Festivali i Këngës shënon edicionin e tij të 57-të. Funddhjetori, ashtu sikur në vitin e largët 1962 kur kënga e lehtë shqiptare nisi sëpari rrugën e saj në Radio Tirana. I mbajtur në sallën e Institutit të Lartë të Arteve, Festivali i Parë kishte si udhëheqës artistik kompozitorin Abdulla Grimci dhe regjisor ishte Luigj Gurakuqi. Kënga e parë e kënduar në këtë Festival e sigurisht e para e të gjithë këngëve, është ajo me titull “Këndoj” e kompozuar dhe interpretuar nga Avni Mula. Në këtë edicion të parë u ndanë dy çmime të treta dhe tre të dyta. Ndonëse nuk pati një këngë fituese, vlerësime u bënë për këngëtarët mes të cilëve këngëtarja e madhe Vaçe Zela me çmim të parë. Të gjithë kujtojmë këngën e interpretuar prej saj “Si sot një vit më parë jam martuar, dhe të lumtur rrojmë ne”. Titullohet “Fëmija i parë” që njihet bashkë me “Lemzën” apo “Erën pranverore” si refrene në buzët e të gjithëve ne…

… kështu mori jetë dhe nisi udhën e vet, ngjarja më e bukur muzikore e vitit!

Ndër vite, Festivali i Këngës do të ishte shtëpia e kompozitorëve të talentuar, instrumentistëve virtuozë dhe këngëtarëve me vokale ngjethëse. Do ta nisnin këtu karrierën e tyre për ta vijuar suksesshëm, legjendat e padiskutueshëm si Vaçe Zela, Avni Mula, Gaqo Çako, Ema Qazimi, Tonin Tërshana, Ferdinand Deda, Agim Krajka,  Pjetër Gaci, Tish Daija, David Tukiçi, Llazar Siliqi, Fatos Arapi, Dionis Bubani e shumë emra të tjerë të cilët renditen meritueshëm në panteonin e historisë së muzikës shqiptare. Ndërsa vitet bëheshin dekada, evidentoheshin talente të reja dhe konsolidonin talentin e tyre poetët dhe kompozitorët. Mjafton të kujtojmë artistët Zhuliana Jorganxhi, Xhevahir Spahiu, Alqi Boshnjaku, Kastriot Gjini, Luan Zhegu, Vladimir Kotani, Edmond Zhulali, Ardit Gjebrea, Alfred Kaçinari, Alida Hisku, Nertila Koka, Parashqevi Simaku, Irma Libohova, Liljana Kondakçi, Mefarete Laze, Anita Bitri, Manjola Nallbani, Aurela Gaçe, Elsa Lila.