Të fshehtat e ish-sekretares së Byrosë Politike dhe bashkëshortit të saj. Për eliminimin e Liri Gegës, Enver Hoxha u akuzua ashpër edhe nga Hrushovi.

Liri Gega e Dali Ndreu me familjen

Liri Gega e Dali Ndreu me familjen

Për eliminimin e Liri Gegës, Enver Hoxha u akuzua vetëm disa vite më vonë pas vrasjes së saj nga Hrushovi. Ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik do i përmendte Enver Hoxhës ekzekutimin pa të drejtë të ish-anëtares së Byrosë Politike dhe të bashkëshortit të saj, Dali Ndreut, ekzekutim që u bë në kohën kur Liri Gega ishte shtatzënë.

Plot katër muaj pas pushkatimit të tyre, Hrushovi çështjen e Liri Gegës dhe Dali Ndreut ia ngriti ballë për ballë Enver Hoxhës gjatë bisedimeve në Moskë në prill të vitit 1957. Kreu i PK të Bashkimit Sovjetik, në shtëpinë e tij e qortoi ashpër Enverin për barbarinë ekstreme në ekzekutimin e këtyre dy figurave të rëndësishme të lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare. “Dënimi i Dali Ndreut dhe Liri Gegës me pushkatim ishte një gabim shumë i rëndë”, e kritikoi lideri i Moskës homologun nga Tirana. Enveri nga ana tjetër u mundua të argumentonte me mënyrën e vet fajësinë e tyre si elementë antiparti me një aktivitet të zgjeruar agjenturor në dëm të interesave kombëtare. Debatet vazhduan disa çaste. Pastaj Hrushovi me një ndërhyrje të papritur, e la Enverin të shtangur. “Ju nuk pushkatuat dy, por tre”, i tha mikut nga Shqipëria, duke i kujtuar faktin që Liri Gega u ekzekutua kur ishte shtatzënë. Akuza në adresë të autoriteteve shqiptare këtë radhë bëhej më kritike. Do të përmendej kjo shkelje e rëndë sipas sovjetikëve edhe pas divorcit historik me Kremlinin, ku vihej në dukje jo për herë të parë se Liri Gega ishte shtatzënë kur u pushkatua.

Ajo do të ishte e vetmja anëtare e Byrosë Politike që do të dënohej me vdekje. Misteret që mbuluan Liri Gegën gjatë gjithë jetës së saj vijnë sot në rubrikën “Sekretet e njerëzve të vdekur” në Tirana Observer. E cilësuar nga bashkëkohësit e saj herë si një agjente e jugosllavëve dhe herë si viktimë e Enver Hoxhës, ajo tërhoqi në fatin e saj edhe bashkëshortin, ushtarakun e lartë Dali Ndreu, i cili vlerësohej si një nga figurat më të nderuara gjatë Luftës.

Pse u akuzua Liri Gega

Ajo akuzohej se gjatë Luftës kishte pasur lidhje të ngushta me Mugoshën, duke bërë që ajo të zbatonte vendimet e tij. Por lidhja e Liri Gegës me jugosllavët do të vazhdonte edhe pas çlirimit, dhe më shumë pas prishjes së marrëdhënieve me vendin fqinj. Kjo do të bënte që veprimtaria e saj të shihej me dyshim, dhe për këtë gjë të akuzohej si agjente e jugosllavëve. Por ka edhe një pjesë të bashkëkohësve të saj, të cilët mendojnë se e gjitha ishte një lojë e Enverit për të eliminuar rivalët e tij. Këtë ata e bazojnë në mospasjen e provave për të cilat çifti Gega-Ndreu u akuzua.

Gjyqi i “agjentëve të jugosllavëve”

Akuzat ndaj të ashtuquajturit grup spiunazhi, të kryesuar nga Liri Gega dhe bashkëshorti i saj, Dali Ndreu, në të shumtën e rastit do të ishin të pabaza dhe pa fakte. Gjyqi do të zhvillohej me dyer të mbyllura dhe do të ndiqej drejtpërsëdrejti nga Enver Hoxha nëpërmjet një lidhjeje direkte që Ministria e Mbrojtjes kishte arritur të bënte. Si kryetar i trupit gjykues ishte zgjedhur Aranit Çela. Dosja kishte shumë mangësi. Hetuesit, Daliut i kishin marrë një firmë në letër të bardhë dhe më pas atje kishin shkruar se gjoja ai thoshte: “Liri, nuk kemi nga t´ia mbajmë, prandaj duhet t’i tregojmë të gjitha ç’kemi bërë dhe të bëjmë autokritikë”. Kur Daliu tha se nuk e pranonte akuzën, Liria ndërhyn duke i thënë se si nuk e pranonte, pasi e kishte bërë edhe Lirinë ta pranonte atë. Atëherë Daliu, që nuk po kuptonte gjë, pyeti se ç’ishte kjo letër. Që këtu u pa se gjyqi ishte i dyshimtë dhe kishte kamuflim në të dhe të tjera gjëra të parregullta. Gjykimi i Dali Ndreut dhe Liri Gegës u bë në një sallë të veçantë që përdorej për gjyqe speciale pranë Gjykatës së Lartë. Sipas dokumenteve të asaj kohe, në këtë sallë bëheshin ato gjyqe që nuk duhet të merreshin vesh. Pasi përfundoi hetuesia, të pandehurve iu bënë akuza edhe se ishin spiunë të jugosllavëve, se bënin agjitacion dhe propagandë për përmbysjen e pushtetit popullor, se kishin tentuar të arratiseshin jashtë shtetit. Së bashku me Dali Ndreun dhe Liri Gegën gjykoheshin edhe Petro Bullati e Astrit Gega, vëllai i Lirisë. Aludohej se ky i fundit kishte dijeni mbi veprimtarinë e Daliut dhe Lirisë, dhe akuzohej se edhe ai ishte pjesëmarrës në veprimtarinë të quajtur armiqësore.

 

Liri Gega, e dyta lart, majtas

Liri Gega, e dyta lart, majtas


Provat e përdorura gjatë gjyqit

Në dosjen gjyqësore të kësaj çështjeje del se më pas Daliu shkoi në Sllovë, në shtëpinë e tij së bashku me Lirinë. Këta të dy kishin kohë që ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit, që nuk munguan edhe në këtë largim nga Tirana. Daliu kishte shkuar të qëndronte disa ditë në shtëpinë e tij, pasi djalin e kishte të sëmurë. Duke e nuhatur që vëzhgohej nga Sigurimi, vendosi të kthehej në Tiranë. Sigurimasat që ishin përgatitur ta arrestonin në tentativë për arratisje gjoja, i kishin marrë të gjitha masat dhe e vunë Daliun në pranga. Dihej që akuza ishte tentativë arratisjeje.

Dënim me vdekje për Dali Ndreun dhe Liri Gegën

Por gjyqi i çiftit u shoqërua gjatë gjithë kohës me masa të rrepta sigurie dhe e gjitha kjo për shkak se ishin hapur fjalë sikur agjentura jugosllave donte ta rrëmbente Daliun. Kështu që për ruajtjen e tij u morën masa të rrepta. U përforcua gjykata me roje, u krijua një komision qeveritar që do të merrej me sigurimin e zhvillimit të gjyqit dhe mbrojtjen e gjyqtarëve. Komisioni kryesohej nga Beqir Balluku. Në momentin kur trupit gjykues i takonte të jepte dënimin, ai nuk ishte i bindur nëse duhej të jepnin dënimin kapital apo jo. Por sipas dokumenteve të asaj kohe, Enver Hoxha ishte shprehur se dënimi i tyre duhet të ishte kapital, por nuk do të pushkatoheshin. Shprehimisht ai kishte thënë: “Do t’i dënojmë si persona të vjetër të agjenturës jugosllave. Me këtë nuk do të dënojmë Daliun dhe Lirinë, por Jugosllavinë për veprimtarinë e saj. Ta marrë vesh Jugosllavia që ne jemi në gjendje të zbulojmë armiqtë, që ky vend mundohet të nxisë kundër pushtetit popullor”. Në bazë të urdhrit të Enverit, trupi gjykues dha dënimin me vdekje për çiftin Ndreu. Por ish-udhëheqësi komunist nuk u a fali jetën dy bashkëluftëtarëve të tij, megjithëse Liri Gega ishte shtatzënë. Ende edhe sot nuk dihet vendi se ku janë ekzekutuar dy bashkëshortët.

Lidhjet e Liri Gegës me jugosllavët

Marrëdhëniet e Liri Geges me jugosllavët do të fillonin që në vitet e Luftës. Duke qenë sekretare e Byrosë Politike gjatë luftës ajo kishte shumë mundësi të qëndronte pranë Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit, dy komunistëve jugosllavë që i jepnin direktivat e tyre Partisë Komuniste Shqiptare. Ajo u lidh shumë me jugosllavin Dushan Mugosha, i cili e mbajti afër duke influencuar në ideologjinë e saj. Megjithëse të gjithë pranonin se punën e Dushan Mugoshës dhe Liri Gegës askush nuk e kundërshtonte hapur. Miqësia me jugosllavët vazhdoi edhe pas luftës si dhe gjatë kohës kur marrëdhëniet midis dy vendeve do të prisheshin. Por do të mjaftonte vetëm një takim me një punonjës të ambasadës jugosllave në vitet ’50 që hija e dyshimit të binte mbi ish-anëtaren e Byrosë Politike, Liri Gega dhe gjeneralin e njohur, Dali Ndreu, dhe një lumë akuzash do të ngriheshin kundër tyre.

Akuzat për Liri Gegën si vrasëse e Mustafa Gjinishit

Mbi supet e Liri Gegës do të rëndonin edhe një lumë akuzash të hedhura nga disa prej bashkëluftëtarëve të saj. Ajo u akuzua si njeriu që dha urdhër për ekzekutimin e Mustafa Gjinishit si dhe shumë personave të tjerë. Ajo akuzohej edhe si ekstremiste dhe që nuk falte as për një gabim fare të vogël. Vendimi i saj për çdo gabim ishte ai maksimal. Në fonogramin e saj, Liri Gega njoftonte nga Peshkopia “se detyra u krye”, dmth Gjinishi ishte vrarë.

Le të citojmë në këtë rast edhe diskutimin e Sejfulla Malëshovës në Plenum. Aty, mes të tjerash, tha: “Për herë të parë mora vesh punën e Mustafa Gjinishit. Një nga të dyja; ose ai ka qenë tradhtar i Partisë dhe i popullit, ose ai ka bërë gabime, e për gabime nuk vriten njerëzit. Përveç kësaj, mënjanë e vrasin Mustafa Gjinishin, në anë tjetër e quajmë hero para popullit e organizatave. Këto metoda jezuite nuk kanë të bëjnë fare me Partinë Komuniste. Terrorizmi në Parti, në popull e ushtri, tregon dobësinë e vijës sonë politike, e dyta, mosbesimin që kemi në popull, e treta që nuk kemi lidhje me masat. Me terror i zgjidhim të gjitha. Nuk u çudita kur më thanë se sa brutal e terrorist, aq më komunist ishte. Kështu duken simptomat e degjenerimit, nga një parti politike, në një bandë kriminelësh. Urrejtja, që thotë Shulja (Kristo Themelko), është tjetër, dhe të bësh krim është tjetër gjë. Kështu që sektarizmi degjeneroi në terror dhe terrori shumë herë në krim”.

Në tekstin e plotë të urdhrit të Enver Hoxhës, komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të datës 26 gusht 1944, lidhur me vrasjen e Mustafa Gjinishit shkruhet: “Në Frontin e Maqellarës e të Dibrës, ku forcat e Divizionit të parë S nën komandën e gjeneralmajorit Dali Ndreu, pesë ditë rresht luftuan me tërbim kundër forcave të mëdha gjermane dhe zogiste, të cilat u shpartalluan keqas me humbje të mëdha, ra dëshmor në fushën e nderit nënkolonel Mustafa Gjinishi, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Mustafa Gjinishi, luftëtar i palodhur dhe i patrembur, pa kursyer asgjë dha jetën në vijat e para të luftës për çlirimin e Atdheut dhe të popullit shqiptar. Humbja e tij duhet të na nxisë për ta ashpërsuar dhe më tepër luftën kundër okupatorëve dhe shërbëtorëve të tij. Në shenjë zie dhe për të nderuar kujtimin e shokut Mustafa Gjinishit urdhërojmë të ulim flamurin në gjysmë shtize për tri ditë rresht që prej datës së sotme. Lavdi heronjve tanë të rënë në fushën e nderit!” Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha.

Liri Gega ne nje mbledhje te partise

Liri Gega ne nje mbledhje te partise

Fakte mbi gjyqin

-Në vitin 1949 dënohet personaliteti i parë që akuzohej si bashkëpunëtor me jugosllavët. Në atë kohë ishte pikërisht Koçi Xoxe ai që mbante postin e ministrit të Brendshëm dhe cilësohej si njeriu më i afërt i udhëheqësit komunist, Enver Hoxha.

-26 gusht 1944, në Dibër u vra Mustafa Gjinishi, një nga kuadrot e Luftës Nacionalçlirimtare. Për këtë vrasje u akuzua Liri Gega, se kishte dhënë urdhër për ekzekutimin e tij. Kjo u vërtetua me anën e një letre që Liri Gega dërgonte në atë kohë.

-Në vitin 1956, pikërisht në muajt e parë të këtij viti arrestohet çifti Dali Ndreu dhe Liri Gega me akuzën e njohur mirë në atë kohë si agjentë të jugosllavëve.

-Në fund të vitit 1956 merret vendimi që Dali Ndreu dhe Liri Gega do të pushkatohen. Ky vendim shkon në duart e Enver Hoxhës, me qëllimin që ky i fundit do të jepte një lloj amnistie, duke u paraqitur si një njeri i drejt. Gjë kjo që nuk ndodhi, pasi Enveri thjesht konfirmoi vendimin e gjykatës, duke thënë që ne me këtë nuk godasim Lirinë dhe Daliun, por vetë Jugosllavinë.

-Dhjetor i vitit 1956, çifti i njohur i asaj kohe Dali Ndreu dhe Liri Gega pushkatohen në një vend të fshehtë. Ky pushkatim nuk ishte as i pari dhe as i fundit në epokën e drejtimit të vendit nga Enver Hoxha.

Jetëshkrimi

EMRI: Dali

MBIEMRI: Ndreu

VENDLINDJA: Dibër

Aktiviteti

Në vitin 1935, Daliu merr pjesë në Lëvizjen e Fierit dhe nga ajo pjesëmarrje dënohet me burg. Pas lirimit nga burgu, shkon në Itali dhe ndjek fakultetin e Shkencave Ekonomike në Firence, nga ku i ndërpret studimet kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë.Menjëherë hyn në lidhje me grupet e rezistencës kundër fashizmit e vepron si antifashist.

Në vitet 1940-1941 inkuadrohet në radhët e formacioneve partizane. Për meritat e tij, bazuar edhe te kontributi historik i familjes, me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare caktohet zëvendëskomandant i Shtabit, pra figura numër dy e luftës partizane. Por njëherësh shquhet si një komandant i zoti me aftësi dhe reputacion.

Brigada III Sulmuese ishte formacioni ushtarak që ai drejtoi në fillimet e Luftës Nacionalçlirimtare.

Pas 24 Majit 1944 drejtoi Divizionin I Sulmues.

18 gusht 1944 drejtoi Korparmatën I të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, i pari dhe më i madhi i formacioneve ushtarake deri atëherë.

Në krye të Korparmatës I, ai drejtoi mjeshtërisht veprimet e njësiteve luftarake të shumta për çlirimin e Tiranës, njëherazi ato për çlirimin e Lezhës dhe të Shkodrës etj., deri në çlirimin e plotë të të gjithë Shqipërisë.

Në vitin 1956 Dali Ndreun e arrestojnë me akuza si bashkëpunëtor i jugosllave së bashku me bashkëshorten e tij, Liri Gega, e cila ishte një tjetër kuadro e asaj kohe.

Dhjetor i vitit 1956 pushkatohet Dali Ndreu dhe Liri Gega në një vend ku nuk u mor vesh kurrë se ku.

Jetëshkrimi

Emri: Liri

Mbiemri: Gega

Datëlindja: 1918

Vendlindja: Gjirokastër

Aktiviteti

Në vitin 1940 ishte mësuese në Institutin “Nëna Mbretëreshë”, pasi familja e saj shpërngulet nga qyteti i Gjirokastrës.

Në vitin 1941, Liri Gega ishte anëtare e Grupit Komunist të qytetit të Korçës, ku bënin pjesë dhe Fiqret Shehu dhe Nexhmije Xhunglini (Hoxha).

Nga viti 1941 ishte anëtare e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste.

Në vitin 1946 u martua me Dali Ndreun, një prej ushtarakëve më të lartë të asaj kohe.

Në vitet 1945-1948 ka qenë deputete e Kuvendit dhe një nga drejtueset kryesore të Organizatës së Gruas Shqiptare.

Në vitin 1956 arrestohet si agjente e jugosllavëve.

Në dhjetor të vitit 1956 Liri Gega së bashku me bashkëshortin e saj, Dali Ndreu, pushkatohen në një vend që nuk u mor vesh kurrë. / Tirana Observer

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment