IDRIZ MORINA
“Nëse Xhavit Haziri u vra nga serbët, pse SHIK-u me gjithë atë bashkëpunim të gjatë me agjentë të UDB-së (rasti Sheholli, Haskaj etj.), nuk u interesua dhe nuk e gjeti as vendin e vrasjes dhe as trupin e tij?“309. Ku është Xhavit Haziri???”, e pyeste Fatmir Limajn, Murat Jashari.
Ka disa vite që nga autorë të ndryshëm, përfshirë emisione televizive janë munduar ta zbardhin rastin e vrasjes së Xhavit Hazirit.
Është jo pak interesant rasti i tij. Sipas autorëve të shkrimeve për të, që pretendojnë se e njohin mirë, Xhavit Haziri, emërtohet prej tyre, si njëri nga krijuesit e UÇK-së, bile edhe si përgjegjësi kryesor për Prishtinë.
Sipas datave të dhëna në shkrimet për Hazirin, rezulton se Haziri është rrëmbyer më 17 shtator të vitit 1998 në Prishtinë, dhe që nga atëherë ai figuron në listën e personave të zhdukur.
Ai ishte shpallur Hero i Kosovës për kontributin e tij atdhetar më 26 nëntor të vitit 2010 nga Jakup Krasniqi, ushtrues i detyrës së Kryetarit të Kosovës, kur i kishte dekoruar 31 veta me rastin e festave të 28 Nëntorit.
Sipas Pllanës
Një nga autorët që më së shumti duket se e ka hetuar dhe është marrë me rastin e zhdukjes së Hazirit, rezulton të paktën nga shkrimet, Ramadan Pllana, kërkonte prej vitesh përgjegjësi, për moszbardhjen e vrasjes-zhdukjes nga Hashim Thaçi, kur ai ishte kryeministër, dhe Xhavit Haliti, që ishte anëtar i Kryesisë së Kuvendit aso kohe.
“Hashim Thaçi, kryeministër dhe Xhavit Haliti kuvendar i Republikës së Kosovës, e kanë përgjegjësinë kryesore për të kërkuar zbardhjen e fatit të Xhavit Hazirit, heroit tonë kombëtar, sepse ky ishte njëri nga aktivistët dhe shokët më të afërm të tyre dhe më të besueshëm në kuadër të veprimtarisë ilegale të LPK-së dhe të krijimit e strukturimit të UÇK-së”, shkruante Pllana në vitin 2011.
Hashim Thaçi, thuajse në fund të detyrës së presidentit u kujtua që të merrte pjesë në shtator të vitit 2019 në përurimin e shtatores kushtuar Xhavit Hazirit.
“Heroi i kombit, Xhavit Haziri, ishte personaliteti eminent i luftës tonë për liri, për shtet dhe bashkim kombëtar”, kishte thënë Thaçi, vetëm 21 vjet pas vrasjes së Hazirit.
Hashimi Thaçi e përmend një takim të fundit me Hazirin, në gusht të vitit 1998.
“Ndërsa, momenti i tretë ishte takimi ynë në zonat e luftës vetëm pak ditë para se të kapej pabesisht nga policia sekrete serbe. Ka qenë mesi i gushtit 1998 kur ofensivat serbe ishin në kulm dhe rezistenca e UÇK-së ishte maksimale. Xhaviti ishte plot besim në fitore dhe ashtu i hareshëm dhe i buzëqeshur, siç ishte gjithmonë, shkoi për t’u rikthyer”, ka shkruar vetë Hashim Thaçi.
Afërsisht në këtë kohë, e mbase në muajin korrik rezulton i zhdukur Behadin Allaqi, i cili fillimisht ishte arrestuar nga UÇK-ja, dhe gjatë asaj kohe, këtë detaj Murat Jasharit ia kishte dëshmuar vëllai i tij i njohur si komandant “Kumanova”, i ekzekutuar më vonë.
Murat Jashari i akuzonte Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, si bashkëpërgjegjës për vrasjen e Behajdint dhe të Shaban Ramë Shalës.
Hashim Thaçi, pas 21 vitesh e përkujtonte themeluesin
Sipas disa autorëve, nga 11 qershori i vitit 1998, Allaqi dhe Shala figurojnë të zhdukur. As trupat e tyre nuk janë gjetur kurrë, pavarësisht që nuk u likuiduan nga serbët.
Në një emision të RTK-së, të emëruar “Udhëve” qe shpalosur një dokument, sipas të cilit sigurimi i Shtetit të Serbisë (Jugosllavisë së mbetur, siç quhej shpesh) që vepronte në Kosovë, me zyra në Prishtinë, pas heqjes së autonomisë së Kosovës, pas vitit 1989 e veçmas, pas largimit nga puna të atyre që refuzuan të jenë pjesë e sistemit okupues të Millosheviçit, kishin hartuar plane për likuidimin e veprimtarëve politikë shqiptarë.
Sipas këtij dokumenti të përmendur në emision, plani operativ, që quhej “Rrethi” (në origjinal “KRUG”), i datës 13 korrik 1998, parashihte masa operative për zbulimin e vendndodhjes së njerëzve të caktuar, kapjen dhe likuidimin e atyre që cilësoheshin sipas diskursit propagandistik serb, “terrorist”.
“Kësaj liste i printe pikërisht Xhavit Haziri. Pas kësaj date filloi gjuetia ndaj veprimtarëve shqiptarë. Disa u burgosën, disa u vranë, disa u zhdukën…”, thuhet në emisionin e shfaqur në vitin 2020.
Por, a është hulumtimi shterues?
Nga të gjitha informatat e dhëna, nuk ka një provë se ku u dërgua në momentin e arrestimit dhe për ku u dërgua pastaj apo nëse u vra gjatë torturave në hetuesi.
Janë disa teza pa përgjigje bazuar në shumicën e shkrimeve, si edhe në këtë rast:
Nëse Xhavit Haziri u vra nga serbët, pse SHIK-u me gjithë atë bashkëpunim të gjatë me agjentë të UDB-së (rasti Sheholli, Haskaj etj.), nuk u interesua dhe nuk e gjeti as vendin e vrasjes dhe as trupin e tij?
Pse asnjë nga agjentët e tillë që bashkëpunuan me SHIK-un, nuk i tregoi dorasit serbë apo njërin prej tyre në mënyrë që familja e tij t’i padiste autorët apo edhe Serbinë, dhe ta denonconte vetë shteti?
Pse nuk përdoret ajo dosje e vrasjes, që të paraqitet para gjykatës speciale, apo t’i kërkohet ta hetojë rastin dhe t’i dënojë autorët dhe porositësit, pasi kjo gjykatë e ka kompetencën e plotë për ndjekjen e çdo lloj krimi serb që është kryer në Kosovë, brenda mandatit të saj, duke i ofruar prova?
Pse Haziri u përkujtua vetëm pas dy dekadave, pas 21 vitesh nga Hashim Thaçi?
Në dokumentin e datës 13.07.1998 të përmendur më sipër, që thuhet se mban firmën e kryeshefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Serbisë në Prishtinë, Milan Llakoviq, akuzoheshin sipas zhargonit propagandistik, por edhe për të arsyetuar dhunën shtetërore, si “terrorist”:
“Bazuar në të dhëna të verifikuara operative, një numër i caktuar personash janë përfshirë në disa aksione terroriste në rajonin e Podujevës dhe Prishtinës, si pjesëtar të organizatës UÇK. Qendra propozon masa konspirative për kapjen e tyre veç e veç, sipas arrestimit konspirativ të diferencuar në “Qark”, në mënyrë që të mos rrezikohen burimet e informacionit dhe këto arrestime të mos kenë ndikim të mëvonshëm tek personat e tjerë të organizatës”.
Sipas dokumentit të gjetur nga redaksia e “Udhëve”, thuhet se nën masën: “Arrestime konspirative në qark”, në listë gjendeshin, madje si i pari, Xhavit Haziri (1960 – Dërvar, Vushtrri), pastaj Sabit Lahi (1964 – Rimanishtë, Prishtinë), Hyzri Talla (1963 – Letanc, Podujevë), Shaip Haziri (1965 – Prishtinë), Ekrem Gashi nga Matiqani, Sajmir Konushevci, Nuredin Ibishi (1956 – Kolaticë, Podujevë), Sabri Klinaku (1978 – Mazgit, Obiliq), Agron Xhemajli nga Orloviqi, Blerim Dërvishi, Burim Maqedonci, Salih Salihu (1960 – Dumnicë, Podujevë), Haki Prebereza (1965 – Bellaqevc), Arben Talla (1976 – Letanc, Podujevë), Dalip Brahimi, Muhamet Ahmeti, Ramize Abdullahu (1964 – Krilevë, Kamenicë), Isa Karstrati (1947 – Hogosht, Kamenicë), Rrahman Dini (1965 – Prishtinë), Fatmir Ajeti (1966 – Gjilan), Isuf Shalaku, Rukije Pllana etj.
Sipas dokumentit sekret serb, “të gjithë këta persona ishin angazhuar ose të lidhur me Fatmir Humollin, Arif Krasniqin dhe Sabit Gashin – më herët udhëheqës të organizatës LKÇK, e cila i ka takuar organizatës terroriste UÇK dhe vepron si grup terrorist i vendosur në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë. Meqë bëhet fjalë për persona të përfshirë në veprimtari terroriste dhe të armatosur, masat ndaj tyre duhet të jenë agresive dhe me raste duhet të veprohet me përforcim nga organet publike të sigurisë”.
Pse nuk u padit ish-kryeshefi i UDB-së për Prishtinë, Milan Llakoviq
Prandaj duke u nisur nga ky dokument, sipas autorëve të emisionit në fjalë, arrihet në përfundimin se ai Haziri, “u rrëmbye e u zhduk” nga UDB-ja.
Nëse është kështu përgjegjësi kryesor rezulton vetë ish-kryeshefi i Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Serbisë në Prishtinë, Milan Llakoviq, ndaj të cilit duhet të bëhet padi, të lëshohet fletarrest ndërkombëtar, dhe t’i kërkohet Serbisë ekstradimi i tij.
Pse nuk i ka kryer këto veprime prokuroria e Kosovës deri më sot, dhe Prokuroria speciale pas themelimit të saj?
Sipas vlerësimeve të tyre, në bazë të të njëjtit plan është arrestuar edhe ish i burgosuri politik, Isa Kastrati, por “pasi ishte keqtrajtuar mizorisht nga shteti serb ishte liruar pas një muaji”.
Kastrati është vrarë gjatë luftës, si thuhet në një pritë në postbllok të ushtrisë serbe.
Dyshimet e para publike
Por, për herë të parë një dilemë dyshimi për fatin e Xhavit Hazirit ishte shtruar në letrat e njohura të Murat Jasharit, në pyetjen 309 për Fatmir Limajn.
“308. A e dini sa veprimtarë të LPK-së e LKÇK-së janë arrestuar që kishin marrë pjesë në këto tri mbledhje?
309. Ku është Xhavit Haziri???”, e pyeste Limajn, Murat Jashari.
Murati nuk e kishte shtjelluar dyshimin e tij më tej.
Ibrahim Kelmendi
Një tjetër autor, që edhe ai akuzohet për përfshirje në vëllavrasje, e kishte çuar më tej dyshimin e përmendur nga Jashari. Ai është një nga kuadrot e para të LPK-së, dhe që është shquar për urrejtjen e presidentit Rugova, por edhe për Ahmet Krasniqin, ish ministrin e Mbrojtjes, për të cilët ka thënë se kurrë nuk do të pushonte, që t’i shihte të vrarë, pavarësisht që asnjëri prej tyre nuk ishin më në jetë.
Ibrahim Kelmendi, pa e shtjelluar se kush mund të jenë autorët e vrasjes, zhdukjes së Hazirit, në një reagim të gjatë në gushtin e vitit 2021, e fajëson Xhavit Halitin, të cilit ia atribuon edhe burgosjet e disa shqiptarëve, pa i treguar emrat e tyre.
“Më ngjanë, të gjithë protagonistët që i ka përmend Xhavit Haliti, janë burgosur e kanë vuajt shumë vite burg. Xhavit Haziri është zhduk”, ka shkruar Ibrahim Kelmendi në një polemikë me Xhavit Halitin, pas një interviste të këtij dhënë në televizion.
Një ish zyrtar i një partie politike, pak ditë më parë, i tha gazetës “Bota sot” se kishte dëgjuar që atëherë, se “Xhavit Haziri”, mund të jetë ‘zhdukur’ edhe nga të tjerë, pa dashur të akuzoj të dyshuarit në Hagë, dhe pa drejtuar gishtin tek asnjë grup.
Sipas Pllanës, në vitin 1993, një grup prej tre vetash, të organizimit ilegal, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu dhe Azem Syla, ishin takuar presidentin Ibrahim Rugova, që ky e quan, vetëm “Kryetari i LDK-së së Kosovës”, pra që nuk pranonte t’i njihte institucionet e Republikës së Kosovës.
Tri mbledhjet e LPK-së që i përmend në pyetje Murat Jashari, janë ajo e Kollarës, fshat në Kërçovë, e prillit 1993, ku edhe sipas Pllanës edhe sipas Ibrahim Kelmendit, që ky e quan ‘konsultative’, është biseduar për organizimin e rezistencës aktive të armatosur në Kosovë, por morën pjesë veç të tjerëve: “Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Ali Ahmeti, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Azem Syla, Gafurr Elshani, Beajdin Allaçi, Adem Grabovci, Bilall Sherifi, Halil Selimi, Ramadan Avdiu, Hidajete Krasniqi, Hysen Gega, Ramadan Pllana, Ilaz Kadolli, Fadil Bajrami, Musa Demiri, Bexhet Luzha, Fatmir Brajshori, Mustafë Krasniqi etj.”
Nga pjesëmarrësit në këtë takim, do të zhduken Behadin Allai dhe Xhavit Haziri.
Ndërsa, mbledhja e katër sipas Pllanës mbahet më 28-29 korrik 1993, ndërsa sipas Kelmendit dy ditë më herët me 26-27 korriik 1993 në Kodrën e Trimave në Prishtinë, në shtëpinë e veprimtarit Fatmir Brajshori, ku marrin pjesë: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Adnan Asllani, Isa Krasniqi, Xheladin Gashi, Fatmir Brajshori, Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Beqir Beqa, Sabri Kiçmari, ku thuhet se miratohet rezoluta sipas të cilës lufta e armatosur duhej të ishte prioritet i veprimeve të LPK-së.
Përfundim
Sipas Pllanës dhe informatave të ofruara Haziri rezulton se ka pasur një përvojë të madhe si pjesë e të majtës, dhe me mjaft ndikim, përfshirë në organizimin e luftës. Sipas tij, “Xhavit Haziri ishte koordinatori qendror i UÇK-së në Prishtinë,… dhe ka formuar disa njësi ushtarake të cilat ia ka bashkangjitur Brigadës së Fehmi Lladrovcit”.
Po ashtu Pllana ankohet se Haziri u injorua pas luftës edhe nga miku i tyre i përbashkët, Azem Syla, i cili në deklaratat e fundit më nuk e zinte në gojë.
Po ashtu ai është i habitur, se Jakup Krasniqi në një libër të tij (vështirë se e ka shkruar vet), “Kthesa e madhe (Ushtria Çlirimtare e Kosovës)”, nuk e përmend askund Xhavit Hazirin, duke ia atribuuar meritat Azem Sylës, Xhavit Halitit për formimin e UÇK-së së bashku me Hashim Thaçin.
“Siç duket, Jakup Krasniqi nuk e ka ditur se Xhavit Haziri ishte më i lartë se këta tre të fundit në hierarkinë organizative të LPK-së dhe se këta, kur i kanë treguar për të se ishte i pari në të gjitha aktivitetet e LPK-së e UÇK-së, merr vendim për ta shpall hero…”, shkruan Pllana.
Pra, fakti se një figurë kaq e rëndësishme e të majtës harrohet ose injorohet për 10 vjet deri në shpalljen hero, e pastaj sërish për 10 vjet të tjera, kur i ngritët shtatorja, janë indicie për dyshim të bazuar, se ata fshehin atë që dinë për Hazirin.
Qoftë sikur dyshon Kelmendi, se ai u tradhtua apo u kallxua (denoncua) tek shërbimi serb, ose mund të ketë pësuar sikur Allaqi, miku i tij, që në udhëtimin për të cilin flet Thaçi, ai mund të ketë kërkuar llogari për fatin e mikut të tij, Allaqit!
Behxhet Sh. Shala, kryetar i KMLDNJ-së, është i vetmi që në një deklaratë të tij të publikuar në tetor të vitit 2009, jep një informacion përtej atyre të dhënë më sipër, se Këshilli e ka kontaktuar një hetues të sigurimit serb, që ka bërë të ditur se Haziri ishte arrestuar dhe më pas ishte dërguar diku jashtë Prishtinës.
“KMDLNJ-ja pati rënë në kontakt me një hetues të sigurimit shtetëror serb për të mësuar më shumë për fatin e dr.Hafir Shalës dhe Xhavit Hazirit, që të dy të rrëmbyer me të njëjtin skenar dhe duket nga i njëjti ekip. Informata që ka marrë KMDLNJ-ja nga inspektori serb është se ata janë rrëmbyer nga një ekip i specializuar i Shërbimit Shtetëror serb dhe se ata pastaj janë dërguar në një lokacion jashtë Prishtinës, ku edhe u humben të gjitha gjurmët”.
Por, pavarësisht se si ka ndodhur e gjithë ngjarja a nuk është koha për një hetim që nga fillimi, përfshirë kërkesën zyrtare Serbisë për gjetjen e eshtrave të Hazirit, të urdhërdhënësit dhe të autorëve të ekzekutimit, dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë!?
Por, informacioni që i mungon kësaj deklarate është emri, identiteti i hetuesit serb. 10 vite pas luftës të mos i publikohet emri një shërbëtori të krimeve të serbëve ndaj shqiptarëve, është e habitshme”.Bota Sot
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66