Boterori 2014, Lajme Flash — 22 Maj, 2014 10:23

Botërori 1934: Triumfon Italia, Meaca ylli i turneut

ItaliaMë 1934, kriza e madhe që ka pushtuar botën duket se po fashitet. Megjithatë, në SHBA janë ende 13 milionë të papunë. Ndërkohë, në Gjermani, pas vdekjes së Hindenburgut, vjen në fuqi Hitleri. Dhe në këtë gjendje të nderë, italianët organizojnë botërorin e dytë të futbollit. Idhulli i tyre është Meaca. Po trajneri Vitorio Poca mbështetet edhe te pjekuria e Guaitës, këmbëngulja e Skiavos, fantazia e Orsit, nën regjinë e Ferrarit në mesfushë. Kjo është bërthama e skuadrës së kaltër me ambicie për të fituar këtë botëror. Kundërshtarët janë më se të respektueshëm: Austria, Hungaria, Çekosllovakia, Zvicra, Spanja dhe natyrisht Argjentina e Brazili. Por mungon Uruguai. I fyer nga mungesa e skuadrave të njohura europiane të katër viteve më parë, nuk merr pjesë.
Çekosllovakia & Austria -Të zotët e shtëpisë, pas një starti spektakolar, duke mundur 7-1 amatorët e SHBA-së, hyjnë të mbushur me frymëzim në takimin me Spanjën. Në portën e stuhive të kuqe, siç quhen spanjollët, është portieri i magjishëm Zamora, pas të cilit hipnotizohet edhe një sulmues i pamëshirshëm si Meaca. Mirëpo italianëve u has sharra në gozhdë dhe mezi e mbyllin me një barazim takimin e parë (1 – 1), me gjithë shtesën e lojës. 11 lojtarë nga të dyja skuadrat, për shkak dëmtimesh, nuk marrin pjesë në takimin e dytë. Midis tyre, Zamora i dëmtuar. Dhe italianët e kanë më të lehtë, ndonëse spanjollët ankohen se gjyqtari zvicerian nuk u ka dhënë një 11-metërsh. Më pas, Federata Zviceriane e Futbollit e pezullon këtë arbitër, po ndërkohë Italia ka kaluar në turin e dytë. Edhe me Austrinë, italianët i kanë punët pisk. Austriakët kanë eliminuar Hungarinë dhe futen plot optimizëm në fushë. Përfaqësojnë skuadrën e madhe të quajtur Vundertim (skuadra çudi), të drejtuar nga trajneri i famshëm Ugo Meisli. Po këtë radhë, Italia e Meacës fiton pa lënë pikëpyetje.
Finalja - Vjen më pas takimi final me Çekosllovakinë në Romë. Në finale të botërorit 1934 merr pjesë dhe Musolini. Siç dëshmon më vonë presidenti FIFA-s, Zhyl Rime që në këtë finale ndodhet pranë tij, Duçja, i cili nuk e njeh shumë futbollin, mbetet si i ngrirë gjatë takimit. Po kur Skiavio shënon golin e fitores, fytyra e tij përndritet. Është një takim i këndshëm, i bukur edhe në aspektin teknik e taktik. Italianët kanë epërsi, po golin ama e shënojnë çekët me anë të Pucit. Mbeten 21 minuta lojë. Pasi kalon disa çaste nervozizmi, skuadra italiane galvanizohet e Monti, me Ferrarin i jep shansin Orsit që me një goditje të rreptë afër zonës, të barazojë rezultatin. Përsëri shtesë loje si ndaj spanjollëve. E pastaj goli historik i Anxhelo Skiavos, pas topit të dhënë nga Guaita. Skiavio rrëzohet përtokë, i mbuluar nga puthjet dhe përqafimet e shokëve. Italianët janë Kampionë të Botës pas 120 minutash lojë.

Si ndikoi Musolini në Kupën e Botës
Benito Musolini nuk mund t’ia falte vetes që në shtëpinë e tij të festonte ndonjë kombëtare tjetër. Sapo u vulos që Kupa e Botës do organizohej në Itali, ai i dha urdhër të prerë gjeneralit Xhorxhio Vakaro: “Nuk e di se si do t’ia bëni, por Botërorin duhet ta fitojmë ne. Nuk më intereson se çfarë jeni të detyruar të bëni. Është një urdhër!”. Dështimi i urdhrave të tillë ishte fatal edhe për fatin e të besuarve të Duçes, ndaj nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Presioni ishte shumë i madh. Futbollistët dhe arbitrat nderonin si fashistë para ndeshjes. Musolini donte t’i tregonte të gjithë botës forcën e tij, ishte një mesazh i rëndësishëm për atë kohë. Skuadra italiane nuk ishte mes favoritëve, sa i përket forcës së saj, por askush nuk arriti ta mundte dot. Madje, edhe në ato ndeshje që doli barazim, në shtesë, nuk guxoi asnjë rival që të shënonte. Ishte e destinuar, apo e merituar, kjo pak rëndësi ka tashmë. Për të kaltrit numërohet si një triumf i rëndësishëm në Botëror, pavarësisht zërave që e kanë shoqëruar përgjatë gjithë historisë.

Luis MontiMonti: Nëse nuk fitonim, Duçja do të na pushkatonte
Luis Monti është i vet mi futbollist në his tori që ka luajtur dy finale të Kupës së Botës, me dy kombëtare të ndryshme. Në vitin 1930 ai luante për Argjentinën dhe humbi me Uruguain, por, katër vite më pas ishte pjesë e Italisë, e cila ngriti trofeun e kampionatit.
Si u ble - Një vit pas paraqitjes që bëri në Botërorin e vitit 1930, mbrojtësin e vizituan disa zyrtarë të Benito Musolinit në Argjentinë. Ata i bënë një ofertë të parefuzueshme, plot 5 mijë dollarë në muaj, një shtëpi dhe një makinë në mënyrë që të luante me Juventusin. Një shifër e padëgjuar në atë kohë, të cilën pa diskutim që Monti e pranoi. Por, plani ishte më konkret, pasi atij i kërkuan të luante më pas me përfaqësuesen e Italisë, të cilën gjithashtu nuk i dhanë mundësinë që të thoshte “jo”. Ai duhet të ishte një nga lojtarët e rëndësishëm në skuadrën, e cila do të duhej të fitonte Botërorin e 1934-s.
Presioni - “Kam përjetuar dy finale shumë të ndryshme në jetën time. Në Uruguai do na vrisnin nëse do fitonim. Ndërsa katër vite më pas, do na vrisnin nëse humbisnim. Për fat të mirë, ia dolëm mbanë që të ngrinim trofeun me Italinë. Duçja e donte patjetër dhe na e kishte thënë qartë. Për të ishte një tregues i forcës dhe ne nuk mund të dështonim”, – ka thënë Monti në një rrëfim të tij në vitin 1952. “Para finales me Çekosllovakinë erdhi dhe takoi ekipin. Na dha një mesazh shumë të qartë: ‘Kërkoni çfarë të doni po fituat: femra, para, makinë, shtëpi. Çfarëdo që të doni, do jetë e juaja. Por, nëse nuk fitoni…’. E dinim të gjithë se çfarë na priste. Do pushkatoheshim. Pas çdo ndeshjeje, merrnim letra ku thuhej “Fitore ose vdekje”. Ka qenë një presion i jashtëzakonshëm, por jam ende gjallë duke treguar këtë histori, pasi ia dolëm mbanë në atë ndeshje”.
Mashtrimi - Edhe pse duhet të ishin shumë të privilegjuar, një pjesë e mirë e lojtarëve të kombëtares nuk e patën atë fat. Monti tregon se gjërat nuk shkuan siç e prisnin. “Mund t’ju kujtoj vetëm një fakt për ta kuptuar se nuk ishim kurrë të sigurt. Guaita, i cili udhëhoqi Italinë po ashtu si unë në triumfin e Kupës së Botës, u detyrua të largohet nga vendi në mënyrë të fshehtë vetëm pas një viti. Ai luante për Romën, rivalin e Lacios, me të cilin ishte tifoz Musolini. Për të dobësuar Romën, ata i thanë Guaitës se duhej të shkonte në luftë. Kjo bëri që ai të fshihej dhe të largohej”.

Xhuzepe Meaca, simboli i botërorit të 1934-s
I shfaqur në radhët e Ambroziona Inter në fillim të kampionatit të vitit 1927, kur nuk ishte veçse 17 vjeç, Xhuzepe Meace do të trondisë stadiumet e Italisë e do të ndiqet me admirim nga sportdashësit deri më 29 gusht të vitit 1947, kur do të mbyllë përfundimisht jetën e tij sportive. Pra, plot 20 vjet. Gjatë kësaj periudhe, Meaca ka shënuar 273 gola në kampionatin kombëtar, ka fituar disa tituj kampionësh dhe është shpallur golashënuesi më i mirë. Në botërorin italian është 24 vjeç. I ri, por i pjekur. Shndërrohet në regjisorin e skuadrës. Si i tillë paraqitet edhe në Botërorin e Francës të zhvilluar 4 vjet më pas, më 1938, kur përsëri ndihmon Italinë të fitojë për të dytën herë titullin kampion. Ndeshjen e fundit me përfaqësuesen e Italisë, e zhvillon më 1939.

Formacioni më i mirë me plot shtatë italianë
Në formacionin më të mirë të Kupës së Botës, nuk kishte se si të mos dominonin italianët, të cilët ngritën edhe trofeun e kampionatit. Gjithsesi, ishin plot shtatë italianë në 11-shen më të mirë dhe kjo u komentua si e tepruar për kohën. Katër të tjerët ishin portieri Zamora i Spanjës, i cili nuk mund të diskutohej, për shkak të mrekullive që ofroi me pritjet e tij. Ishte mbrojtësi tjetër spanjoll Kuinkokes, mesfushori çekosllovak Nejedli dhe ai austriak Vagner. Ja formacioni më i mirë i kompeticionit: Zamora (Spanjë), Monzelio (Itali), Monti (Itali), Kuinkokes (Spanjë), Vagner (Austri), Bertolini (Itali), Nejedli (Çekosllovaki), Guaita (Itali), Meaca (Itali), Skiavio (Itali), Orsi(Itali).

Planiçka, portieri më i shkurtër
Nuk është më shumë se 1.73 m dhe mbahet si një ndër portierët më të mirë në Evropë. Mahnit në botërorin e 1934-s me pritjet e tij. Katër vjet më pas e gjejmë përsëri në radhët e ekipit kombëtar çekosllovak. Dhe shfaqet përsëri i magjishëm në fushat e Francës, gjatë botërorit të tretë. E mbyll karrierën pasi ka luajtur 75 ndeshje me kombëtaren dhe 1000 ndeshje me skuadrën e tij Sllavia.

Kampion bote vetëm rastësisht
Kolegu i Planiçkës, Kombi, bëhet kampion bote krejt rastësisht. Trajneri Vitorio Poco grumbullon Kombin, por portieri titullar pëson një dëmtim vetëm disa ditë para botërorit. Në ekipin kombëtar regjistron 47 ndeshje (28 fitore, 9 humbje, 10 barazime dhe 65 gola të pësuar). Gjatë jetës së tij sportive, pra prej 13 vjetësh, zhvillon 35 takime e pesë tituj kampion.

Brazili, 12 ditë rrugë për t’u eliminuar direkt
Kombëtarja e Brazilit ishte një ndër ato skuadra që bëri sakrificën më të madhe për të marrë pjesë në Kupën e Botës 1934. Futbollistëve iu desh të udhëtonin plot 12 ditë me anije, në një aventurë rraskapitëse. Por, pasi zbritën në portin e Xhenovës dhe ia dolën mbanë që të ishin në kohë për ndeshjen e parë kundër Spanjës, ata pësuan goditjen më të rëndë. U eliminuan menjëherë, duke qenë se ishte ndeshje me sistem eliminimi. Iu desh të udhëtonin 12 ditë, për të luajtur vetëm 90 minuta futboll, para se të riktheheshin sërish në shtëpi, në një tjetër rrugë të lodhshme. Ishte pikërisht Spanja ajo që mundi “seleçaon” 3-1, pavarësisht se këta të fundit kishin ardhur me ekipin e tyre më të mirë, ndryshe nga disa përfaqësuese të tjera.

Sindelari “Moxarti i futbollit”
Sindelari 31-vjeçar, me fytyrë disi të zbehtë, flokë të drejtë të ndarë me një vijë në mes, trup të zhdërvjelltë, ndonëse jo të madh. Zhvillon me përfaqësuesen austriake 43 takime (1926 – 1938), cilësohet futbollisti më i mirë i Botërorit 1934 dhe mbiquhet “Moxarti i futbollit”. Është futbollisti më i famshëm i Austrisë të të gjitha kohërave.

Skiavio, debutuesi më i ri në moshë
Nisi të luante futboll më 1922 në radhët e Bolonjës, kur nuk ishte veçse 15 vjeç, duke qenë edhe debutuesi më i ri. Dhe e mbyll jetën sportive përsëri me Bolonjën. Gjatë kësaj periudhe, fitoi 4 tituj kampionësh (1925, 1929, 1936, 1937) dhe në sezonin 31 – 32 me 25 gola, atë të golashënuesit më të mirë, së bashku me Petronën e Fiorentinës. Më 4 nëntor 1925, kur nuk kishte mbushur 18 vjeç, zhvillon takimin e parë me skuadrën kombëtare.

Nejedli, fiton “Këpucën e artë” pas… 72 vitesh
Sulmuesi çekosllovak Oldrih Nejedli arriti të shënojë pesë gola dhe të shpallet golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës 1934. Gjithsesi, atij iu njoh “Këpuca e Artë” nga FIFA vetëm pas 72 vitesh, saktësisht në 2006- n. Ai ishte llogaritur se kishte shënuar katër herë, po aq sa Skiavo i Italisë dhe Konen i Gjermanisë. Më pas, u vërtetua se kishte gjetur rrugën e rrjetës një herë më tepër. Një rekord, i cili nuk iu njoh për aq kohë sa ishte gjallë, edhe pse jetoi për 90 vite. Për t’u theksuar, është fakti që ai luante si mbrojtës i majtë, por kishte një nuhatje të jashtëzakonshme për golin.

Kielhoz, veprime komike sepse ishte… miop
Poldi Kielhoz u shndërrua në një nga protagonistët më karizmatikë të Kupës së Botës. I gjatë 173 centimetra dhe me syze të trasha në fushën e lojës, ai dhuroi shpeshherë veprime tepër komike. Për shkak se ishte miop, ndonjëherë kishte vështirësi koordinimi. Gjithsesi, kombëtarja e tij nuk e kishte përzgjedhur edhe aq rastësisht. Ai kishte një kërcim mbresëlënës dhe ishte i fortë fizikisht. Arriti të shënojë plot tre gola, edhe pse mund të kishte shënuar më tepër. Nëse koordinohej si duhej, askush nuk e ndalte.

Te lidhura me artikullin:

    Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Panorama Sport Online. Moderatori

    Lini nje koment

    — duhet *

    — duhet *