Presidenti Nishani pret në takim themeluesen dhe kryeredaktoren e Revistës Ndërkombëtare Shkencore, ACADEMICUS

3 korrik 2014

Kreu i Shtetit priti sot në një takim themeluesen dhe kryeredaktoren e Revistës Ndërkombëtare Shkencore, ACADEMICUS, zonjën Arta Musaraj, e cila i dorëzoi Presidentit kolanën e plotë në kuadër të 5-vjetorit të botimit të kësaj reviste.

Në bashkëbisedimin me Presidentin, zonja Musaraj e informoi Kreun e Shtetit mbi kontributet që kjo revistë, e botuar në gjuhën angleze, sjell në jetën akademike, shoqërore dhe për institucionet në Shqipëri, për Rajonin e Ballkanit dhe të Mesdheut duke synuar të promovojë vlerat e shkencës, të kërkimit shkencor si dhe të vërë në përdorim të aktorëve të ndryshëm rezultatet e punimeve të botuara, që prekin fusha të ndryshme si shkencat politike, sociale, ekonomike, të komunikimit dhe ato juridike.

Presidenti Nishani, pasi falënderoi zonjën Musaraj për kolanën e botimeve, u ndal tek rëndësia që ka shkenca dhe kërkimi shkencor jo vetëm tek bota akademike, por dhe në jetën e individit dhe shoqërisë në tërësi dhe në këtë kuadër vlerësoi kontributin e kësaj reviste për botën akademike shqiptare dhe më gjerë.

Presidenti nënvizoi dëshirën dhe vullnetin e Tij, në cilësinë e Kreut të Shtetit, për të mbështetur gjithmonë shkencën shqiptare si një kontribut që Institucioni i Presidentit të Republikës mund të japë me synim evidentimin e vlerave më të mira që bota akademike përcjell si elita e shoqërisë.

Në vijim, të dy bashkëbiseduesit u ndalën tek rëndësia dhe rrugët e mundshme për promovimin e rezultateve të kërkimit shkencor me një ndikim të rëndësishëm tek vendimmarrja e aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm shoqërorë dhe institucionalë jo vetëm për të tashmen, por dhe për të ardhmen në proceset integruese që kalon vendi dhe rajoni ynë.