Shqipëria

Shqipëria nga të parat që dërgoi municione në Ukrainë, thotë Xhaçka


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi se Shqipëria ka mbështetur në maksimum Ukrainën dhe rezistencën e saj ndaj agresionit rus.

Kjo, duke qenë nga vendet e para që dërguan municione në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur gjatë fjalimit të kryediplomates shqiptare në samitin virtual “Platforma e Krimesë”, me ftesë të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenksy.

Fillimisht, Xhaçka nënvizoi se lufta e tanishme në Ukrainë i ka rrënjët në pushtimin e Krimesë.

Kjo, pasi asokohe bota nuk reagoi siç duhet.

Në samit janë pjesëmarrës presidentë e kryeministra nga 50 vende të botës.

“Rritja e numrit të pjesëmarrësve, deklaratë e qartë e mbështetjes për Ukrainën”, u shpreh zyrtarja shqiptare.

Ajo shtoi se çmimi që Rusia pagoi shërbeu thjesht si inkurajim për luftën aktuale.

“Masat represive ruse në Krime janë bërë më të ashpra. Ka përpjekje për fshirjen kulturore dhe politike të komuniteteve ukrainase dhe tatare të Krimesë”, vërejti ministrja.

Sipas saj, para agresionit ndaj Ukrainës, Ballkani Perëndimor ishte skena e luftës së fundit në Evropë.

Në përmbyllje, Xhaçka deklaroi se çdo vend që beson në të drejtën ndërkombëtare duhet të mbështesë Ukrainën deri në çlirimin e të gjitha territoreve.

“Nëse nuk e bëjmë këtë, kjo do të inkurajonte çdo lider autoritar në botë që të nisë të njëjtin kurs veprimi”, theksoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore