Ela Tase, nostalgjia e volejbollit modern


30 trofe të fituar, tri herë lojtarja më e mirë e Ballkanit dhe tri herë gjysmëfinalet e Kupës së Kampioneve. 10 është shpallur herë sportistja e vitit

 1979 Lojtarja më e mirë e Ballkanit

1979-80 Finaliste në turneun “Final Four”  në Kupën e Kampioneve me Dinamon

1980 Medalje Bronzi me në Ballkaniadë

1980-81 Gjysmëfinaliste me Dinamon në Kupën e Kampioneve të Europës

1982-83 Përsëri gjysmëfinaliste me Dinamon në Kupën e Kampioneve

1986 Lojtarja më e mirë e Ballkanit

1986-87 Dinamo, falë Ela Tases, arrin në “final four” për herë të dytë

1987 Medalje ari me kombëtaren në lojrat mesdhetare

1988 Lojtarja më e mirë e Ballkanit dhe njëkohësisht medalje argjendi për kombëtaren tonë

1989-90 Finaliste me Dinamon në Kupën e Kupave

1990 Medalje e artë në kampionatin ballkanik me kombëtaren shqiptare

1991 Gjysmëfinaliste në kampionatin e Mesdheut

 

 

 

 

3 herë është përzgjedhur si lojtarja më e mirë e Ballkanit

10 herë ka fituar si sportistja e vitit sipas gazetës “Sporti Shqiptar”

17 herë kampione është Ela Tase me Dinamon

14 Kupa të Shqipërisë ka fituar ajo

30 janë trofetë e fituar në volejbollin shqiptar

 

 

Në vitin 1978, kur bëri ndeshjen e parë ndërkombëtare në Kampionatin Ballkanik të volejbollit në Rumani, u shpall volejbollistja më e mirë e Ballkanit. Më pas ajo u quajt kështu si mjeshtre e madhe edhe në Bullgari në vitin 1982 dhe në Tiranë në vitin 1988. Ajo ka qenë 16 herë kampione kombëtare në volejboll, 14 herë fituese e kupës së Shqipërisë, 10 herë fituese e anketës sportive “10 sportistët më të mirë të vendit”. Është cilësuar volejbollistja më e mirë shqiptare e të gjitha kohërave.

Të flasësh për Ela Tasen mund dhe duhet të duhet një natë dimri, një oxhak brenda shtëpisë dhe shumë faqe gazete brenda. Por asgjë prej këtyre nuk realizohen dot dhe mbase me shumë mundim po arrij të them aq sa mund të them për këtë volejbolliste model të Shqipërisë në vitet 80-të dhe gjithë historisë së këtij sporti. Shumë, shumë durim. Kjo sepse Ela përmbledh gjithçka që mund të përmbledhë një sportiste klasi. Përmbledh historinë, inteligjencën, karrierën grintën dhe së fundmi dhe atë që mbase njihet pak, por nënë e bashkëshorte e jashtëzakonshme. Janë pesë definicione të cilët edhe mund të ishin dhjetë, por Ela mbase përmbledh edhe 15-të. Kjo sepse Ela përmbush të gjithë parametrat e një sportisteje me nivele botërore. Nis karrierën e saj si gjithë vajzat shqiptare me klasat sportive në spartakiadën e vitit 1974, ku ende nuk kish mbushur 15 vjeç bëhet pjesë e skuadrës së parë të Dinamos. Askush nuk kish menduar se skuadra blu do kishte një perfomancë të mirë, rivalizonin Tirana e Skënderbeu, por nën gjuajtjet e pa përballueshme të Elës, Dinamo arrin deri në finale, ku humbet 1-3 me Tiranën. Eshtë një cikël i cili sapo ka nisur, pot madhështia do vijë më vonë. Ela Tase ka qenë një prej volejbollisteve më të mëdha evropiane të viteve ’80, edhe pse nisi të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare që nga vjeshta e 1978, gjatë një çerekfinaleje të bujshme të Kupës së Kampioneve. Shorti kish vendosur përballë Dinamos së Tiranës skuadrën çeke të Sllavia Bratisllavës, që dy vjet më parë kish fituar Kupën e Kupave (sot Top Teams Cup).
Dinamovitet fituan 3-1, në Çeki, por në Tiranë, kur kalimi në gjysmëfinale dukej i sigurt, Sllavia hakmerret për humbjen në shtëpi dhe fiton po 3-1. Me një pikë diferencë kalon turin. Mbase çdo shqiptar, i cili e ka jetuar këtë kohë mban mend edhe shprehjen e famshme, kur Silva Turdiu po gjuante “na duhet kjo pikë. Por e “mallkuara” nuk erdhi e në bazë të pikëve, 101-102 Dinamo eliminohet. Në të dy takimet spikati mbi të gjitha vajzat, Ela Tase, e cila kish nisur karrierën e saj, e cila do vazhdonte shumë gjatë. “Një nga ndeshjet e mia më të mira, por edhe më të hidhura” – kujton Ela sot, e cila është në prag  të 55 vjetëve. Tmerr, të eleminohesh për një pikë. Megjithatë karriera e saj do njihte shumë gjera më shumë, shumë trofe e natyrisht edhe shumë gëzime përsa i përket sportit të volejbollit. Ato janë aq shumë saqë është e pamundur të preken të gjithë, megjithatë kulmet janë në finalet e kupës së kampioneve të Europës. Megjithatë ta nisim nga fillimi. Ka qenë viti 1979 kur kombëtarja shqiptare luante në Ballkaniadë. Ndeshjet luheshin në Bukuresht, por shuterja më e mirë e skuadrës sonë, Ela Tase vetëm 21 vjeç çmend të gjithë. Gjuan edhe atëherë kur e kish të pamundur, gjuan edhe kur topi vinte pas krahëve, por vetëm gjuan, por di edhe të “ngecë, kur nuk ka mundësi, ndonëse ngecja nuk mishte mentaliteti i saj. Shqipëria shpallet e treta, por Ela merr titullin si lojtarja më e mirë e Ballkaniadës. “As vetë nuk po e kuptoja se sa mirë po luaja. Në mendje kish vetëm diçka, të gjuaja topin dhe të merrja pikën. Gjuaja dhe vetëm gjuaja e kërkoja me çdo çmim fitoren. Mbase këto më dhanë edhe titullin. Në atë kohë luhej me marrje dhe pikë, por në fund të aktivitetit, unë dola si volejbollistja, e cila kish marrë më shumë pikë dhe marrje. Isha vetëm 21 vjeç dhe trofeu ish vërtet i jashtëzakonshëm”. Kaq mund të themi për momentin, kjo pasi Ela sapo kish nisur karrierën. Nuk është e lehtë që vetëm në moshën që sapo ke nisur të formohesh të marrësh një titull, atë të volejbollistes më të mirë të Ballkanit. Mos harrojmë, skuadra si Rumania, Bullgaria, apo Jugosllavia bënin ligjin në lojën e rrjetës në botë dhe Ela del mbi to. Në drejtimin e Kreshnik Tartarit, një mjeshtër si në lojë ashtu edhe nën drejtim, skuadra merr përsipër një detyrë, që nëse do thuhej do mund të quhej edhe “herezi”. Detyra është të japë imazhin e Shqipërisë në botë e kjo nëpërmjet sportit. Megjithatë vajzat blu nën drejtimin e Ela Tases, por edhe shumë të tjerave arrijnë atë që askush nuk e kish menduar, arrijnë në “final four”, ose në katër skuadrat më të mira të Evropës për të diskutuar finalen e madhe. Dinamo kalon me lehtësi gjermanet e Shvertes, dhe kur shorti i ve përballë “2000 uno” të Barit të gjithë ngrenë supet. Por jo Ela, e cila për këtë ndeshje kujton. “Kishim ekip fantastik, mendoja vetëm për takimin dhe jo kundërshtarin. E dija qe italianet kishin një skuadër të mirë, por kurrë më të mirë se e jona”. Në Tiranë fitojmë 3-0 dhe kualifikimi dukej i sigurt. Në një intervistë dhënë nga pasuesja më i mirë e Italisë, Bineli do shkruhej. “As që na kish shkuar në mendje se skuadra shqiptare do kish një performancë të tillë. As vetë nuk e dinim se nga na vinin topat, por unë do veçoja njërën, me numrin 1 (Ela Tase (shënimi ynë), ishte e papërballueshme. Dinamo arrin në finalen e madhe. Mbase eksperienca, mbase edhe fortësia e kundërshtarit detyron Dinamon dhe kapitenen e saj të pranojnë vendin e katërt, por thjesht me diference setesh. Megjithatë Ela është në majat më të larta të volejbollit Evropian. Vitet ikin, por Ela është po e re. Janë vitet e lulëzimit të volejbollit shqiptar dhe dy herë të tjera në gjysmën e parë të viteve ’80. Ela Tase fiton Medaljen e Bronzit në Kampionatin Ballkanik në Athinë (1980) dhe është gjysmëfinaliste në Kupën e Kampioneve të 1980-81 dhe 1982-83. Martesa, në 1983, dhe sidomos lindja e fëmijës, e shtrëngon të ndahet për 15 muaj nga stërvitja. Por trajneri i klubit dinamovit, Kreshnik Tartari (lojtar finalist me Dinamon në Kupën e Kampioneve për meshkujt, 1971-72), e bind të vazhdojë të luajë (ishte hera e dytë, pas një traume në këmbë në 1980). Ç’mbeti nga vitet ’80 u mbush me kënaqësi të mëdha: përveç titujve ballkanikë, dhe Medaljes së Bronzit dhe Argjendit, respektivisht në Kampionatin Ballkanik të Artës (Greqi, 1986) dhe Tiranë (1987. Tase e drejton Dinamon në finalen e Kupës së Kupave (1986-87) duke i nxjerrë nga radha qipriotet e Olympiakos-it Nikosia (0-3 dhe 0-3), zviceranet e Uni-t të Lozanës (3-0 dhe 3-0) dhe jugosllavet e Mladost Zagabrias (0-3 dhe 1-3 në Tiranë). Porse Federata shqiptare heq dorë nga finalja për të mos u ndeshur me sovjetiket e Kommunalnik Minskut. Gjithmonë në 1987, Ela Tase quhej frymëzuesja e vërtetë e Medaljes së Artë shqiptare në Lojërat e X të Mesdheut të Latakias, duke triumfuar në të gjitha ndeshjet: Shqipëri-Itali 3-1, Shqipëri-Turqi 3-0, Shqipëri-Greqi 3-0 dhe Shqipëri-Siri 3-0. Mbërrijnë vitet ’90. Ela Tase i kalon të tridhjetat, por jo vetëm e mban veten në formë, por shton edhe triumfet. Dhjetë vjet pas, Dinamo kthehet në finale në Kupën e Kampioneve të 1989-90, duke eliminuar polaket e Stal Bielsko (1-3 dhe 2-3 në Tiranë), gjermano-lindoret e Dinamos së Berlinit (3-1 dhe 0-3 në Tiranë) dhe rumunet e Dinamo-s së Bukureshtit (3-1 dhe 1-3 në Tiranë,. Në finalen e Ravenës, Ela Tase dhe Dinamo sjellin medaljen e parë shqiptare në një garë volejbollistesh mes klubeve. duke u renditur të tretat falë fitores ndaj francezeve të Racing Parisit (3-1), pas kampioneve sovjetike lë Uralochka Sverdllovskit dhe italianeve të Teodora-s së Ravenës. Sërish në 1990, kapitenia e udhëheq Shqipërinë drejt triumfit në Kampionatin Ballkanik të Praveçit (Bullgari): Shqipëri-Jugosllavi 3-0, Shqipëri-Bullgari 3-0, Shqipëri-Rumani 3-0, Shqipëri-Greqi 3-0, Shqipëri-Turqi 3-0. Një Medalje e Artë e fituar për herë të parë duke u shquar në të gjitha kuptimet. Por nuk mbaron me 1990! Një vit më pas Ela Tase, me Shqipërinë. është gjysmëfinaliste në Lojërat e XI të Mesdheut në Athinë, dhe – ç’është më e rëndësishme – pas kualifikimit historik në ndeshjet eliminatore të Salisburgut, del për herë të parë në fazën finale të Ravenës në Kampionatin e XVII Europian për Kombëtaren e femrave. Ela Tase është një simbol, jo vetëm i volejbollit shqiptar dhe evropian, por e sportit në përgjithësi. Sot, zonja Ela Tase është zv. Presidente e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Presidente e Komisionit “Femrat dhe Sporti”.
  

3 Komente

  1. Ela eshte padyshim me e mira e te gjitha koherave ne shqiperi.nuk ka per te pasur me volejbolliste si ajo.i uroj gjithe te mirat dhe suksese ne jete

  2. ne nje intervist ELA ka thene : “nuk e bej vajzen time volejbolliste sepse ne shqiperi s’ka me kushte per sport” ! s’kemi me shance te shohim sportist te tille ! tani sporti eshte shfarosur !

  3. qemalhidri says:

    Nuk harroj emocionet me 2001 e Italise me shume milet me deshire terhiqnin sportet atokohe sesa kane sot politikanet

Komento