De Biasi: Januzaj ka zgjedhur Anglinë

Albania's new soccer team coach Gianni De Biasi of Italy speaks during a news conference in Tirana

asport- Ditën e sotme në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është prezantuar stafi i ekipit kombëtar, që do të drejtojë kuqezinjtë për eliminatoret e Kampionatit Europian 2016. Fillimisht menaxheri i ekipit kombëtar, Alban Bushi, dhe trajneri Xhani De Biazi, kanë folur përballë gazetarëve të shumtë në lidhje me shortin eliminator, kundërshtarët dhe objektivat e kombëtares shqiptare.

 

Ai i është përgjigjur edhe interesit te tyre, nëlidhje me ndeshjen miqësore që kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë më datë 5 mars në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit, kundër Maltës. Më pas është prezantuar i gjithë stafi teknik i ekipit kombëtar. Kështu, pas menaxherit Alban Bushi dhe trajnerit Xhani De Biazi, kanë dalë me radhë ndihmëstrajneri Paolo Tramexani, trajneri i portierëve Ilir Bozhiqi dhe përgatitësi atletik, Alberto Bele. Një risi në këtë rast ishte edhe pjesëmarrja në staf e njërit prej ish-futbollistëve më të dashur të kombëtares shqiptare, Altin Lala, i cili do të jetë ndihmësi i De Biazit.
Ndërkohë, De Biazi ka mbajtur edhe një konferencë për shtyp në prag të miqësores me Maltën, të cilën e cilëson si një test për lojtarët që ka grumbulluar, në funksion strategjisë së tij afatshkurtër dhe afatmesme për eliminatoret e “Euro 2016”. “Ndaj Maltës do të përqendrohemi më shumë në mesfushë dhe në sulm. Xhaka, Vajushi dhe Sadiku? Për momentin janë thjesht pjesë e projektit tim, s’mund të them më shumë. Salihi shënoi një gol të jashtëzakonshëm dhe do ta mbaj nën vëzhgim. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Bulkun e Çanin, ndërsa Dallku vështirë se mund të thirret më”, – nënvizoi mes të tjerash trajneri kuqezi. Nga gazetarët nuk mund të mungonte edhe një koment për Adnan Januzajn si dhe grupin tonë kualifikues për “Euro 2016”. “Mendoj se Januzaj e ka bërë zgjedhjen e tij. Ai po pret të luajë me Anglinë dhe besoj se të gjithë e kanë kuptuar këtë fakt. Në lidhje me vendimin e Shkodran Mustafit për të luajtur me Gjermaninë, unë e respektoj, edhe pse kisha folur me të për t’u afruar në kombëtaren tonë.

 

Në fund De Biasi është ndalur te grupi kualifikues për Francë 2016: “Lidhur me grupin tonë kualifikues e përsëris se na pret një rrugë mjaft e vështirë. Kundërshtarët janë tepër të fortë, ndaj e kam konsideruar grupin më të vështirë dhe më të pafatin për ne. Sidoqoftë, ne do të bëjmë detyrën tonë. Dua të nënvizoj faktin se forca e Shqipërisë në eliminatoret e Europianit 2016 do të jetë përulësia,” ka analizuar De Biazi.

Comments

comments

You must be logged in to post a comment Login