Quantcast
Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Arti

Jeta e spiunit rus, përkthimi që bëri në burg Ndoc Naraçi

Jeta e spiunit rus, përkthimi që bëri në burg Ndoc

[gallery ids="389635,389636,389637,389638,389639,389640"]

Historia e një dorëshkrimi që për më shumë se 50 vjet qëndroi i fshehur në bibliotekën e Shefki Njumës/ Me porosi të ish-shefit të degës së brendshme Halim Xhelos, libri u përkthye në burg në vitin 1945

Historia e Yevno Azef, gazetarit dhe revolucionarit rus i njohur për angazhimet e tij në fillim të viteve 1900, vazhdon të jetë një nga historitë më të lexuara në historinë e spiunazhit. Azef, i njohur si një agjent i dyfishtë dhe provokator, do të tërhiqte vëmendjen e shumë shkrimtarëve të kohës. G.Pevsner do të hulumtonte jetën e tij për ta sjellë në një libër "Jeta e dyfishtë e Yevno Azef", i cili është përkthyer herët në shumë gjuhë. Vitet e fundit të jetës Azef i kaloi në Gjermani, ku investoi paratë e fituara si agjent, dhe jetoi dashurinë e fundit me një këngëtare gjermane Nedin. Në vitet 1915-1917 gjatë Luftës së Parë Botërore, ai u internua nga Gjermania si një armik i huaj, duke vuajtur dënimin në burg. Pas dënimit ai jetoi në Berlin, deri sa mbylli sytë më 1918-n nga sëmundja e veshkave. Varri i tij ndodhet në varrezat e Wilmersdordit pa asnjë shënim. Por, jeta e Azef, një njeri të cilit Rusia i besoi angazhime të mëdha gjatë Luftës së Parë Botërore dhe para saj, është një mënyrë për të depërtuar në kohën dhe politikën e ish-Bashkimit Sovjetik, dhe për të parë raportet me vendet ku ajo kishte interesa. Libri i G.Pevsner për jetën e Azef në italisht ka qarkulluar në Shqipërinë e fillimit të komunizmit. Një dorëshkrim, me një kapak vishnje, që i ka mbijetuar lehtë kohës, na sjell një histori tjetër të këtij libri në gjuhën shqipe. Dorëshkrimi për më shumë se gjysmë shekulli (57 vjet) ka qenë i fshehur me kujdes në bibliotekën e Shefki Njumës, një i pasionuar pas librave, që e ruajti me kujdesin e një njeriu që e njeh gjuhën e librit. Dorëshkrimi ka si përkthyes Ndoc Naraçin, një personazh të njohur të kohës, sidomos për kontributet e tij gjatë mbretërisë, duke mbajtur një sërë postesh, që ashtu si Azef kishte studiuar inxhinieri. Naraçi ka qenë në vitet 1933-1944 (me dy ndërprerje të vogla) drejtor i Postë Telegrafëve. Ka qenë ministër i Punëve Botore, në vitet 1935-1936, dhe 1943 (një muaj). Me ardhjen e komunizmit në Shqipëri, ai do të dënohej me gjyqin special të vitit 1945 me 30 vjet burg, por do të dilte nga burgu në vitin 1958-n. Pas këtij viti, ai do të jetonte në qytetin e Shkodrës, në kushte tejet të vështira. Përkthimin e librit të Yevno Azef, ai duhet ta ketë realizuar gjatë kohës që ishte në burg. Është i njohur shfrytëzimi që sistemi u bënte intelektualëve për përkthimin e një sërë veprave nga letërsia e huaj, por edhe veprave apo dorëshkrimeve që mund t'i duheshin sistemit. Një prej tyre duhet të ketë qenë dhe libri mbi jetën e Azef, i cili për shkak të raporteve gjithnjë të trazuara mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik nuk kishte asnjë mundësi të botohej në atë periudhë. Tregimi që Shefki Njuma bën mbi mënyrën sesi e gjeti këtë dorëshkrim tregon se ky përkthim duhet të ketë qenë një porosi për t'u lexuar nga personazhe të lartë të sigurisë në vend, të cilët duhet të kishin më shumë njohuri për Rusinë. Njuma ka qenë vetëm 17 vjeç diku në vitet 1959-1960, kur duke luajtur në oborrin e shtëpisë së Halim Xhelos, ish-shef i degës së brendshme, me të birin e tij Vladimirin, do të pikaste një dorëshkrim, i cili rrinte prej disa ditësh diku në një cep të oborrit. Djaloshi i dhënë herët pas leximit do ta ndiente menjëherë se kishte të bënte me një libër jo të zakonshëm nga moria e librave që botohej në atë periudhë. "E shfletova dorëshkrimin dhe m'u duk një libër i rrallë për kohën, dhe e mora ta ruaja në shtëpi", thotë Njuma. Në faqen e parë të dorëshkrimit ishte shkruar "porosi për kolonel Halim Xhelon", çka tregon se përkthimi është realizuar gjatë kohës kur Naçaj ka qenë në burg. Deri në vitet '90, ky dorëshkrim ka qenë i fshehur me kujdes diku në bibliotekën e familjes Njuma, për t'u shfletuar herë pas here nga Shefkiu, i cili do të udhëtonte shpesh në jetën e një prej personazheve më të njohur të spiunazhit rus. Por përtej jetës së Azefit, libri është dhe një leksion mbi revolucionin dhe shumë personazhe të kohës. Për ta pasur me të sigurt dorëshkrimin, ai do të griste faqen e parë ku ishte shkruar emri i Xhelos. "E grisa faqen e parë, pasi pasja e këtij dorëshkrimi duke pasur parasysh kohën të bënte të kishe frikë. Por nuk ia kam dhënë njeriu për ta lexuar", thotë ai. Pas viteve '90 dorëshkrimin ia ka dhënë për lexim miqve, me të cilët ndan shpesh biseda librash. Libri duhet të jetë përkthyer diku në vitin 1945 pasi deri në vitin 1944 Naraçi nuk ishte i njohur për përkthyes, por si një nga inxhinierët e mirë të kohës. Por kultura e formimit të tij, bën që përkthimi të ketë një gjuhë dhe një shqipe të pastër. Libri nis me lëvizjen revolucionare ruse nga viti 1825 deri më 1894. "Shkrimtarët që janë marrë direkt ose indirekt me këtë argument nuk kanë nguruar të nënvizojnë karakterin e veçantë dhe të jashtëzakonshëm të terrorizmit rus. Të gjitha ose gati të gjitha lëvizjet revolucionare, në çfarëdo vendi qoftë, përfundojnë fatalisht në shfaqje terroriste, veçanërisht në çastet e tensionit të madh", shkruan G.Pevsner. Por sipas tij, në të shumtën e rasteve, kemi të bëjmë me episode sporadike të shkaktuara nga iniciativa personale të njerëzve ose grupeve autonome fanatike të dhunës, të cilët nuk kanë të bëjnë fare me organizatat revolucionare të angazhuara në luftë dhe shpeshherë as që njihen mirë. "Por në Rusi për më se një të katërtën të shekullit ne mund të shohim fenomenin e tmerrshëm të terrorit të përdorur në shkallë të gjerë si mjet më i thjeshtë dhe më direkt i luftës politike dhe të aplikuar me këmbëngulje sipas një logjike të ftohtë dhe brutale. Për afro 30 vjet në periudha pak a shumë të gjatë, policisë cariste iu desh të matej për shkathtësi dhe guxim me grupe terroriste të organizuara mbi baza të shëndosha, të pajisura gjerësisht me mjetet e duhura të drejtuara nga njerëz metodikë dhe të vendosur të cilët paraqesin figurën e revolucionarit siç e ka përcaktuar njëri prej tyre, Naçajevi të cilin Dostojevski e pikturoi me mjeshtëri në romancën e tij "Demonët" nën emrin e Pjetër Verkovenskit", shkruan G.Pevsner. Për të mbërritur në rrëfimin e jetës së Yevno Azef, ai kërkon të shpjegojë lëvizjen revolucionare, duke filozofuar se çfarë është në thelb një revolucionar. "Revolucionari është një njeri i dënuar paraprakisht. Ai nuk duhet të ketë as lidhje personale, as gjëra, as njerëz të dashur, dhe duhet të heqë dorë dhe nga emri i vetë. Ai duhet të përqendrohet krejtësisht në një pasion të vetëm, në revolucionin. Studimet e tij duhet t'u kushtohen vetëm atyre shkencave që mund t'i shërbejnë për veprën e tij, por mbi të gjitha ai duhet të mësojë të njohë njerëzit për t'i sunduar, për të shfrytëzuar në dobinë e revolucionit, dobësitë dhe sekretet e tyre, pa skrupull dhe pa mëshirë", shkruan Pevsner. Në fakt, kjo ishte skaleta ku do të shtrihej jeta e Azef. Ai duhet të kishte vetëm një qëllim, revolucionin, e të bënte jetën e një revolucionari të zhveshur nga ndjesitë dhe varësitë e një njeriu të zakonshëm. Teksa flet për revolucionarët e periudhës 1870-1880, ai thotë se ata nuk mund të pranonin pa neveritje idetë e Neçajevit. Ai merr rastin e vrasjes së studentit Ivanov, duke thënë se ishte më tepër një hakmarrje personale sesa ndëshkimi i një tradhtari (thuhej në mes të tjerave se Ivanov ishte eliminuar për shkak se kishte shfaqur ndonjë dyshim mbi ekzistencën e të famshmit Komitet Qendror, dhe hodhi një hije dyshimi mbi figurën morale të Neçajevit. Duke iu referuar historianëve ai thotë se ata kanë rënë dakord që të konsiderojnë konspiracion romantik dhe aristokratik të dekabristave (1816-1825) si fillimin e kësaj lëvizjeje. Kur përdor emrin "romantik", ai u referohet më tepër nxitjeve të jashtme me të cilat konspiratorët u bindeshin në mënyrë inkoshiente disa qëndrimeve të tyre dhe mbi të gjitha paaftësisë së treguar nga ana e tyre në çastin e veprimit sesa ideve politike të tyre. Këto ishin ndër më radikalet, duke u nisur nga dëshira për të suprimuar absolutizmin carist ose për ta zbutur duke imponuar një regjim parlamentar të tipit anglez, dekabristat në saj të veprës së njërit prej tyre të kolonelit Pestel, njeriu më inteligjent i epokës së tij, sipas Pushkinit, për të cilin kundërshtarët thoshin se ishte e kotë të diskutohej me të, sepse ai kishte gjithnjë të drejtë...Interesante në libër është periudha që Azev kaloi në Gjermani. Nisja e luftës mes Gjermanisë dhe Rusisë do t'i sillte një të papritur të papëlqyeshme edhe Azevit. Ai kishte investuar gjithë kapitalin e tij në titujt rusë. Shpallja e luftës shënoi dhe kapitullimin e tij financiar. Por Azevi nuk ishte një njeri që dorëzohej lehtë. Me paratë që mundi të shpëtonte dhe nga shitja që i bëri disa stolive që ia kishte falur mikeshës së tij, ai hapi një atelier për korsetë, të cilit iu kushtua me të gjithë durimin dhe shpirtin e tij të iniciativës që jeta aventurore dhe e komplikuar e kishte frymëzuar. Në fillim, dyqani i shkoi shumë mirë. Goditja më e rëndë do t'i vinte më 12 qershor 1915. Në mbrëmjen e ditës së mëparshme në një kafe të Fridrihshtrasen, kishte hasur një funksionar të policisë kriminale, i cili e njihte emrin e tij të vërtetë dhe e kishte parë. Azevi ishte kthyer në shtëpi tepër i tronditur dhe plot parandjenja të errëta rreth pasojave që mund të kishte nga kjo rastësi. "Ai më ka njohur, çështja do të përfundojë keq", i kishte thënë mikeshës së tij kur hyri në shtëpi. Natën e kishte kaluar duke rregulluar shkresat dhe zhdukur letra dhe dokumente të panumërta. Ishte kohë lufte, gjermanët nuk talleshin dhe këtë ai e dinte. Frika e tij u vërtetua menjëherë. Të nesërmen në mëngjes, ndërsa po dilte nga stacioni i hekurudhës nëntokësore një i panjohur iu afrua dhe iu paraqit si agjent i policisë kriminale. Pasi shkëmbyen disa fjalë Azevit iu desh të shkonte me të. Pasi u mor në pyetje për herë të parë dhe shkurtimisht në polici, ai u dërgua në burgun e Moabitit dhe u mbyll në një birucë të izoluar, të lagur dhe të errët. Përse e kishin arrestuar? Ai nuk arrinte ta shpjegonte dhe askush nuk ia thoshte. E vetmja gjë që kuptoi ishte se ai nuk do të lirohej. Pas një sërë peripecish në burg, shqetësimi i vetëm në këtë pjesë të jetës së tij ishte Nedi, e dashura e tij gjermane. Pas burgosjes së tij ajo detyrohet të shesë të gjitha stolitë, pasi lufta për mbijetesë ishte e ashpër. Dhjetëra letra ai i shkroi asaj duke dashur t'i lehtësonte me fjalë mungesën. "Unë kam pasur fatkeqësinë më të madhe që mund t'i vijnë një njeriu të pafajshëm", i shkruante ai në një letër. "Fatkeqësia ime nuk gjen krahasim veçse me atë të kapitenit Draifus. Dhe në një tjetër letër ai i shkruan: "Ti je nga të gjithë njerëzit, personi i vetëm që qëndron afër meje, aq afër, sa që nuk ndjenjë asnjë ndarje mes nesh. Aty ku je ti jam edhe unë e këtu nuk janë fjalë boshe". "Ti je e dashura ime", i thotë në një tjetër letër, "je i vetmi person që interesohet për mua, rreth e përqark meje është shkretëtirë. Ti mund ta përfytyrosh se sa më dhimbset. Zoti duhet të më japë forcën që mund të ndihmoj". Sipas G.Pevsner Azev nuk ka besuar kurrë në Zotin, por tani që fatkeqësia e ka goditur ai lutet për vete dhe mikeshën e tij. "Lotët e tu më shkyejnë zemrën", shkruan ai në një çast të trishtuar. "Nuk mund t'i shoh lotët e tu. Mos u trishto për mua. Me ndihmën e Zotit do të durojë gjithçka. Mjaft që ti të jesh mirë. Unë lus Zotin vetëm për ty. Më brengos fakti që ti vuan aq shumë për mua, që nga ky shkak nervat e tua janë të shkatërruara. O e dashura ime ti nuk duhesh të bëhesh merak për mua. Zoti do më japë forcën për t'u qëndruar të gjitha fatkeqësive. Mjaft që ti të jesh e qetë dhe e shëndoshë". Janë tepër të ndjera ngjarjet vitet e fundit të jetës së tij. Sesi një njeri që i kishte prirë revolucionit tashmë shqetësohet për zemrën e brishtë të një gruaje. "Pas lutjes sime, thotë ai në një tjetër letër "shpirti im është gjithmonë i kënaqur dhe i fortë. Nga ndonjëherë bile edhe vuajtjet e bëjnë më të fortë. Por edhe në vuajtjet njeriu gjen lumturinë, kontaktin me Zotin". Janë interesante këshillat që ai i jep asaj ..."Fol vetëm për çfarë është e nevojshme. Mos harro se të tjerët bazohen mbi ty, por ti mos u bazo kurrë mbi të tjerët. Kurseji të hollat, as më tepër as më pak sesa meritojnë; këto janë një shërbëtor i mirë, por një zotëri i keq. Mos i përbuz njerëzit, mos i urre. Mejtoje vdekjen çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje...".

Ai do të lirohej nga burgu natën e Krishtlindjeve më 1917-n. Në vazhdim të revolucionit dhe të paqes së Brest Litovskit duhej të bëhej shkëmbimi i robëve rusë dhe atyre gjermanë, për këtë arsye ai u lirua. Rusia e vjetër ishte shembur. Qeveria jetëshkurtër e Kerenskut, në të cilën disa socialrevolucionarë kishin pasur pozita të rëndësishme kishte kaluar për së shpejti. Revolucioni rus zhvillohej me shpejtësi të madhe. Para portës së burgut e priste Nedi. Por burgu i gjatë ia kishte rrënuar shëndetin dhe ashpërsuar karakterin e tij. Në shtëpinë e mikeshës ai nisi të hakmerrej kundër gjermanëve që e kishin mbajtur në burg padrejtësisht për një kohë të gjatë. Nga frika se mund të dërgohej në Rusi, ai mendonte se do të ishte më e arsyeshme ta linte Gjermaninë dhe të vendosej në Zvicër. Por Gjermania ishte akoma në luftë me fuqitë e Antamntës dhe kalimi në tokën zvicerane nuk ishte i lejuar. Atij iu desh t'i nënshtrohej fatit dhe të qëndronte në Berlin ku lufta për jetesën bëhej gjithnjë më e ashpër. Por sëmundja nuk do ta linte të shpresonte gjatë pasi më 24 prill 1918 ai do të mbyllte sytë në moshën 49-vjeçare. Mikesha e tij, Nedi, do t'i bënte një funeral madhështor duke e shoqëruar e vetme për në banesën e fundit. Mbi varrin e tij nuk pati asnjë gur, asnjë mbishkrim, por vetëm lulet që Nedi linte për të.

Historia e këtij personazhi është historia e të gjithë atyre njerëzve që besojnë në një ideal, dhe vendosin jetën në qëllim të një kauze. Një libër frymëzues shkruar me stilin e një biografi që ka ditur të gjejë të gjitha faktet dhe detajet që do ta bënin të plotë jetën e Azev. Një libër që u përkthye në burgjet e komunizmit, nga një njeri që ashtu si Azev kaloi një pjesë të jetës në burg, e më pas vdiq në internim. Ka shumë histori që shoqërojnë jetën e një libri, i cili duket se nuk përfundon asnjëherë me faqen e fundit, por çdo faqe e re lind pas takimeve që libri ka me lexues, apo përkthyes, që i japin një tjetër dimension atij. Ashtu si dorëshkrimi vishnjë, që Shefi Njuma e deshi më shumë mes qindra librave që kishte në bibliotekë. Sipas autorit të librit, fati i "disa personazheve të përmendura në këtë histori është i çuditshëm dhe plot aventura shpesh herë tragjike". "Boris Davinkovi përpara luftës qëndroi për disa kohë në Itali, pastaj u transferua në jugun e Francës , ku u mor me punime letrare të tija dhe qëndroi gjatë gjithë kohës së luftës. Pas shembjes së regjimit carist u kthye në Rusi. Mori pjesë në qeverinë e përkohshme, e formuar nga Kerenski, si guvernator i Petërsburgut, komisar i luftës, nënsekretar shteti dhe ministër. Pas ardhjes në fuqi të bolshevikëve, iku nga Petërburgu dhe hyri në radhët e ushtrisë antibolshevike. Në vitin 1918 u dërgua në Paris si shef i misionit ushtarak i qeverisë së re të formuar në Omsk, e cila u zëvendësua menjëherë nga ajo e admiralit Kolçak, dhe bëri pjesë në misionin e ambasadorëve, në të njëjtën kohë hapi në Paris një zyrë propagande antibolshevike. Në vitin 1921 vajti në Poloni ku organizoi reparte të reja antibolshevike, por tentativa për të kaluar kufirin së bashku me këto reparte dështoi"...Por në thelb të revolucionit është Azevi, një personazh që teksa e sheh përmes fjalësh në dorëshkrimin e zverdhur nga koha, të sjell aromën e një kohe të cilën ende se kemi lexuar siç duhet në librat e historisë.

A.B

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore