SV Albania, ekipi shqiptar në Austri

388009_274508002654628_1893980510_n (1)

Asport – Në Vjenë jeton një numër relativisht i madh shqiptarësh, rinia sportdashëse shqiptare në Austri dita-ditës po rritet, ata aktivitetet sportive janë duke i zhvilluar gati në të gjitha sportet.

Mërgata shqiptare ishte e njohur për sportet luftarake këtu, por këtë vit në Vjenë u themelua edhe ekipi i futbollit SV Albania. Ekipi garon në ligën e katërt të Austrisë. Mair Istrefi nga Struga, i cili është edhe sekretar i këtij klubi, tregon se, duke parë nevojën e kamotshme të rinisë shqiptare në këto anë për integrim dhe organizime të mirëfillta ekipore, së bashku me kushëririn e tij dhe dy bashkatdhetarë të tjerë, morën  iniciativën për themelimin e klubit futbollistik “SV Albania”.

“Ne kemi kaq shumë të rinj të zellshëm e të talentuar, ku shumë nga ata nuk po mund e gjejnë veten në ekipet tjera. Në mënyrë që ata të mos bredhin rrugëve, themelimi i klubit ishte nevojë e domosdoshme, ndaj edhe me të shpejtë u mbajt një mbledhje, ku u diskutua gjerësisht për themelimin dhe startimin e ekipit, për çka edhe u formua kryesia dhe u zgjodh edhe trajneri, Lulzim Bojku, kurse kapiten i ekipit është Robert Gjinaj. Në këtë klub ka anëtarë nga Struga, Kosova, Tetova, Presheva, Kumanova, me një fjalë nga të gjitha trevat shqiptare. Qëllimi ka qenë, që me formimin e këtij klubi, të mos mbetemi prapa të tjerëve, por ata të rinj që kanë talent për këtë lojë, ta shprehin, për ta ruajtur rininë tonë të shëndoshë, larg alkoolit, drogës dhe dukurive të tjera”, – thotë Istrefi.

“Pasi bëmë regjistrimin pranë organeve kompetente, ne u informuam se një klub nga liga e katërt, po nga ky rajon, ishte në shuarje e sipër, ne mobilizuam forcat dhe blemë të drejtën e garimit në këtë kategori. Siç e dini, në Austri ekzistojnë 8 liga gjithsej dhe secila në fillim starton në ligën e tetë. Ajo që me gëzon më së shumti është se ekipi po tregon rezultate fenomenale në këtë kategori. Jemi befasia më e këndshme e kampionatit, jemi të pestët, me 24 pikë, nga 12 ndeshje të zhvilluara. Shpresojmë shumë që të kemi vazhdimësi, pse jo, edhe të ngjitemi në ligën e tretë në dy-tri vitet e ardhshme”, – tregon Mair Istrefi.

Në sajë të një disipline të rrallë, kulture të lartë sportive dhe sjellje të mirë e kolegjiale brenda ekipit, klubi që tani në fillim të sezonit vjeshtor arriti një rezultat të shkëlqyeshëm Siç thotë trajneri Lulzim Bojku, ambiciet e klubit, kryesisë dhe vetë lojtarëve janë që këtë vit të stabilizohen në këtë kategori, pastaj së bashku të synojnë që brenda një afati të shkurtër të ngjiten në ligën e tretë. Ndaj edhe që të gjithë po punojnë maksimalisht për të arritur cakun e dëshiruar. Se këto synime janë reale, këtë e dëshmon edhe rezultati i arritur që në start të këtij sezoni.

Për këto arritje, kryetari i klubit, në radhë të parë, falënderon shumë trajnerin-lojtar Lulzim Bojku, për angazhimin dhe suksesin e arritur, por edhe kolegjialitetin e disiplinën që mbretëron brenda lojtarëve. Ai po ashtu është i kënaqur edhe me faktin se të gjitha punët administrative janë kryer me kohë. “Mund të them lirisht se, me ndihmën e sponsorëve kemi arritur pa asnjë problem të sigurohemi me veshmbathje për lojtarët dhe mjetet tjera për ushtrime. Kuptohet, ne kemi nevojë edhe për më shumë mjete, ndaj edhe lus kompanitë shqiptare, bashkatdhetarët dhe qytetarët tjerë nga Austria që të na ndihmojnë edhe më tej dhe të përcjellin çdo lojë, ngase çdo mbështetje e tillë do të jetë edhe motiv e nxitje më tepër për sukseset e djelmoshave tanë të zellshëm”, – thotë kryetari i klubit Nderim Istrefi

/sportishqiptar/

You must be logged in to post a comment Login