RREGULLORE E FESTIVALIT TË 58 TË KËNGËS NË RTSH

Neni 1

TË PËRGJITHSHME

  1. Rregullorja e Festivalit të 58 të Këngës në RTSH (të cilës do t’i referohemi “Rregullorja”) përcakton procedurën e organizimit, të zhvillimit dhe të prodhimit të Festivalit të 58 të Këngës në RTSH (të cilit do t’i referohemi “Festivali”). Festivali organizohet, zhvillohet dhe prodhohet nga Radio Televizioni Shqiptar (të cilit do t’i referohemi “RTSH”).
  2. Festivali është një aktivitet artistik muzikor periodik, është një konkurs i këngës, që karakterizohet nga sistemi i vlerësimit të këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival si dhe të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival, nga sistemi i eleminimit të drejtëpërdrejtë të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival si dhe nga shpallja e këngës fituese të Festivalit.
  3. Festivali zhvillohet në gjysmën e dytë të muajit dhjetor të vitit 2019, në Pallatin e Kongreseve, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë. Drejtori i Festivalit me vendim përcakton datat në të cilat do të zhvillohet Festivali, numrin e këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival si dhe numrin e netëve përbërëse të Festivalit, ku nata e fundit është nata finale e Festivalit në të cilën shpallet kënga fituese e Festivalit dhe netët e tjera të Festivalit janë netë konkurruese.
  4. Festivali transmetohet në formë ekskluzive dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë në kanalet televizive të platformës transmetuese të RTSH.

Neni 2

ORGANIZMAT E FESTIVALIT

  1. Drejtori i Festivalit
  1. Festivali drejtohet nga Drejtori i Festivalit. Drejtori i Festivalit është Drejtori i Përgjithshëm i RTSH.  
  2. Drejtori i Festivalit është përgjegjës për:
  1. organizimin, drejtimin dhe zhvillimin e Festivalit;
  2. përcaktimin e afatit brenda të cilit duhet të dorëzohen këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival;
  3. emërimin dhe shkarkimin e Drejtorit Artistik të Festivalit. Drejtori i Festivalit mund të emërojë më shumë se 1 (një) drejtor artistik të Festivalit. Për çdo mosmarrëveshje midis drejtorëve artistikë të Festivalit, vendos Drejtori i Festivalit.
  4. emërimin dhe shkarkimin e Drejtorit Muzikor të Festivalit;
  5. emërimin dhe shkarkimin e Drejtorit Teknik të Festivalit;
  6. emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të komisionit përzgjedhës të këngëve në cilësinë e këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival;
  7. emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Jurisë së Festivalit;
  8. emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të komisioneve të ndryshëm, të cilët ushtrojnë detyra të caktuara në kuadër të Festivalit;
  9. emërimin dhe shkarkimin e autorëve të Festivalit, në cilësinë e autorit të skenarit letraro - artistik dhe të autorit të regjisë;
  10. emërimin dhe shkarkimin e drejtuesit (prezantuesit) të Festivalit;
  11. kontrollin, zbatimin dhe administrimin e preventivin financiar të miratuar të Festivalit;
  12. nënshkrimin e kontratave me individët, personat fizikë, personat juridikë, të cilët furnizojnë RTSH me mallra, me mallra me qira, me mjete teknike me qira, me mjete televizive me qira, me ambiente dhe salla me qira, me shërbime apo kryejnë punë për RTSH në kuadër të prodhimit të Festivalit;
  13. nënshkrimin e kontratave (i) me autorët e Festivalit, (ii) me autorët e teksteve, me autorët e kompozimeve muzikore të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival, (iii) me artistët interpretues dhe/ose ekzekutues në cilësinë e aktorëve, këngëtarëve të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival, muzikantëve, instrumentistëve, valltarëve, dirigjentëve të orkestrës ose të korit, të cilët paraqesin, aktrojnë, këndojnë, recitojnë, luajnë, interpretojnë, ekzekutojnë, drejtojnë orkestrën ose që shfaqin në mënyra të tjera vepra letrare dhe artistike apo shfaqje të çdo lloji në Festival, (iv) me prodhuesit e fonogrameve të këngëve pjesëmarrëse jo konkurruese në Festival;
  14. koordinimin, administrimin dhe mbikqyrjen e marrëdhënies juridike me individët, personat fizikë, personat juridikë, të cilët furnizojnë RTSH me mallra, me mallra me qira, me mjete teknike me qira, me mjete televizive me qira, me ambiente dhe salla me qira, me shërbime apo kryejnë punë për RTSH në kuadër të prodhimit të Festivali;
  15. çdo detyrë tjetër të përcaktuar në këtë Rregullore.
  1. Drejtori Artistik i Festivalit

Drejtori Artistik i Festivalit është përgjegjës për:

  1. drejtimin artistik të Festivalit;
  2. vlerësimin, përcaktimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen e zgjidhjeve dhe zgjedhjeve artistike të Festivalit;
  3. zgjedhjen e artistëve interpretues dhe/ose ekzekutues, në cilësinë e aktorëve, muzikantëve, këngëtarëve, instrumentistëve, valltarëve, të cilët aktrojnë, këndojnë, recitojnë, luajnë, interpretojnë dhe/ose ekzekutojnë në cilësinë e artistit interpretues dhe/ose ekzekutues të ftuar në Festival;
  4. përcaktimin, kontrollin dhe mbikqyrjen e çdo performance, interpretimi dhe/ose ekzekutimi në Festival;
  5. përcaktimin, kontrollin dhe mbikqyrjen e aktorëve, këngëtarëve, muzikantëve, instrumentistëve, valltarëve, të cilët aktrojnë, recitojnë, luajnë, interpretojnë dhe/ose ekzekutojnë gjatë interpretimit prej artistit interpretues të këngës pjesëmarrëse Konkurruese ose jo konkurruese në Festival;
  6. mbikëqyrjen e elementëve teknikë artistikë dhe të elementëve të prodhimit të performanës së artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit, i cili këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese ose jo konkurruese në Festival;
  7. çdo detyrë tjetër të përcaktuar në këtë Rregullore.

 

  1. Drejtori Muzikor

Drejtori Muzikor është përgjegjës për:

  1. të organizojë Orkestrën Sinfonike të RTSH dhe të Bandës Muzikore, të cilat ekzekutojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë pjesën muzikore të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival;
  2. të mbikqyrë provat e Festivalit në sallën e provave në RTSH;
  3. të mbikqyrë zhvillimin e provave të Festivalit në skenën e Festivalit në Sallën e Koncerteve të Pallatit të Kongreseve;
  4. të mbikqyrë zhvillimin e Festivalit në datat e zhvillimit të Festivalit;
  5. të mbikqyrë pjesën teknike në audion e Festivalit;
  6. të organizojë pikat muzikore për pjesën e programit të Festivalit jashtë konkurrencës;
  7. të mbikëqyrë dhe të menaxhojë procesin e regjistrimit vokal dhe të prodhimit të muzikës së këngëve pjesëmarrëse konkurruese të Festivalit, gjatë interpretimit dhe ekzekutimit të këngëve në Festival prej artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit;
  8. të zgjedhë instrumentistët me instrumentet muzikore, të cilët do të interpretojnë dhe ekzekutojnë gjatë prodhimit të muzikës së këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival;
  9. të propozojë kryerjen e ndryshimeve në orkestrimin e këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival;
  10. të zbatojë të gjitha vendimet e Drejtorit të Festivalit si dhe të respektojë dispozitat e rregullores së Festivalit.
  1. Përgjegjësi i Autobusit për transmetimin audioviziv

Përgjegjës i Autobusit për transmetimin audioviziv është përgjegjës për:

  1. gjendjen teknike dhe kontrollin e gjendjes teknike, shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese dhe transmetuese audio dhe video të teknikës së RTSH gjatë zhvillimit të Festivalit;
  2. prodhimin e sinjalit audio dhe audioviziv të Festivalit si dhe për shpëndarjen e transmetimit audio dhe audioviziv të Festivalit;  
  3. raportimin te Drejtori i Festivalit për defektet teknike dhe ndërprerjen e transmetimeve audio dhe audiovizive të Festivalit;
  1. Komisioni përzgjedhës i këngëve
  1. Numri i anëtarëve të komisionit përzgjedhës të këngëve është 3 (tre) anëtarë. Anëtari i komisionit përzgjedhës të këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival në cilësinë e këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival, nuk mund të jetë autor, bashkëautor i kompozimit muzikor dhe/ose i tekstit të këngës, si dhe nuk mund të jetë artist interpretues në cilësinë e këngëtarit të këngës. Anëtarët e komisionit përzgjedhës të këngëve duhet të jenë personalitete të artit, të muzikës dhe në përgjithësi të kulturës shqiptare.
  2. Komisioni përzgjedhës i këngëve është përgjegjës për:
  1. procesin e përzgjedhjes dhe të kualifikimit të këngëve në cilësinë e këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival;
  2. çdo detyrë tjetër të përcaktuar në këtë Rregullore.
  1. Juria e Festivalit
  1. Numri i anëtarëve të Jurisë së Festivalit është numër tek dhe nuk mund të jetë me shumë se 5 (pesë) anëtarë. Të gjithë anëtarët e Jurisë së Festivalit janë të barabartë mes tyre. Anëtari i Jurisë së Festivalit nuk mund të jetë autor, bashkëautor i kompozimit muzikor, i tekstit të këngës, si dhe nuk mund të jetë artist interpretues në cilësinë e këngëtarit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival.
  2. Juria e Festivalit është përgjegjës për:
  1. shpalljen e këngës fituese të Festivalit;
  2. çdo detyrë tjetër të përcaktuar në këtë Rregullore.

Neni 3

Rregullat e pjesëmarrjes në konkurrim, KRITERET

 dhe përzgjedhja e këngëve

  1. Këngët konkurruese për pjesëmarrje në Festival paraqiten në selinë e RTSH. Këngët merren në dorëzim nga një punonjës i RTSH, i cili bën regjistrimin e tyre.
  2. Këngët konkurruese për pjesëmarrje në Festival përzgjidhen nga anëtarët e komisionit përzgjedhës të këngëve.
  3. Autorët e këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival (autori i tekstit dhe autori i kompozimit muzikor) si dhe artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën konkurruese për pjesëmarrje në Festival nuk duhet të kenë funksione drejtuese në RTSH, vendimmarrjeje në lidhje me komisionin përzgjedhës të këngëve si dhe në lidhje me Jurinë e Festivalit.
  4. Kënga konkurruese për pjesëmarrje në Festival, duhet të plotësojë kriteret vijuese, mos plotësimi i të cilave sjell në mënyrë të menjëhershme përjashtimin e këngës nga konkurrimi për pjesëmarrje në Festival:
  1. duhet të jetë e kënduar në gjuhën shqipe nga artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që do ta interpretojë këngën në Festival, i cili duhet të jetë mbi 16 vjeç;
  2. nuk duhet të jete më e gjatë se 4 (katër) minuta dhe baza muzikore e saj duhet të jetë e regjistruar dhe e fiksuar në mbajtës CD;
  3. nuk duhet të jetë e njohur për publikun përmes vënies në dispozicion të publikut, duke përfshirë kompozimin muzikor të këngës;
  4. duhet të jetë e përfunduar në të gjitha elementët e saj përbërëse;
  5. duhet të jetë e shoqëruar me tekstin e këngës të shkruar;
  6. teksti i këngës nuk duhet të përmbajë mesazhe që nxisin dhunë, diskriminim, urrejtje racore, fetare, bëjnë thirrje për thyerje të rendit dhe përmbysje të rendit kushtetues;
  7. duhet të jetë e pajisur me titullin;
  1. Një artist interpretues në cilësinë e këngëtarit merr pjesë në konkurrim me vetëm 1 (një) këngë.
  2. Një autor i kompozimit muzikor mund të marrë pjesë në konkurrim përkatësisht me jo më shumë se 2 (dy) kompozime muzikore në raportin: 1 (një) kompozim muzikor – 1 (një) këngë.
  3. Një autor teksti mund të marrë pjesë në konkurrim përkatësisht me jo më shumë se 2 (dy) tekste në raportin: 1 (një) tekst – 1 (një) këngë.
  4. Komisioni përzgjedhës i këngëve kryen përzgjedhjen e këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival kryhet përmes procesit të vlerësimit të këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival. Procesi i vlerësimit kryhet në selinë e RTSH. Anëtarët e komisionit përzgjedhës të këngëve pas dëgjimit të këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival, vlerësojnë secilën prej këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival përmes vlerësimit e tërësisë së këngës si dhe të të gjitha elementeve përbërës të këngës (kompozim muzikor, tekst, interpretim), përmes analizimit se çfarë përfaqëson dhe çfarë sjell kënga në Festival, si dhe duke konstatuar nëse në përmbajtjen e kompozimit muzikor ka përmbajtje të çfarëdo kompozimi tjetër muzikor me apo pa tekst apo vepre muzikore të çfarëdolloji pavarësisht të shprehur përmes notave apo në ndonjë formë tjetër, që shkel të drejtat e palëve të treta. Vlerësimi i këngëve konkurruese për pjesëmarrje në Festival kryhet duke u bazuar në kriteret artistike profesionale, të cilat lidhen me faktin, nëse këngët janë të përshtatshme për në Festival, nëse elementët përbërës të këngës janë të harmonizuara midis tyre, nëse këngët janë në tonalitetin e duhur, nëse kanë melodi dhe janë të bukura, nëse shprehin shijen e publikut apo nëse këngët pasqyrojnë zhvillimin e muzikës qoftë shqiptare, qoftë edhe muzikës ndërkombëtare. Secili prej anëtarëve të komisioni përzgjedhës të këngëve voton këngën që dëshiron që të kualifikohet në cilësinë e këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival. Vendimi i komisionit përzgjedhës të këngëve për përzgjedhjen dhe kualifikimin e këngëve në cilësinë e këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival, nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit përzgjedhës të këngëve. Komisioni përzgjedhës i këngëve bën renditjen përfundimtare të të gjitha këngëve, të cilat janë paraqitur në RTSH, e cila shprehet përmes procesverbalit.
  5. Kompozimi muzikor i këngës konkurruese për pjesëmarrje në Festival duhet të jetë krijim intelektual origjinal në të gjithë përmbajtjen e tij. Teksti i këngës konkurruese për pjesëmarrje në Festival duhet të jetë krijim intelektual origjinal në të gjithë përmbajtjen e tij.
  6. Në rast se gjatë procesit të përzgjedhjes konstatohet se në përmbajtjen e kompozimit muzikor dhe/ose në përmbajtjen e tekstit të këngës konkurruese për pjesëmarrje në Festival ka pjesë të ndonjë krijimi tjetër, që cënon të drejtat e palëve të treta, komisioni përzgjedhës i këngëve ka të drejtë që përmes vendimit, të përjashtojë në mënyrë të menjëhershme këngën.
  7. Në rastin kur prania e ndonjë krijimi tjetër, që cënon të drejtat e palëve të treta dhe që është i pranishëm në përmbajtjen e kompozimit muzikor dhe/ose në përmbajtjen e tekstit të këngës konkurruese për pjesëmarrje në Festival, konstatohet pas vendimit të komisionit përzgjedhës të këngëve për përzgjedhjen e këngëve konkurruese në Festival, por përpara zhvillimit të Festivalit, komisioni përzgjedhës i këngëve i propozon Drejtorit të Festivalit përjashtimin e këngës. Drejtori i Festivalit vendos përjashtimin e këngës nga konkurrimi në Festival.
  8. Në rasti kur prania e ndonjë krijimi tjetër, që cënon të drejtat e palëve të treta dhe që është i pranishëm në përmbajtjen e kompozimit muzikor dhe/ose në përmbajtjen e tekstit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, konstatohet gjatë zhvillimit të Festivalit në njërën prej netëve të tij, Juria e Festivalit i propozon Drejtorit të Festivalit përjashtimit të këngës, i cili vendos përjashtimin e këngës nga konkurrimi në Festival si dhe inicion fillimin e procedurave administrative dhe ligjore kundër titullarit të të drejtave të kompozimit muzikor të këngës dhe/ose kundër titullarit të të drejtave të tekstit të këngës.
  9. Në rast se vërtetohet se kënga pjesëmarrëse konkurruese në Festival përpara paraqitjes së saj në selinë e RTSH është komunikuar në publik në cilëndo veprimtari artistike, në cilindo program radio ose program televiziv, reklamë, ose vepër audiovizuale, të cilët nuk lidhen me veprimtarinë e RTSH, atëherë Drejtori i Festivalit përmes vendimit përjashton këngën nga pjesëmarrja në cilësinë e këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival.
  10. Në rast se artisti interpretues i këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival tërhiqet nga interpretimi i këngës në Festival, atëherë Drejtori i Festivalit përmes vendimit përjashton këngën nga pjesëmarrja në cilësinë e këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival.
  11. Në rast se artisti interpretues i këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, interpreton pjesërisht ose plotësisht këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, në cilëndo veprimtari artistike, në cilindo program radio ose program televiziv, reklamë, ose vepër audiovizuale, të cilët nuk lidhen me veprimtarinë e RTSH, atëherë Drejtori i Festivalit përmes vendimit përjashton këngën nga pjesëmarrja në cilësinë e këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival.

 

Neni 4

KËNGËT PJESËMARRËSE KONKURRUESE NË FESTIVAL

  1. RTSH nënshkruan kontratën (i) me autorin e kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, (ii) me autorin e tekstit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, (iii) me artistin interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival.
  2. Titulli i këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival mund të ndryshohet.  
  3. Në rast se autori i kompozimit muzikor të këngës ose autori i tekstit të këngës për shkaqe subjektive nuk nënshkruan kontratën me RTSH, atëherë Drejtori i Festivalit përmes vendimit përjashton këngën nga pjesëmarrja në cilësinë e këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival.
  4. Në rast artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival për shkaqe subjektive nuk nënshkruan kontratën me RTSH, atëherë Drejtori i Festivalit përmes vendimit përjashton këngën nga pjesëmarrja në cilësinë e këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival.
  5. Në rast se autori i kompozimit muzikor të këngës dhe/ose autori i tekstit të këngës, pas nënshkrimit të kontratës me RTSH, pa shkaqe të arsyeshme zgjidh kontratën e nënshkruar, atëherë: (i) kënga përjashtohet në mënyrë të menjëhershme nga pjesëmarrja e saj në cilësinë e këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, (ii) autori i kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival dhe/ose autori i tekstit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, detyrohet që të dëmshpërblejë RTSH.
  6. Në rast se artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që interpreton këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival pas nënshkrimit të kontratës me RTSH, pa shkaqe të arsyeshme zgjidh kontratën e nënshkruar, atëherë: (i) kënga përjashtohet në mënyrë të menjëhershme nga pjesëmarrja e saj në cilësinë e këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, (ii) artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që interpreton këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival është i detyruar që të dëmshpërblejë RTSH. 

 

Neni 5

ZHVILLIMI I FESTIVALIT

  1. Drejtori Artistik i Festivalit përcakton numrin e këngëve që do të kualifikohen për në natën finale të Festivalit. Në secilën prej netëve konkurruese të Festivalit do të konkurrojnë këngët nga të cilat do të përzgjidhen dhe do të kualifikohen këngët për në natën e finale të Festivalit, prej nga do të shpallet kënga fituese e Festivalit.
  2. Në secilën prej netëve konkurruese të Festivalit, prezantohen këngët pjesëmarrëse konkurruese në Festival. Në secilën prej netëve konkurruese të Festivalit mund të interpretohen ose ekzekutohen vepra artistike, kryesisht muzikore, numri i të cilave përcaktohet nga Drejtori Artistik i Festivalit.
  3. Pas përfundimit të konkurrimit të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në netët konkurruese të Festivalit, Juria e Festivalit përzgjedh këngët pjesëmarrëse konkurruese, të cilat kualifikohen për në natën finale të Festivalit.
  4. Në natën finale të Festivalit interpretohen këngët pjesëmarrëse konkurruese të kualifikuara. Në natën finale të Festivalit mund të interpretohen ose ekzekutohen vepra artistike, kryesisht muzikore, numri i të cilave përcaktohet nga Drejtori Artistik. Në natën finale të Festivalit shpallet kënga fituese e Festivalit.
  5. Drejtori i Festivalit vendos për procedurën që do të zbatohet nga Juria e Festivalit për shpalljen e këngës fituese të Festivalit.

Neni 6

ABUZIME NË SKENËN E FESTIVALIT

  1. Autorët e teksteve; autorët e kompozimeve muzikore të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival; artistët interpretues dhe/ose ekzekutues në cilësinë e aktorëve, këngëtarëve të këngëve pjesëmarrëse konkurruese dhe/ose jo konkurruese në Festival, muzikantët, instrumentistët, valltarët, dirigjentët e orkestrës ose të korit, të cilët paraqesin, aktrojnë, këndojnë, recitojnë, luajnë, interpretojnë, ekzekutojnë, drejtojnë orkestrën ose që shfaqin në mënyra të tjera vepra letrare dhe artistike apo shfaqje të çdo lloji në Festival; drejtuesit (prezantuesit) e Festivalit, ndalohen që: (i) në skenën e Festivalit të bëjnë çfarëdolloj deklarate politike, fetare, antikushtetuese, çfarëdolloj deklarate kundër RTSH si dhe çfarëdolloj deklarate, që nuk ka lidhje me Festivalin; (ii) në skenën e Festivalit të kryejnë veprime që përbëjnë sjellje të papërshtatshme, ndalohen të mbajnë veshje, simbole dhe model flokësh në kundërshtim me parimet e sjelljes së mirë dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ndalohen që në skenën e Festivalit të mbajnë veshje apo nuk mund të kenë në mënyrë të dukshme simbole, fjalë të cilat përbëjnë reklamim të produkteve ose të shërbimeve.
  2. Për çdo veprim të kryer në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni: (i) personi gjobitet nga RTSH me shumën deri në 1,000,000.00 (njëmilionë) lekë; (ii) kënga, në të cilën personi merr pjesë si autor i tekstit, autor i kompozimit muzikor, artist interpretues në cilësinë e këngëtarit, me vendim të Drejtorit të Festivalit përjashtohet në mënyrë të menjëherëshme nga pjesëmarrja e saj në Festival; (iii) në rast se personi që kryen veprimin në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni, është muzikant, instrumentist, valltar, dirigjent i orkestrës ose i korit, i cili paraqet, aktron, këndon, reciton, luan, interpreton, ekzekuton, drejton orkestrën ose që shfaq në mënyra të tjera vepra letrare dhe artistike apo shfaqje të çdo lloji në Festival, drejtues (prezantues) i Festivalit, atëherë Drejtori i Festivalit me vendim përjashton personin nga Festivali.

 

Neni 7

ELEMENTË TË SHOQËRIMIT

Nëse në provën e parë në skenën e Festivalit artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, ka përdorur elemente shoqëruese në këngë (p.sh. balet, muzikantë të shtuar etj.), këto elementë shoqërues nuk mund të ndryshohen më pas pa pëlqimin e Drejtorit Artistik të Festivalit.

 

Neni 8

PROGRAMET RADIO DHE PROGRAMET TELEVIZIVE, QË LIDHEN ME FESTIVALIN

  1. Autorët e teksteve dhe të kompozimeve muzikore të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival, artistët interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndojnë këngët pjesëmarrëse konkurruese në Festival janë të detyruar që të marrin pjesë pa pagesë në programet radio dhe programet televizive prodhime të RTSH, që lidhen me Festivalin.
  2. Artistët interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndojnë këngët pjesëmarrëse konkurruese në Festival, nëse kërkohet nga RTSH, janë të detyruar që të marrin pjesë pa pagesë në realizimin dhe prodhimin e reklamave televizive promovuese të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival, si dhe të vetë Festivalit.  

Neni 9

FESTIVALI EUROPIAN I KËNGËS (EUROVISION SONG CONTEST)

  1. Kënga fituese e Festivalit përfaqëson Republikën e Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës (Eurovision Song Contest).
  2. Në rast se artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën fituese të çmimit të parë të Festivalit tërhiqet nga pjesëmarrja në Festivalin Europian të Këngës (Eurovision Song Contest), atëherë RTSH ka të drejtë që ta zevëndësojë me njërën prej këngëve pjesëmarrëse konkurruese të kualifikuara në natën finale të Festivalit. Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe në rastin kur kënga fituese e Festivalit, këndohet në cilësinë e këngëtarit nga më shumë se një artist interpretues.

 

Neni 10

PROVAT

  1. Provat e Festivalit fillojnë në datën, orën dhe në vendin, sipas kalendarit të detajuar që caktohet nga Drejtori Artistik i Festivalit në bashkëpunim me Drejtorin Muzikor. Data dhe vendi i provave të Festivalit komunikohet përmes njoftimeve publike në RTSH. Artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival është i detyruar që të marrë pjesë në të gjitha provat e përcaktuara në kalendar, të cilat lidhen me këngën e tij. Detyrimi i përcaktuar në këtë paragraf përfshin edhe provën e përgjithshme të Festivalit.
  2. Nëse artisti interpretues, në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, përdor elemente shoqëruese në këngë (p.sh. balet, muzikantë të shtuar etj.), atëherë është i detyruar që të mundësojë praninë e tyre në ditët e provave të Festivalit sipas kalendarit. Detyrimi i përcaktuar në këtë paragraf përfshin edhe provën e përgjithshme të Festivalit.
  3. Kalendari për provat në skenën e Festivalit, për datën dhe orën vendoset nga Drejtori Artistik në bashkëpunim me Drejtorin Muzikor. Gjatë provave në skenën e Festivalit të artist interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, përveç artistit interpretues do të lejohen të jenë të pranishëm edhe autori i tekstit dhe autori i kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival. Në rast të mos respektimit të orareve të vendosura, artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, humb provën dhe kalon provën në fund të sesionit të provave.  
  4. Anëtarët e stafit të artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival (hairdressers, artistë make-up, staf i ndryshëm) do të lejohen të jenë të pranishëm gjatë provave në skenën e Festivalit vetëm në bazë të lejes që lëshohet nga Drejtori i Festivalit.

 

Neni 11

SHPËRNDARJA E INFORMACIONEVE NË LIDHJE ME FESTIVALIN

Çdo lloj informacioni që lidhet me këngët pjesëmarrëse konkurruese në Festival, me artistin interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, me autorët e tekstit dhe të kompozimit muzikot të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival, me publikimin e pjesëve audio/video të këngëve pjesëmarrëse konkurruese në Festival, si dhe çdo informacion tjetër në lidhje me Festivalin, shpërndahet përmes mediave të RTSH.

 

Neni 12

SHQYRTIMI I KËRKESAVE OSE I ANKESAVE

  1. Çdo kërkesë ose ankesë në lidhje me procedurat e parashikuara në këtë rregullore shqyrtohet nga Drejtori i Festivalit. Kërkesa ose ankesa duhet të jetë e shoqëruar me prova. Kërkesa ose ankesa së bashku me provat dorëzohet në adresën vijuese:

Radio Televizioni Shqiptar

Rruga “Ismail Qemali”, nr. 11

Tiranë

Republika e Shqipërisë

  1. Kërkues ose ankues mund të jenë: (i) artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival; (ii) autori i tekstit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival; (iii) autori i kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival.
  2. Kërkesa ose ankesa drejtuar Drejtorit të Festivalit bëhet me shkrim në gjuhën shqipe. Kërkesa ose ankesa shqyrtohet brenda 3 (tre) ditëve pune nga data e paraqitjes.
  3. Përgjigja ndaj kërkesës ose ndaj ankesës bëhet me shkrim në gjuhën shqipe dhe dorëzohet tek kërkuesi ose ankuesi.

 

Neni 13

INTERPRETIMI DHE EKZEKUTIMI NË FESTIVAL

  1. Artisti interpretues, në cilësinë e këngëtarit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, këndon në mënyrë të drejtëpërdrejtë (live) në Festival.
  2. Orkestra Simfonike e RTSH, e cila ekzekuton në mënyrë të drejtëpërdrejtë (live) pjesën muzikore të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, vihet në dispozicion nga RTSH. Banda Muzikore, e cila shoqëron Orkestrën Simfonike të RTSH, vihet në dispozicion nga RTSH dhe ekzekuton në mënyrë të drejtëpëdrejtë (live).
  3. Nëse gjatë zhvillimit të Festivalit në netët konkurruese dhe në natën finale, përdorimi i Orkestrës Simfonike të RTSH bëhet i pamundur ose bëhet objektivisht jashtëzakonisht i vështirë, RTSH do të përdorë bazat muzikore në të cilat artisti interpretues, në cilësinë e këngëtarit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, do të këndojë me zërin e tij në mënyrë të drejtëpërdrejtë (live).

 

Neni 14

DEKLARATAT DHE TË DREJTAT

Autori i kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, autori i tekstit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, artisti interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival deklarojnë se i takojnë RTSH në formë ekskluzive, pa kufizime në afate kohore dhe territor, të gjitha të drejtat e shfrytëzimit në lidhje me:

  1. regjistrimet audio dhe regjistrimet audiovizuale, të cilat përmbajnë imazhin, zërin, interpretimin e artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival gjatë provave të Festivalit;
  2. fotografitë, të cilat përmbajnë imazhin e artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival gjatë provave të Festivalit si dhe gjatë konkurrimit në Festival;
  3. regjistimet audio dhe regjistrimet audiovizuale të intervistave të autorit të kompozimit muzikor të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, të autorit të tekstit të këngës pjesëmarrëse konkurruese në Festival, të artistit interpretues në cilësinë e këngëtarit, që këndon këngën pjesëmarrëse konkurruese në Festival, në programet radio dhe në programet televizive, cilat janë të prodhuara nga RTSH;

 

Neni 15

TË DREJTAT E SHFRYTËZIMIT TË FESTIVALIT

  1. RTSH, në cilësinë e prodhuesit të Festivalit, është zotëruesi i vetëm i të gjitha të drejtave ekskluzive të shfrytëzimit pasuror të Festivalit si dhe i pjesëve të veçanta të Festivalit.
  2. RTSH është zotëruesi i vetëm i të gjitha të drejtave ekskluzive vijuese:
  1. e drejta e riprodhimit dhe e drejta për të autorizuar riprodhimin në kopje të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, qoftë pjesërisht ose plotësisht, qoftë drejtëpërdrejtë apo tërthorazi, në mënyrë të përkohshme ose të përhershme, në çfarëdolloj forme dhe mjeti, përfshirë regjistrimin audio ose video, si dhe ruajtjen e përkohshme apo të përhershme të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
  2. e drejta e shpërndarjes dhe e drejta për të autorizuar shpërndarjen e kopjeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, nëpërmjet shitjes apo tjetërsimeve të tjera që i ofrohen publikut me këtë qëllim, si dhe importimin, eksportimin, shpërndarjen e kopjeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
  3. e drejta e dhënies me qira dhe e drejta për të autorizuar dhënien me qira për një periudhë të kufizuar kohore të kopjeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
  4. e drejta e komunikimit në publik dhe e drejta për të autorizuar komunikimin në publik të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, e drejtë që përfshin në veçanti:
  1. të drejtën e shfaqjeve publike të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
  2. të drejtën e përcjelljes në publik të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit tek publiku që nuk është i pranishëm në vendin ku zhvillohet Festivali dhe tek i cili përcillet me anë të altoparlantit, ekranit apo mjeteve të tjera teknike;
  3. të drejtën e transmetimit për publikun të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, që përfshin përcjelljen me anë të çdo mënyre riprodhimit të sinjaleve, tingujve ose pamjeve dhe/ose tingujve dhe pamjeve njëherësh, me ose pa tel, për marrjen e tyre nga publiku në mënyrë që: (i) transmetimi i sinjaleve, mbartëse të Festivalit dhe të pjesëve veçanta të Festivalit, që i ofrohet publikut, të mundësohet nëpërmjet pajisjeve për çkodim të sinjaleve nga një ofrues i shërbimit mediatik audioviziv ose nga një palë e tretë e autorizuar prej saj; (ii) futja e sinjaleve, mbartëse të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, që synohet të merren nga publiku, të mundësohet nga zinxhiri i pandërprerë i përcjelljes që, nën përgjegjësinë e shoqërisë transmetuese, pvrcillet në satelit dhe zbret drejt tokës;
  4. të drejtën e ritransmetimit të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, e cila nënkupton të drejtën për përcjelljen në publik në mënyrë të patjetërsuar, të pandërprerë, të njëkohshme të transmetimit të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit: (i) kur bëhet nga një ofrues shërbii mediatik audioviziv (OSHMA) te një tjetër ofrues shërbimi mediatik audioviziv; (ii) kur bëhet nga sistemi me kabëll ose mikrovalor për marrjen nga publiku të transmetimit që vjen nga një tjetër ofrues shërbimi mediatik audioviziv (ritransmetimi kabllor);
  5. të drejtën e vënies së Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit në dispozicion të publikut, që kupton të drejtën për të përcjellë në publik Festivalin dhe pjesët e veçanta të Festivalit, me tek ose pa tel, në mënyrë të tillë që të jetë e arritshme për pjesëtarët në vendin dhe në kohën e zgjedhur prej tyre;
  6. të drejtën për të vënë në dispozicion për përdorim Festivalin dhe pjesët e veçanta të Festivalit për një periudhë të kufizuar kohe dhe jo për përfitime të drejtëpërdrejta ose të tërthorta pasurore ose tregtare, përmes institucioneve që lejojn aksesin e publikut dhe që për këtë qëllim, kryejnë këtë aktivitet si shërbim publik;
  1. RTSH në cilësinë e ofruesit të shërbimit mediatik audioviziv (OSHMA) gëzon të drejtën ekskluzive për të autorizuar ose ndaluar veprimet vijuese, që kanë të bëjnë me:
  1. fiksimin e transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit, nëse këto transmetime janë të transmetueshme me tel ose pa tel, duke përfshirë transmetimin kabllor ose me satelit;
  2. riprodhimin e fiksimeve të transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
  3. shpërndarjen e fiksimeve të transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
  4. ritransmetimin e transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit me tel ose pa tel;
  5. përcjelljen në publik të transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit në vendet ku kërkohet tarifë;
  6. vënien në dispozicion të publikut në mënyrë ndërvepruese të fiksimeve të transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;
  7. shpërndarjen e fiksimit të transmetimeve të Festivalit dhe të pjesëve të veçanta të Festivalit;

 

Neni 16

DISPOZITA TË FUNDIT

  1. Rregullorja hyn në fuqi me miratimin e saj nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH. Rregullorja ndryshohet me vendim nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH.
  2. Asnjë prej dispozitave të kësaj Rregulloreje nuk mund të interpretohet në mënyrë të veçuar nga njëra – tjetra.

 

DREJTORI I PËRGJITHSHËM I RTSH

Thoma GËLLÇI