Kiço Mustaqi

Entela Resuli

Kiço Mustaqin e takojmë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Ata që ishin pjesë e trazirave të viteve 90’-91 u kujtohet edhe ky emër, i cili mbante mbi supe sigurinë e vendit dhe peshën e ushtrisë. Ajo godinë i sjell shumë kujtime, aty përshëndetet edhe me miqtë, që ndoshta për vite të tëra nuk i ka takuar, e koha i ka lënë gjurmë, aq sa nostalgjia e pushton herë pas here. Ka pasur në dorë vitet më të vështirë të Shqipërisë. Ishte ministër i Mbrojtjes në një kohë trazirash, kur Shqipëria hoqi dorë nga komunizmi dhe ishte drejt rrugës së demokracisë. Konfliktin më të madh në atë periudhë e ka pasur me ish-kreun e vendit, Ramiz Alinë, kur ky i fundi i jepte urdhër të ndërhynte me ushtrinë në turmat protestuese dhe Mustaqi me autoritet nuk e zbatoi asnjëherë atë urdhër. Edhe sot mbahet mend për këtë gjë. Merita e tij më e madhe është se Shqipëria gjatë kohës së ndryshimit nga diktaturë në demokraci nuk pati gjakderdhje. Por të qenit ministër nuk zgjati shumë për të. As jeta në pushet. Pas daljes në pension në vitin 1994 emigron në Greqi, ku punoi edhe si roje objekti për 16 vjet me radhë. E kur e pyet se si ndihet një ish-ministër që përfundon roje, ai përgjigjet duke nënqeshur se “për të puna është nder e lavdi”.

Prej dy vjetësh jeton në Tiranë, së bashku me dy djemtë e tij. “Kam ardhur, se këtu dua t’i lë kockat”, -shprehet Kiço. Pjesën më të madhe të kohës e kalon në kafenenë pranë shtëpisë së ushtrisë. Ne kemi biseduar me të, për të na treguar më shumë për jetën e tij dhe se si e sheh ai politikën shqiptare. Kemi folur me Mustaqin edhe për zgjedhjet presidenciale dhe emrat që ai mendon se e meritojnë.

 

Zoti Kiço! Jeni larguar nga Shqipëria në vitin 1994. Kur jeni kthyer?

Jam kthyer para dy vitesh, në vitin 2010. Që këtej ika si pensionist. Pra, merrja pensionin e pleqërisë si ushtarak. Ndërkohë, një tjetër arsye për largimin nga Shqipëria ishte edhe fakti që isha shumë keq ekonomikisht. Me pensionin tim ishte e pamundur të jetonin gjashtë vetë, ndaj ika në Greqi, atje ku jetonin dy djemtë. Para dy vjetësh u riatdhesova, pasi dhe djemtë më ishin kthyer këtu dhjetë vjet më parë, ndërsa vajza jeton e punon ende atje. Këtu kam ardhur edhe një herë pas vitit 1998, kur ndryshoi qeveria, pasi unë jam dënuar 5 vjet burg, por nuk e vuajta kurrë atë dënim. U akuzova për grusht shteti në vitin 1991.

Kur shkuat në Greqi me çfarë u morët gjatë qëndrimit atje?

Kam punuar si roje nate për 16 vjet në Athinë.

Si ndihet një ministër që përfundon roje nate?

E para, njëherë, unë nuk e kam për turp të punoj. Në periudhën e sistemit që kaluam, unë isha i bindur që puna është nder e lavdi, pasi vetëm me punë mund të jetosh. Për mua, puna është jetë dhe papunësia është vdekje.

Keni pasur kontakte me emigrantët shqiptarë dhe a ju njihnin për pozicionin që kishit më parë?

Pa mbarim në çdo 50 metra në Athinë ka ndonjë kafene shqiptare dhe kam komunikuar me të gjithë personat me rryma të ndryshme politike dhe jam njeri që bisedoj me të gjithë.

Ju prej vitit ‘90-‘91 keni qenë ministër i Mbrojtjes në të dy sistemet. Rotacioni politik, madje edhe përmbysja e një sistemi, ndodhi pa gjakderdhje. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Ushtria ka ruajtur shumë gjakftohtësinë. Ne anuluam programet e shkollave ushtarake, që kryheshin jashtë, dhe vendosëm që programet të bëheshin brenda shkollës. Kjo nuk u zbatua nga forcat e errëta që ekzistonin atëherë. Unë nuk kam përse akuzohem asnjëherë për këtë punë. Por ishin forcat anarkiste shqiptare ato që sulmuan repartet ushtarake dhe Shkollën e Bashkuar. Situatat që u krijuan në shkollat ushtarake ishin aq të rrezikshme, sa duhej vetëm një fije shkrepëseje të ndizej. Nga unë ose nga komandantët e shkollave. Por ne e ruajtëm gjakftohtësinë dhe për këtë arsye nuk pati gjakderdhje. Urdhri që jepte Ramiz Alia për t’u futur ushtria mund të shkaktonte një gjakderdhje shumë të madhe. Në intervistën e parë që ka dhënë Ramiz Alia në një media italiane pas ndërrimit të sistemeve, ka thënë: “Unë e shpëtova Shqipërinë nga lufta civile në një kohë që ushtria po marshonte drejt Tiranës”. Unë në atë kohë i kam kthyer përgjigje që, “ushtria në atë kohë nuk mund të marshonte drejt Tiranës, se shqiptarët atëherë marshonin drejt Athinës, Romës dhe Perëndimit”.

Jeni krenar që e keni shpëtuar Shqipërinë në atë periudhë?

Jashtëzakonisht. Unë nuk kisha para të botoja librin dhe shumë faleminderit Llazi Angjelit, që ma mundësoi, sepse kisha një merak dhe doja t’i jepja një shpjegim popullit tim. Jam shumë i lumtur që nuk u bë gjakderdhja. Jo unë vetë, por e gjithë ushtria vepruam në një mendje. Madje, unë kam arritur t’iu them komandantëve të divizionit që: “Urdhrat do t’jua jap me shkrim. Fillimisht do t’jua jap me gojë, që të bëni parapërgatitjet dhe më pas me shkrim, që të bëni zbatimin siç i them unë. Po i bëtë kundër kësaj, unë do mbaj përgjegjësi morale si ministër dhe ju do të mbani përgjegjësi ligjore. Nëse unë do kem dhënë urdhër në kundërshtim me normat e ligjet e kohës, atëherë do t’ju marrë dhe juve me vete, nëse veproni në të kundërt”. Për këtë arritëm në një emërues të përbashkët me të gjitha komandat në të gjitha veprimet që bënim.

Si iu përgjigjët urdhrit të Ramiz Alisë?

Unë kam marrë urdhra direkt nga Ramiz Alia, edhe drejtpërdrejtë me telefon. Në ministri në mes të 500 ushtarakëve më ka thënë: “Ushtria duhet të futet në turmë, sepse policia nuk i përballon dot”. Unë i kam thënë: “Nuk është detyrë e ushtrisë, por e policisë”. E kam kundërshtuar në mbledhje mes 500 oficerëve të ministrisë.

Pse e kundërshtuat?

Po nëse unë do të prisja të bëhej mbledhja e byrosë politike, atëherë ata 500 oficerët që ishin atje nuk do ta kishin marrë vesh se çfarë do të kisha thënë unë në byro. Ne kishim një rregullore të firmosur nga Enver Hoxha, që thoshte se: “Çdo urdhër që jepet në kundërshtim me interesat e popullit, nuk duhet zbatuar”. Atëherë kur ti ke firmosur një urdhër të tillë, si do të mundem unë të futem kundër popullit. Unë nuk isha për gjak dhe nuk u bë gjak nga ushtria. Po them që, ai skenar që u zbatua në vitin 1997, që u hapën depot dhe u mbush gjithë Ballkani me armë, ai skenar ishte për t’u zbatuar. Prandaj, bëheshin provokacionet në repartet ushtarake dhe në Shkollën e Bashkuar.

Ju mendoni se ishte dikush që e hartonte një skenar?

Domosdo që ishte dikush. I pari ishte Ramiz Alia. Demonstratat e asaj kohe i organizonte ai. Kuptohet në bashkëpunim me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike.

Pse mendoni që i organizonte Ramiz Alia?

Nëse atëherë ju kujtohet, ose po të shikojmë filmimet e kohës, të gjithë ata që ishin me Partinë Demokratike, që nga Ramiz Alia e deri tek Sali Berisha, të gjithë mbanin pardesy të bardha dhe kur dilnin jashtë shtetit ata visheshin me të njëjtat pardesy të bardha. Do thoni ju, pse vishnin pardesy të bardha? Ata i vishnin, që të njiheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe të mos i ngacmonin. Të tjerëve iu thonin: “ngrihuni e demonstroni!” dhe mua, Kiços, më thoshin: “ndërhyni tek demonstruesit!”. Qëllimi i ushtrisë ishte të mos futeshin njerëzit në ambasada, por jo t’i vriste. Nuk kishim qëllim për të vrarë, se po të ishte për të vrarë ne armët në dorë i kishim.

Ju ’97-ën e keni ndjekur nga Greqia?

Po, nga Greqia. Unë nuk mund të vija këtu. Madje, në ’96 mua më vdiq nëna dhe unë nuk erdha këtu, pasi fotografia ime gjendej në çdo pikë kufitare. Isha i dënuar dhe nëse vija mund të arrestohesha. Akuza që rëndonte mbi mua në atë kohë ishte qesharake, pasi akuzohesha për grusht shteti në një kohë kur pushtetin e kisha vetë. Grusht shteti do të thotë të marrësh pushtetin. Grusht ishte ai 1998-ës. Nëse do ishte për grusht shteti, duhet të ankohej Ramiz Alia ose Adil Çarçani, të cilëve mund t’iu merrja pushtetin. Kështu që nuk mund të ishte grusht shteti ai për të cilën jam dënuar.

 

 

Enveri dhe Ramizi për Kiço Mustaqin

 

Kur i keni pasur kontaktet e fundit me Ramiz Alinë?

Që kur kam ikur në emigracion nuk kam kontaktuar më me të. Nuk kisha kontakte me të.

Si e morët vesh vdekjen e Alisë, shkuat në varrim?

Fatkeqësisht isha në Greqi dhe e mora vesh nëpërmjet televizorit. Po, do t’i vija në varrim. Do t’i vija, pasi ne kemi punuar bashkë. Mua edhe më ka dekoruar. Vetëm ai mund të ma thoshte, se pse me jepte urdhra të tillë. Edhe Fatos Nano më ka dhënë urdhër pas Ramiz Alisë. Mua me erdhi keq, se përpos të gjithave edhe më ka vlerësuar, madje një nga vlerësimet e tij ishte: “Kiço Mustaqin e do ushtria”. Dhe më donte vërtet.

Ka pasur njerëz që ju kanë qëndruar pranë dhe ju kanë mbështetur në atë kohë?

Gjithë Ministria e Mbrojtjes, gjithë ushtarakët. Me përjashtim të dy vetëve, të cilët sa u bëra shef i Shtabit të Përgjithshëm më akuzuan se do të ekzekutoja Byronë Politike. Madje, një Luto Haskaj, që e kam pasur sekretar dhe kam punuar më të, ishte anëtar i Byrosë Politike dhe më pas u bë sekretar kur unë isha komandat i Korpusit të Tiranës. Sa u bëra shef i Përgjithshëm i bën letër Enver Hoxhës që: “Kiço Mustaqi, kur ishte shef i Shtabit, kishte plan të asgjësonte Byronë Politike kur ishte me pushime në Durrës. Enver Hoxha ishte gjallë në atë kohë. Ishte viti 1982. Kjo letër e firmosur nga Luto Haskaj dhe komandanti i Brigadës së Tankeve, Servet Demiri, më ra në dorë edhe mua. Askush nuk e mori në analizë këtë problem. As Enver Hoxha vetë. Unë vajta në korpus dhe i mblodha ata që e kishin firmosur dhe ata që njiheshin me këtë lloj sekreti. Iu thashë që: “Do t’ju lexoj një material”. Ata u habitën. Ishte letra origjinale me firmën e tyre. Iu thashë: “Po dëgjuat gjë, që asgjësohet Byroja Politike, qoftë edhe një anëtar, menjëherë duhet njoftuar Byroja dhe shoku Enver. Nuk duhet t’i ndodhë gjë Byrosë!”. Luto më tha: “Shoku Kiço! Mos u tall me mua!” “ – Është letra jote, – i thashë. Urdhëro, shihe! Edhe unë nuk mund të them që ke bërë gabim”. Shikoni çfarë njerëzish kemi pasur! Domethënë, e keqja na ka ardhur nga brenda, nga shokët e ngushtë.

 

Po Enver Hoxhën, kur e keni takuar për herë të parë?

Në vitin 1982. Duhet të ketë qenë muaji tetor, para se të emërohesha Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Marrëdhëniet i kam pasur shumë të mira. Çdo gjë që i kam raportuar Enver Hoxhës, ai më ka dëgjuar me vëmendje. I ka aprovuar mendimet. Kishte një kulturë tepër të lartë.

 

 

“Sot jemi në diktaturë”

 

Ju zoti Kiço keni qenë pushtetar i lartë në atë kohë. Si e gjykoni atë regjim?

Po. Isha ministër, shef shtabi, deputet. Përveç luftës së klasave, të tjerat kanë qenë jo pozitive, po shumë pozitive. Nuk mund ta shajmë ne Enver Hoxhën pse bëri hidrocentralet dhe kur thoshte që do mbarojë në këtë muaj e mbaronte. Tirana kishte ujë 24 orë, sot na vjen uji me orar. U ndërtuan në atë kohë termocentrale, sot ato janë bërë skrap. Nuk mund ta quajmë gabim pse u bënë hekurudhat, pse u thanë kënetat e pse u bënë kanalizimet e thella e nuk kishte përmbytje. Nuk mund ta quajmë gabim që ai nuk lejoi drogën e prostitucionin, e që nuk lejoi hakmarrjen. Për mos të folur pastaj për arsimin. Pse t’ia ngarkojmë Enver Hoxhës këto? Ndërsa këtë shtet sot nuk mund ta quaj demokraci, por anarki, sepse po shkon mbrapsht dhe ka gjithë këtë papunësi. Pra ajo qeveri, ajo parti, nuk i la trashëgim kësaj qeverie veset e këqija, por vetëm të mira. Korrupsion nuk kishte, ndaj korrupsionin duhet të na e sqarojë Saliu dhe Fatosi, që morën pushtetin më pas. Ai regjim ka pasur mëkate, por ka pasur edhe shumë gjëra të mira.

 

Ju u kthyet në vitin 2010. Si e gjetët shtetin e kësaj periudhe?

Shqipëria nuk ka qeveri. Nuk ka drejtësi. Kur them nuk ka drejtësi, e them duke filluar që nga vetja ime, që jam në gjyq për një pension që më takon, atë të deputetit dhe çështja ime është në gjykatë me sigurimet shoqërore. Nëse më parë kishin rezerva të kundërshtonin Enver Hoxhën, tani anëtarët e Partisë Demokratike kanë rezerva të kundërshtojnë Sali Berishën. A quhet demokraci kjo!?

 

 

 


“Edi Rama Kryeministër, e mori Tiranën me bajga dhe e lulëzoi”

 

“Fatos Nano? Nuk bën për President!”

 

 

Jemi në një periudhë kur po shpallen kandidaturat për president. Si iu duken emrat e përfolur?

Emra për presidentë ka shumë. Unë si Kiço kam hequr dorë dhe nuk merrem më me politikë, sepse kam e bërë atë në kohën e partisë time dhe përderisa atëherë kam bërë atë politikë që kam bërë, nuk dua ta ndyj tani. Por dhe mosha nuk ma lejon. Kur i thonë Saliut që ka komunistë në PD, jo më mua që kam qenë në Byronë Politike.

Unë e dëgjova Fatos Nanon në intervistën e fundit. Kam rezerva për të. Ai nuk bën për president. Nuk më duken të arsyeshme ato që ka bërë ai për Partinë Socialiste, ndërsa tani ul hundën dhe i kërkon votat. Ilir Meta prej Fatos Nano iku nga PS. Nga politikanët e vjetër nuk mendoj se vlen ndonjë për president. Të gjithë ata që janë marrë me politikë deri më tani nuk e meritojnë. Po qe për mua, kryeministër deri më tani e meriton Edi Rama. Pse do thoni ju? Se Rama e mori me bajga Tiranën dhe sot e shikoni më të lulëzuar. Dhe me shpirt nëpër dhëmbë e ka bërë këtë, sepse e kanë luftuar. Ai ka qenë këmbëngulës, duke pasur kundërshtarë eprorët e tij. Është serioz dhe di të punojë për të mirën e popullit. Më mirë nga të tjerët.

Për president do të isha i mendimit për Servet Pëllumbin, ndërsa nga Partia Demokratike jam për Besnik Mustafajn.

Pse jeni kundër Nanos President?

Fatosi nuk është mirënjohës ndaj njerëzve të tij, së pari. Pastaj ndaj Partisë Socialiste. Ai nuk i solli asnjë të mirë Shqipërisë, kur ishte kryetar shteti. Vetes së tij i solli të mira, po! Ai do të bëhet president i shqiptarëve, por ai nuk jeton në Shqipëri. Do të jetë turp i madh po të votohet për president!

 


 

“Berisha nuk më zgjidhi problemin e strehimit”

 

E njihni Berishën, keni pasur kontakte me të?

Kur ishte doktor. Një herë kam pasur kontakt me të. I kam shkuar gjatë kohës që ishte president, por nuk ma zgjidhi problemin. Bëhej fjalë për punën e strehimit.

Keni kontakte me politikanët shqiptarë?

Jo. Duke ditur që ata kanë punën e tyre, nuk dua t’i bezdis. Unë ndoshta dhe iu prish punë atyre. Madje, nëse bëhet fjalë për ndonjë politikan që i përket Partisë Demokratike, atë e përjashtojnë nga partia.

Keni kërkuar azil politik në ShBA?

Po. Kam kërkuar. Doja të shkoja më shumë për fëmijët, nëse do ma jepnin. Por nuk arrita ta merrja.