sovjetike apo drejt një lufte civile. Një kthesë e tillë pa gjakderdhje në Tiranë është padyshim pjesë përbërëse e politikës jugosllave në Shqipëri, por ndoshta jo për disa kohë në të ardhmen.

Megjithë këmbënguljen e shpeshtë të qeverisë jugosllave te diplomatët perëndimorë kundër një ndërhyrjeje perëndimore në Shqipëri, në radhë të parë jugosllavët dëshirojnë të shmangin një krizë në këtë zonë tani për tani (krijohet përshtypja se jugosllavët i druhen një sulmi të mundshëm grek në jug të Shqipërisë dhe për pasojë përfshirjes së Jugosllavisë, por do të habiteshim po të mund të mos interesoheshin më për aktivitetin e shteteve perëndimore), gjithashtu kjo gjë mund të nënkuptojë se jugosllavët dëshirojnë të përforcojnë interesat themelorë të pretenduar në Shqipëri…

Jugosllavët kanë pretenduar për provokimet e befasishme dhe të shumta shqiptare kundër jugosllavëve si pjesë e strategjisë së Kominformit për të nxitur qeverinë jugosllave që jugosllavët të kryejnë goditje dhe aksion të hapur për të ruajtur fytyrën të qetë në pamje të jashtme të dëshpërimit në rritje të sovjetikëve. Për shkak të pengesave nga Jugosllavia dhe Greqia pozita sovjetike në Shqipëri është bërë gjithnjë e më e parëndësishme dhe jugosllavët qëndrojnë për të fituar vetëm elementin e kohës. Nëse mbështetja sovjetike ndaj Shqipërisë dobëson regjimin pro-titist në Shqipëri, është e pashmangshme që… të ndërmerret një kundërveprim efektiv. Duke pasur parasysh bashkëpunimin shqiptaro-jugosllav, mund të presim qasje të Shqipërisë drejt perëndimit sikurse qeveria jugosllave gjatë viteve të fundit.

Dërguar Departamentit me numër 1178, përsëritur Romës me numër 124, Moskës me numër 165. Departamenti ia kaloi Moskës.

REAMS