Gavazaj: Nuk po luaj sepse…

Mesfushori Enis Gavazaj e nisi mirë aventurën e tij te skuadra belge Gent pasi që u transferua nga Prishtina në vitin 2013. Megjithatë, futbollisti majtak në këtë edicion është aktivizuar fare pak.

Një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të disa dëmtimeve të cilat e kanë përcjell lojtarin e Kombëtares së Shqipërisë U-21.

19-vjeçari këmbëshpejtë rrëfehet për Gazetën ‘Olle’. “Arsyeja pse nuk jam aktivizuar është fakti se kam pasur probleme me lëndime, ku ky i fundit ishte me Kombëtaren U-21 dhe u detyrova që mos të aktivizohem për rreth katër muaj. Gjithsesi, tani jam mirë dhe jam duke stërvitur me ekipin 100 për qind”, ka deklaruar lojtari, i cili gjatë karrierës së tij, përpos Gentit e Prishtinës, është aktivizuar edhe me Getoarin (klub që tashmë është shuar) dhe Lirinë e Prizrenit.

Gjatë këtij afati kalimtar është përfolur një kalim i Enisit në skuadrën rumune Petrolul Ploiesti. “Po, është e vërtet se ka pasur interesim nga ana e ekipit rumun që tashmë drejtohet nga ish-trajneri im te Genti, Mircea Redniq. Por, Genti ka shprehur dëshirë që të vazhdojë që ta respektojë kontratën. Një ditë pretendoj që të transferohem në ndonjë ekip më të madh dhe se Petroluli“, përfundoi Enis Gavazaj.